Totaj: S’ka vend në kabientin tim për njerëz me probleme me ligjin
Autori: Gazeta inFokus 10:13 | 07 January 2022
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, premton qeverisje transparente, pa korrupsion e nepotizëm. Ai thotë se në kabinetin e tij qeverisës nuk do të ketë vend për njerëz me probleme me ligjin, ndryshe nga qeveria lokale e Mytaher Haskukës. Totaj flet për synimet për të funksionalizuar zonën ekonomike të Prizrenit dhe turizmin.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Prizrenit thotë se besimin që e ka marrë nga qytetarët do ta arsyetojë me punë.
Për punën e paraardhësit të tij, Mytaher Haskuka, ai shprehet se ka pasur një deficit në qeverisje dhe një mungesë të lidershipit.
Fakti që për disa drejtorë të Haskukës janë ngritur aktakuza, Totaj thotë se është tregues së nuk ka pasur një qasje profesionale ndaj obligimeve të punës, por një gjë e tillë premton të mos ndodhë me kabinetin e tij qeverisës.
“Fakti që kemi pasur disa drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tash para disa ditëve janë shpallur disa aktakuza të reja, tregon se nuk kemi pasur qasje profesionale ndaj obligimeve të punës. Çka unë premtoj që asnjë person i cili ka ose ka pasur probleme me ligjin nuk do të mund të avancohet në pozitë të drejtorit. Natyrisht nëse në ndërkohë ndodh një gjë e tillë që ndaj dikujt të hapet aktakuzë ata persona nuk do të kenë vend në kabinetin qeverisës”, thotë ai.
Totaj premton qeverisje më ndryshe se çfarë është mësuar deri më tani Prizreni, me synim për të rritur cilësinë e jetesës në këtë komunë.
“Unë premtoj ulje apo zvogëlim të dukshëm të dukurive negative, do të thotë burokracisë, korrupsionit, nepotizmit. […] Të kemi një energji pozitive dhe një qasje proaktive dhe të lëvizim drejt ngritjes së cilësisë së jetës në Komunën e Prizrenit. […] Qeverisja ime do të jetë profesionale, korrekte, transparente dhe do të jetë një lidership pak më ndryshe se çka parë deri më tani Prizreni”, thotë ai.
Totaj zotohet se do t’i shtyjë përpara të gjitha projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa tregon se cili prej tyre do të ketë prioritet me nisjen e punimeve.
“Si projekti i parë më i rëndësishëm, funksionalizimi i rrugës tranzitore nga lagjja ‘Dardania’ në lagjen ‘Arbana’, aty është një shtëpi në mes të rrugës, si dhe lidhjen e autostradës me atë rrugë tranzitore që do ta mundësonte shumë më shpejtë kyçje në autostradën e cila çon për Shqipëri ose për Prishtinë, kjo është më e rëndësishmja. Kurse, ne e kemi futur në buxhet të vitit të ardhshëm studimin e fizibilitetit të projektit të ndërtimit të nënkalimit nga ish-BVI deri tek Shtëpia e Bardhë ku aktualisht është rezidenca e kryetarit të komunës. Si dhe një projekt tjetër të studimit të mundësisë së rifreskimit apo ristrukturimit të trafikut urban në qytetin e Prizrenit, ku përfshihet edhe çështja e parkingjeve, sepse nuk ka pasur një studim të kësaj natyre”, thotë ai.
Për krijim të vendeve të punës e rritjen ekonomike të komunës, Totaj thotë se së shpejti do të funksionalizojnë zonën ekonomike të Prizrenit.
“E kemi si projekt shumë të rëndësishëm funksionalizimin e zonës ekonomike dhe besojmë që shumë shpejtë do të funksionalizohet. Pastaj aty do të kemi mundësi që të kemi investitorë apo biznese të cilët duan të investojnë dhe të hapin vende të reja të punës, t’u ofrohet lokacion, t’u ofrohet tokë dhe infrastruktura e cila ju duhet për t’u kyçur. Ata pastaj me investimet e tyre t’i rrisin kapacitetet dhe të hapin vende të reja të punës”, shprehet Totaj.
I pari i Prizrenit thotë se fokus të punës së tij e ka edhe zhvillimin e turizmit, që pastaj do të kishte ndikim edhe në rritje ekonomike.
“Prizreni si qytet me trashëgimi kulturore, historike ka çka ju ofron vizitorëve. Ka shumë objekte të cilat ia vlen të shihen, ka shumë xhamia, ka shumë kisha, është Sahatkulla ku është investuar dhe është shndërruar në muze. Është po ashtu Hamami, është Lidhja e Prizrenit dhe mendoj që të gjitha këto do të jenë dhe mund të jenë atraksionet për t’i vizituar nga ana e të gjithë qytetarëve që duan të vijnë dhe të vizitojnë Prizrenin. Ne planifikojmë që të ndërtojmë një kalendar të eventeve që do të ndodhin gjatë vitit. […] Të gjitha këto ne do t’i shfrytëzojmë për të promovuar qytetin tonë dhe përmes kësaj të arrijmë zhvillimin ekonomik sepse të gjithë ata vizitorë që vijnë këtu natyrisht se do të shpenzojnë diçka”, thotë ai.
Për katër vitet e ardhshme, kreu i Prizrenit premton se do të angazhohet në krijimin e një jete më të mirë për qytetarët e kësaj komune. Po ashtu, ai thotë se kujdes të veçantë do t’i kushtojë investimeve në fushën e arsimit, kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.
Të tjera
-
OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë
Me tkurrjen e popullsisë, numri i mjekëve për banorë erdhi në përmirësim vite...
-
AAK shënon 24 vjetorin e themelimit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot e shënon përvjetorin e saj. AAK-ja u ...
-
Osmani merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në ora 12:00 merr pjesë në Akademinë...
-
Raporti i DASH-it diskutohet sot në Kuvendin e Kosovës
Pas seancës solemne, e cila i kushtohet komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, de...
-
Moti në Shqipëri me vranësira dhe reshje shiu
Në Shqipëri moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu. Era do të fryjë me ...
-
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë në nderim të Ilaz Kodrës
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë solemne. Kjo seancë do t’i ku...
-
Kosova në hapat e fundit drejtë anëtarësimit në KiE
Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës vlerësohet se mund ...
-
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mot do të jetë i vranë...
-
Mbahet mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë së bashku me zëvendëskryemini...
-
Parashikimi i motit për nesër
Për të enjten parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe interval...
-
Çka dihet deri tani për mosmarrëveshjen mes familjarëve që eskaloi në tentim vr asje
Tre persona janë plagosur dhe një është lënduar sot në një fshat të Podujevës...
-
A e keni ditur që shumica e kosovarëve nuk e shfrytëzojnë pushimin e plotë sipas Ligjit?
A s’ka punë? A s’ka puntorë? Është kjo fraza të cilën e kemi dëgjuar shumë...