Lajme

Kryeministri Kurti uron Ditën e Forcës: Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Autori: Gazeta inFokus 13:49 | 27 November 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës. Nga kazerma ushtarake “Adem Jashari”, në fjalët e tij uruese për këtë ditë të rëndësishme duke iu drejtuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai tha se ju jeni ushtarë të një popullit historik dhe të një kombi të madh e të lavdishëm, jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë vit, Kosova ka vërtetuar edhe një herë se është një partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere. Hapi dyert për ushtarakët nga e gjithë bota në kuadër të ushtrimit më të madh fushor DEFENDER EUROPE 21 dhe qe një nga 27 shtetet pjesëmarrëse dhe 16 shtetet nikoqire të këtij ushtrimi. I shërbeu paqes gjatë bashkë zbarkimit të parë në Kuvajt duke demonstruar që është e aftë të shërbej krah për krah me vendet anëtare të NATO-s.

U doli në ndihmë partnerëve amerikanë dhe NATO-s me evakuimin e refugjatëve afganë duke treguar gatishmërinë për të marrë përsipër obligime dhe përgjegjësi që në raste krizash kudo në botë të mbështetë paqen. Prandaj sot edhe kemi shumë arsye për të festuar dhe për të uruar 27 nëntorin, Ditën e Forcës së Republikës së Kosovë, ditën e ushtrisë së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti.

Karshi rëndësisë dhe sukseseve të Forcës së Sigurisë, dhe si përgjigje ndaj sfidave me të cilat përballet Forca jonë, kryeministri Kurti, në fjalën e tij, tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi menduar domosdoshmërinë e buxhetit dhe ligjeve për mbarëvajtjen e funksionimit të FSK-së. Prandaj për vitin e ardhshëm kemi ndarë një buxhet prej mbi 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor duke synuar që së afërmi të mbërrijmë edhe standardin prej 2% të BPV-së që parasheh një ushtri e NATO-s. “Ushtria është detyrë dhe projekti ynë madhor. Nuk kemi nevojë ta themi se është prioritet, sepse mbrojtja e Republikës është prioritet që nuk ka nevojë të thuhet”, deklaroi kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.

Kryeministri Kurti po ashtu falënderoi partnerët, vendet mike e aleatë për përkrahjen e tyre në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së. Ai tha se Kosova dhe FSK-ja rritet me këshillat e tyre dhe ndihmën që ofrojnë dhe se në zhvillimin e Forcës jemi bashkë dhe të pandarë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, Komandanti i Forcës së Sigurisë, Gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe Zëvendës Komandanti, Gjeneral Cakiqi, përfaqësues të korit diplomatik të shteteve mike, deputetë të Republikës së Kosovës dhe oficerë, zyrtarë të lartë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera