Lajme

Ymeri: Shtëpitë në Ujman po dalin të jenë më të rëndësishme se mushkëritë dhe uji për ne

Autori: Gazeta inFokus 10:31 | 27 November 2026

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar pushtetin për vëmendjen që po i kushton rrënimit të shtëpive në Ujman, ndërkohë që, sipas saj, vendi po përballet me probleme serioze të ndotjes së mjedisit, shkruan Gazeta Infokus.

Ymeri ka shkruar për deponinë në Velekincë të Gjilanit, për të cilën pretendon se funksionon pa licencë, nuk raporton prej disa vitesh për gazrat toksikë dhe ka tejkaluar kufijtë e lejuar për shkarkimin e ujërave të ndotura.

“Kur flitet se sa shtëpi po rrënohen në Ujman, më parë duhet të tregohet se sa po helmohet vendi ynë”, ka shkruar Ymeri.

-Advertisement-

Sipas deputetes së LDK-së, deponia në Velekincë po e helmon rrethinën dhe nuk është e vetmja që funksionon pa licencë.

“Për shembull, deponia në Velekincë të Gjilanit nuk ka licencë, nuk raporton që disa vjet për gazra toksik, dhe ka tejkaluar kufijtë e lejuar, ndër të tjera, për shkarkimin e ujërave të ndotura në trupin ujorë. Deponia praktikisht po e helmon rrethinën, dhe nuk është e vetmja pa licencë, ndërkohë që VV-ja flet për shtëpitë në Ujman.”, ka shkruar ajo.

Ymeri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i kushton vëmendje kësaj çështjeje për të kënaqur militantët e saj, duke lënë në plan të dytë problemet me të cilat përballen qytetarët.

Në prag të festës së 28 Nëntorit, deputetja opozitare ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e barnave, furnizimin me energji elektrike dhe ndotjen e ajrit e të ujit.

“Pra, ky 28 Nëntor mund edhe të reklamohet me rrënimin e shtëpive në Ujman, por festa kombëtare kuptohet ndryshe kur kombi lihet pa barna, me rrymë nga armiku, dhe me trupa ujorë, e ajër të mbushur me helme”, ka përfunduar Ymeri./Gazeta Infokus/

Kush po e Feston Ditëlindjen në Krejt Kosovën?!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy