Lajme

Shefqet Krasniqi mund të dënohet me burg për deklaratën e “shenjave të kiametit”

Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 03 December 2021

Vdekja është një nga termët më të padashura për njerëzimin, pasi, me vdekje nënkuptohet shkëputje nga kjo jetë, e siç e thonë shumë fe, vazhdimin për në botën tjetër. Por, një vdekje me anë të një katastrofe të madhe, siç është përfundimi i botës, është akoma më drithëruese vetëm si mendim. Se do kemi përfundim të shpejtë të botës, e ka thënë hoxha Shefqet Krasniqi, deklaratë kjo që po konsiderohet si përhapje e panikut në publik. Se a duhet pasur intervenim të prokurorisë apo policisë në raste kur jepen deklarata të tilla dhe se sa janë të sakta fjalët e hoxhës, për Syri.net Kosova ka folur një ekspert sigurie dhe një tjetër imam.

“Shenja e parë e vogël e kiametit është ardhja e profetit Muhamet. Ai e ka thënë vetë: “Jam dërguar unë”. Disa nga shenjat që mund t’i ceki me shpejtësi janë: Vdekja e profetit Muhamet, përhapja e madhe e imoralitetit, përhapja e madhe e pije alkoolike dhe lejimi i tyre për t’u pirë, përhapja e fajdeve, ardhja në pushtet e njerëzve injorantë, njerëz që nuk dinë pothuajse asgjë për postin me të cilin janë ngarkuar, zhveshja, lakuriqësia e femrave siç është në ditët e sotme. Një prej shenjave të kiametit është ndërtimi i shtëpive, pallateve të mëdha, që bëjnë gara se duan të mbërrijnë në qiell te Zoti. Një prej shenjave të kiametit është shtimi i madh i vrasjeve. Unë së pari kur e kam thënë atë intervistë, kiameti është afër, e kam thënë Ramazanin e kaluar në një emision televiziv, pastaj është publikuar. Por për kiametin afër unë kam shkruar edhe libër, që e kam shkruar në 2014”.

Kjo është deklarata e imamit Shefqet Kransiqit dhënë për televizionin abcnews, deklaratë kjo që ka ngritur shqetësim te masa.

-Advertisement-

Fjalët e hoxhës po konsiderohen si deklarata që për qëllim kanë nxitjen e panikut në shoqëri, pasi, duke qenë se ka një influencë të madhe te publiku, Krasniqi po “luan” me gjendjen e tyre të psikike.

Se deklarata të tilla mund të bëjnë edhe destabilizime në vend, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Në një prononcim për syri.net Kosova, Shala tha se imami është mirë që të ketë kujdesë në shprehje të tilla, pasi mund të ndikojnë në mirëqenien psikike apo sociale te njerëzit, e cila mund të manifestohet me rrezikim të sigurisë publike.“Në lidhje me deklarimet të bëra nga ana e z.Krasniqi mund të themi që prononcime të tilla mund të cenojnë mirëqenien psiko/sociale, e cila mund të manifestohet në aspektin e rrezikimit të sigurisë publike. Pra, z.Krasniqi në këtë rast është mirë me pas kujdes në prononcime dhe thirrje të tilla duke mos e rrezikuar dhe destabilzu vendin. Prokuroria duhet që të ftojë në bisedë konsultative në lidhje me pretendimet e tija duke ja tërheq vërejtjen për deklarime të tilla” theksoi Shala.

Sa i përket përfundimit të botës, apo, siç njihet në publik ‘kijameti’, për Syri.net Kosova ka folur imami Bekim Jashari. Ai tha se ‘kijameti’ dhe çështje tjera fetare siç janë bota e përtejshme, shpërblimi e ndëshkimi për veprat e njeriut dhe koha e jetesës janë sekrete të Zotit dhe të tilla do mbesin çdoherë, sekrete këto që sipas imamit, Zoti nuk ia tregoi as të dërguarit të tij, Profetit Muhammed.

“Sa i përket çështjes së kiametit, koha, ora kur do të ndodh është çështje që në terminologjinë islame quhet “gajb” e që nënkupton se është ekskluzivitet i Zotit, pra, vetëm Ai e di. Zoti në Kur’An i thotë të dërguarit të Tij, Profetit Muhammed, “të pyesin kur do të ndodh kiameti, thuaju është çështje nën dijen e Zotit, pra, në këtë ajet dhe në disa citate tjera të Kur’Anit Fisnik, tregohet qartë se i Madhi Zot nuk i ka dhënë njohuri e dijeni të dërguarit të Tij për çështjet e ‘gajbit’, të sekreteve të Zotit. Sekretet e Zotit janë koha se sa kemi me jetu, shpirti, kiameti, bota tjetër, si duket, si është dhe si do jenë shpërblimi dhe ndëshkimi” tha imami.

Ndër tjera, hoxha komentoi edhe deklaratën e Krasniqit, për të cilin tha se nuk beson se ka pasur qëllim që të nxisë panik të qytetarët.

“Në lidhje me deklaratën e hoxhës që e përmendet, unë kam lexuar në medie dhe nuk e kam dëgjuar, prandaj, nuk mundem ta komentoj, por, nuk besoj, edhe nëse e ka thënë, nuk besoj që qëllimi është për të futur frikë dhe panik të qytetarët, pasi, fundja, çdo gjë në gjithësi është në dorën e Zotit” përfundoi Jashari.

Syri.net Kosova, gjatë gjithë ditës së sotme ka provuar të kontaktojë edhe imamin Krasniqi, për ta pyetur në lidhje me këtë deklaratë dhe me faktin se a mendon që përhap panik të popullata, por, kontakti me të ka qenë i paarritshëm.

Kujtojmë që Shefqet Krasniqi shpeshherë ka zgjuar debat publik, kjo për shkak të deklaratave të tij, që shumë herë janë konsideruar shumë të fryra.

Deklarimet si “Nëna Terezë do shkojë në ferr se nuk ishte myslimane” apo se “gruaja e ka vendin në kuzhinë” të bëra dikur nga ana e tij, u patën komentuar e kritikuar me të madhe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera