Dy palë zgjedhje vjet i kushtuan Kosovës rreth 13 milionë euro
Autori: Gazeta inFokus
11:39 | 01 Janar 2022
Gjatë vitit që e lamë pas në Kosovë u mbajtën dy procese zgjedhore, e që buxhetit të shtetit organizimi i tyre i ka kushtuar rreth 13 milionë euro. Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën me 14 shkurt kushtuan 4.7 milionë euro, ndërsa për zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor u planifikuan 8.1 milionë euro.
Edhe pas përfundimit të këtyre proceseve zgjedhore, u shtrua nevoja për një reformë zgjedhore. Këtë e kërkon edhe vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por që monitorues të proceseve zgjedhore thonë se ka mungesë të vullnetit politik që një reformë e tillë të bëhet realitet.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë tërë vitit të kaluar kanë qenë të angazhuar për organizimin e dy proceseve zgjedhore, për çka shprehet se KQZ ka arritur që të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht faktit se jemi prej institucioneve të rralla që ka një barrë kaq të rëndë për organizimin e proceseve zgjedhore brenda një viti. […] Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përgatitje të një raporti të detajuar sa i përket shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve lokale. Planifikimi buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka qenë në shifrën 8.1 milionë euro, por zakonisht shpenzimet janë nën këtë planifikim, megjithatë duhet të presim këtë raport përfundimtar të shpenzimeve. Ndërkaq, nga rreth 5.6 milionë euro të planifikuara për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021, janë shpenzuar rreth 4.7 milionë euro. Zakonisht, kostoja e zgjedhjeve lokale është me e lartë se kostoja e zgjedhjeve parlamentare, një nga arsyet kryesore është se për zgjedhjet lokale parashihet edhe mbajtja e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave”, ka thënë ai.
Pasaktësia e listës së votuesve, votime familjare, votimi me asistencë dhe fletëvotimet e pavlefshme, janë disa nga problemet të cilat i evidentojnë organizatat që kanë monitoruar këto procese zgjedhore.
Zgjidhje, për këto probleme, sipas tyre është finalizimi i reformës zgjedhore. Përfundimin e reformës zgjedhore po e kërkon edhe vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi, thotë se janë të gatshëm të japin kontributin për të finalizuar këtë reformë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka theksuar vazhdimisht që Kuvendi i Kosovës duhet të përmbyllë procesin e reformës zgjedhore. Natyrisht se KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë zgjedhore lidhur me të gjitha çështjet me të cilat është ballafaquar gjatë organizimit të një numri të madh të proceseve zgjedhore gjatë një dekade”, ka thënë Elezi.
Reforma zgjedhore, sipas Arton Demhasaj nga organizata Çohu, duhet të përfshijë rishikimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, atë për zgjedhjet lokale dhe Ligjin për financimin e partive politike.
“Çështja e votimit nga diaspora duhet të rregullohet, kemi pa që ka procedura të tejzgjatura nga votimi prej diasporës dhe duhet të thjeshtohen këto procedura dhe t’i jepet mundësia, sidomos kur flasim për zgjedhjet e përgjithshme, diasporës që të votojnë, qoftë nëpër konsullata apo nëpër ambasada. […] Kur flasim për financimin e partive politike mendoj që edhe aty duhet të sqarohet qartë se qysh munden partitë politike të financohen dhe njëkohësisht duhet të ketë më tepër hapësirë për transparencë, pra të obligohen partitë politike t’i publikojnë pasqyrat e tyre financiare të paktën dy herë në vit. Gjithashtu edhe kur kemi fushatë zgjedhore, menjëherë ose gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike t’i publikojnë raportet e tyre se nga financohen dhe si i shpenzojnë paratë që i marrin. Këto janë disa prej problemeve kryesore që lidhen edhe me procese zgjedhore edhe njëkohësisht me financimin e partive politike, që mendoj që duhet reforma zgjedhore t’i adresojë sa më shpejtë”, ka thënë Demhasaj.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se po të kishte vullnet politik reforma zgjedhore do të ishte përmbyllur tash e 10 vite.
Cakolli është shprehur se meqë janë përmbyllur dy procese zgjedhore është momenti i duhur që të fillohet një proces i reformës, e në kuadër të saj, ai thotë se do të duhej të shihej si opsion ndarja në zona zgjedhore.
“Po të kishte vullnet politik, reforma zgjedhore do të ishte përmbyllur qysh tash e 10 vite kur ky proces është iniciuar. Unë konsideroj që përkundër faktit që mund të mos ketë vullnet politik domosdoshmëria për adresimin e këtij problemi do të duhej të ishte në fakt elementi kryesor që do t’i shtynte partitë politike e të mos presim kërkesa ndërkombëtare për një gjë të tillë. […] Meqë kemi qëndrim të partive politike, sidomos të asaj në pushtet që duhet të ndryshohen elemente të caktuara të sistemit zgjedhor, unë besoj që kjo duhet të shfrytëzohet si bazë për hapjen në tërësi të pakove të cilat adresojnë çështje zgjedhore në mënyrë që ta avancojmë procesin zgjedhor”, ka thënë ai.
Kosova ka mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare edhe gjatë vitit 2019, organizimi i të cilave buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 5.4 milionë euro. Ndërkaq, zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kushtuan 4 milionë euro, njëjtë sa kanë kushtuar edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Organizimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2017 buxhetit shtetëror i ka kushtuar rreth 7 milionë euro, ato të vitit 2013 i kushtuan mbi 5 milionë euro, kurse zgjedhjet lokale të vitit 2009 mbi 6 milionë euro./kp

T� tjera
-
Musliu kërkon përgjegjësi për rastin në Pejë: Fjalët pa veprime konkrete nuk e shpëtojnë askënd
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas rastit tragjik në Vitomir...
-
Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e gruas nga Peja
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 15:00, një seancë të jashtëzakonsh...
-
Kronologjia e rastit të Arlinda Zekajt sipas Prokurorisë – Çfarë kishte ndodhur?
Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një njoftim të detajuar lidhur me vep...
-
OJQ `QIKA` paralajmëron aksion simbolik para qeverisë
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka njoftuar se sot në orën 13:...
-
Koçi pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Në një shtet normal do të kishte dorëheqje deri në nivelet më të larta politike dhe të drejtësisë
Avokati Arianit Koçi ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke k...
-
Smajli: Për herë të parë nga 2010-ta arrin në 8 numri i grave që u vranë për 1 vit
Gazetarja Hateme Smajli ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Pej...
-
Vràsja e Arlinda Zekajt, të mërkurën protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë
Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, për të mërkurën është p...
-
Ende asnjë reagim nga Koordinatorja Kombëtare për Mbrojtjen e Grave nga Dhuna
Koordinatorja kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave d...
-
“As vràsjes time nuk pres t’i përgjigjeni” – Letra që Arlinda Zekaj, e vràrë mbrëmë me sëpatë, ia kishte drejtuar kryetarit të Gjykatës në Pejë
Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës, kishte ...
-
PDK e LDK kërkojnë raportim urgjent nesër të kryesuesve të KPK-së dhe KGJK-së
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, kanë kërkuar që...
-
Presidentja kërkon hetim urgjent për gruan që u vra në Pejë: Çdo dyshim për dështim, të marrë përgjigje
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar ashpër pas vrasjes së...
-
Tentim-vras*je në Prishtinë, një person përfundon në spital
Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një rrahjeje që ka ndodhur në Pris...






























