Lajme

Mbledhja e Qeverisë, të gjitha vendimet që u morën sot

Autori: Gazeta inFokus 14:54 | 22 September 2021

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 36-të, ku ka marrë disa vendime, raporton Express.

Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Kurti ka folur rreth vendimit të qeverisë për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare.

“Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Masat që i kemi ndërmarrë, vendimet që i kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjeri. Për incidente dhe për eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë. Nuk ka interes për destabilizim as Serbia”, ka thënë Kurti.

-Advertisement-

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të ZKM’së:

Kryeministri në fjalën e tij foli edhe për 6 mujorin e punës së Qeverisë që nga marrja e mandatit, duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë e kanë kthyer shtetin drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies sociale dhe progresit shoqëror.

Me vendimin e parë në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektimet, i cili përcakton parimet e inspektimit, rregullat, për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit.

Pas shqyrtimit kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, i cili përcakton kërkesat, masat dhe procedurat për mbrojtjen ligjore të topografive të produkteve gjysmëpërçuese dhe zbatimin e të drejtave që rrjedhin nga ky ligj.

Është miratuar edhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023) në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës (2013-2023). Ky është plani i tretë në kuadër të kësaj Strategjie në nivel vendi dhe ka për qëllim të avancojë në çdo aspekt të drejtat e personave me aftësi të kufizua deri në arritjen e një synimi final për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuar realizojnë potencialin e plotë të tyre dhe kanë të drejtën të jetojnë një jetë të dinjitetshme.

Me vendim të Qeverisë në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Ekzekutiv (“Komisioni”) në qëllim të propozimit dhe hartimit të parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, në këtë përbërje të anëtarëve të përhershëm:

2.1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, kryesues;

2.2. Zëvendës Kryeministri i parë, zv. kryesues;

2.3. Ministri i Ekonomisë, anëtar;

2.4. Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;

2.5. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; anëtar;

2.6. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar; dhe

2.7. Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 07/43 të datës 13.11.2020, përmes të cilit Flamur Kadriu caktohet zëvendësues i Kryeshefit i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit të Qeverisë 09/27 të datës 30.04.2020.

U miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa 1.

Po ashtu, u miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Pas shqyrtimit janë miratuar edhe vendimet për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë z. Besnik Bislimi për nënshkrimin e Amendamentit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa I, dhe për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Nga kabineti qeveritar është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e Specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 nëntor deri më 31 dhjetor të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.03/49 të datës 08.12.2020 i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 18/19 të datës 14.07.2021, në të cilën pika dy e vendimit ndryshohet/plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri me datën 30.11.2021.

Pika tjetër e radhës që u miratua në mbledhjen e sotme është vendimi për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS Sh.P.K”.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria është bërë shfuqizimi i akteve sipas paragrafit 2. të vendimit të Programit për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së. Ky program ka obliguar ministritë dhe agjencitë respektive që të bëjnë shqyrtimin e legjislacionit teknik dhe jo-teknik kombëtar të pa-harmonizuar i cili mund të përmbajë “masa me efekt ekuivalent” të cilat paraqesin barriera të pajustifikueshme në tregti dhe eliminimin e këtyre barrierave përmes masave gjegjëse korrigjuese.

Me vendim të Qeverisë, siç e parasheh edhe Strategjia Kombëtare kundër trafikimit me njerëz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Kombëtar kundër trafikimit me njerëz.

U miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vlerës së shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2015 për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara, konform listës së çmimeve të përditësuara.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dy milionë euro (2,000,000 €) për zbatimin e vendimit të Qeverisë Nr.13/19 të datës 14/07.2021, Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5 trajnimi dhe punësimi në TI, si vijon:

1. Një milion euro ( 1,000,000 €) për subvencionimin e bursave për studentë ndahen në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në nënprogramin Administrata Qendrore, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere;

2. Një milion euro ( 1,000,000 €) për aftësimin e të rinjve në fushën e TI-së ndahen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në nënprogramin shërbimet e aftësimit profesional, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere.

Po ashtu, është miratuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës, në këtë përbërje:

1. Fetah I. Podvorica,

2. Mihone Kerolli Mustafa,

3. Ardian B. Gojani,

4. Myzafere Krasniqi-Limani,

5. Ardian Morina,

6. Zanfina Ademi,

7. Fisnik Kurshumliju,

8. Bajram Berisha,

9. Hysen Bytyqi,

10. Aliriza Arenliu,

11. Gazmend Qorraj,

12. Armend Tahirsylaj,

13. Sevdan Kervan,

14. Majlinda Bregasi,

15. Arbnora Dushi.

Miratimin e ka marrë edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës ratifikimin e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit, z. Kleman Miklaviç, me mandat pesë vjeçar.

Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komisionin Evropian për programin Horizone Europe për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje paraqet një hap me rëndësi për vendin tonë në rrugën e integrimit evropian.

Qeveria ka miratuar dy nisma, ajo për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin akademik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit Fulbright. Lidhja e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë më tej lidhjet midis pjesëmarrësve në procesin e zbatimit të programit të shkëmbimit akademik Fulbright në arsim, kulturë, shkencë dhe kërkime të bazuara në rrethana që konsiderohen reciprokisht të dobishme; si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për ndihmën e ndërsjellë në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.

Në fund të mbledhjes, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, u aprovua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 55 mijë e 700 euro për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të mbulohet pagesa e 34 inspektorëve sanitarë. Pra, përmes këtij vendimi mbulohet kostoja për angazhimin e përkohshëm të këtyre inspektorëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 36 të Qeverisë:

Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi e Rexhepi,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Siç dihet tashmë që nga data 20 shtator, ka filluar së zbatuari vendimi i qeverisë për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë e që hynë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Ministrinë e Punëve të Brendshme për punën e shkëlqyer këto dy ditë në administrimin e këtij vendimi si dhe policinë e Kosovës për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e qetësisë publike përkundër pengesave që kemi në veriun e Kosovës.

I falënderoj në veçanti të gjithë policët për profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre. Dëshiroj të theksoj se vendimi për targat e përkohshme është vendim i drejtë dhe garanton të drejtat për lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës përfshirë edhe qytetarët serbë gjithandej nëpër Kosovë përmes pajisjes me targa të përhershme të Republikës së Kosovës. Përgjigja pozitive e këtyre ditëve nga qytetarët tanë përfshirë edhe serbët lokalë tregon më së miri gatishmërinë e tyre për të respektuar vendimin dhe për të siguruar lëvizjen e lirë. Jemi njoftuar se pengesat në rrugët që shpiejnë në dy pikat kufitare janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike.

Ftoj kryetarët e komunave në veri të Ibrit që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu grupin e organizuar të qytetarëve serbë që të largohen nga dy rrugët regjionale meqë kështu ata kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre. Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Masat që i kemi ndërmarrë, vendimet që i kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjëri. Për incidente dhe për eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë. Nuk ka interes për destabilizim as Serbia. Duket që vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese por ky individ është presidenti i Serbisë.

Ne jemi për bisedime dhe për dialog. Ia kemi konfirmuar këtë gjë edhe Brukselit, si përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri që është dhe zëvendës president i Komisionit Evropian, zotëri Josep Borrell, gjithashtu edhe përfaqësuesit të tij për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zotëri Miroslav Lajçak. Pra që të dy këtyre ua kemi konfirmuar se ne jemi të hapur të gatshëm, të interesuar që të bisedojmë, se jemi praktikë e pragmatikë mirëpo pragmatizmi ynë natyrisht që kufizohet nga ligji dhe kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës. Edhe oferta jonë publike, besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze, e kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e me sa më pak vonesa. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet, siç po bën aktualisht, sepse qartazi ata kanë dhënë përgjigje negative për bisedimet me neve. Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që si gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë.

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të qeverisë,

Sot janë bërë 6 muaj prej se është votuar qeveria jonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të gjithë e mbani mend 22 marsin kur me 67 vota të deputetëve të Kuvendit të Republikës ne u bëmë qeveri e re.

Në mesin e shumë problemeve që ishin grumbulluar me dekada, më urgjentja ishte sigurisht menaxhimi i pandemisë. Të nesërmen kur morëm detyrën, me 23 mars, nuk gjetëm asnjë vaksinë, dhe, për më keq, asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre. Ndërkaq sot që flasim i kemi siguruar 2.2 milionë vaksina dhe janë administruar 1.2 milion sosh.

Bazuar në planin që kishim para ardhjes në qeveri për vaksinimin e 60% të grup-moshave që duhet vaksinuar me të dhënat që kemi sot ku gati 60% e këtyre grup-moshave tashmë kanë të paktën një dozë ndërkaq 35% kanë dy doza, jemi në rrugë të duhur për të realizuar atë plan para kohe e madje për ta tejkaluar atë.

Vaksinimin e filluam të fundit në rajon me një diferencë bukur të madhe kohore dhe refuzuam të marrim vaksina që nuk ishin të aprovuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse sot jemi të dytët në Ballkan duke lënë mbrapa 5 shtete.

Gjendjen e rënduar që e gjetëm me 23 mars nga versioni Alfa arritëm ta vejmë nën kontroll brenda 100 dite duke ulur në 99% rastet e reja dhe në 86% hospitalizimet dhe sollëm në zero numrin e vdekjeve. Kjo na lejoi që, në përputhje me situatën epidemiologjike të hapim ekonominë dhe t’i dalim në ndihmë qindra mijëra qytetarëve të cilët ishin prekur nga pandemia.

Në gusht, sikurse shumë vende tjera të botës, vendi ynë nuk u kursye nga varianti delta i virusit. Variant ky eksploziv me shpërndarje tri herë më të madhe se varianti paraprak. Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institucioneve shëndetësore ndaj këtij varianti me masat e marra tashmë e ka futur në kontroll duke bërë që brenda 6 javëve numri i rasteve të reja të bie nga 2541 raste në ditë sa ishte në pikun e kësaj vale në 173 raste që shënuam dje, si dhe numri i hospitalizimeve nga piku ka rënë për 71%.

Pra përgjigjja e institucioneve ka qenë e shpejtë dhe masat e marra kanë qenë të duhura e të drejta të cilat mandej edhe i kanë dhënë rezultatet e nevojshme.

E megjithatë gjatë këtyre javëve që lëmë pas, varianti Delta na mori shumë jetë njerëzish. Jetë të cilat kanë lënë zbrazëti në zemrat e më të dashurve të cilat nuk mbushen dot me fjalë të mira, me përqindje e me statistika. Në emër të qeverisë shpreh ngushëllime për secilën jetë të humbur duke shpresuar se më të keqën e kemi lënë mbrapa dhe duke shpresuar se kësaj pandemie do t’i vije e po i vije fundi. Fundin e së cilës do ta shohim më shpejtë nëse të gjithë vaksinohemi sa më shpejtë e sa më shumë.

Përtej pandemisë, në këta 6 muaj kemi marr gjithsej 260 vendime dhe shumë prej tyre do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

– Kemi mbështetur personelin shëndetësor, policinë, bizneset e mbyllura, pensionistët dhe familjet me asistencë sociale me 20 milionë euro.

– Kemi marrë vendim për mbështetjen e lehonave me nga 170 euro në muaj dhe shtesave për fëmijë për 20 euro në muaj.

– Nga prilli deri në fund të këtij vitit, të gjithë pensionistët marrin jo më pak se 100 euro, kurse përfituesit e skemave të asistencës sociale marrin shtesë në vlerë prej 30% mbi shumën e rregullt të asistencës sociale.

– Si rezultat i masave të punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, aplikimi për të cilat vazhdon deri me 15 tetor, vetëm nga 12 gushti deri me sot janë mbështetur mbi 2700 punëtorë, qytetarë të Republikës.

– Kemi marrë vendim që nga 1 tetori arsimi i lartë publik të jetë falas për të gjithë pa dallim. Lehtësime do të ketë edhe për studentët e doktoratës.

– Kemi ndarë 100 mijë euro mbështetje për studentë që do të vijojnë studimet në institucione elitare ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe kemi shpallur konksurin për 1000 bursa për vajzat të reja që do të studiojnë në drejtimet e shkencave të natyrës, inxhinierisë dhe teknologjisë. Shuma e përgjithshme për këto bursa është 1 milion euro.

– Në korrik, patëm marrë vendim për të përgjysmuar çmimin e paraqitjes së provimit për patentë shoferë, nga 20 euro në 10 për kategoritë “A” dhe “B”, dhe nga 30 euro në 15 në kategoritë “C” dhe “D”. Nga ky lehtësim vetëm në muajin gusht kanë përfituar mbi 8300 qytetarë që kanë paraqitur provimin për patent shoferë, e dhjetëra mijëra të tjerë deri në fund të vitit.

– Kemi larguar detyrimin për pagesën prej 100 euro për homologimin e automjeteve, duke kursyer miliona euro nga zhvatja që i bëhej qytetarëve.

– Sikurse në Qeverinë tonë në pranverën e vitit 2020 ashtu edhe në këtë të vitit 2021, kemi marrë përsipër mbulimin shpenzimeve të kartonit të gjelbër për mërgatën tonë.

– Investimet e huaja direkte në gjashtë (6) muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro dhe përbëjnë vlerën më të lartë të investimeve të kryera për gjashtë (6) muaj të një viti, që nga viti 2007.

– Kemi ndarë mbi 50 milionë euro për fermerët, çka shënon përkrahjen më të madhe ndonjëherë brenda një viti fiskal.

– Kemi vazhduar me ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe profesionale të Forcës së Sigurisë, dhe për herë të parë i kemi ndarë buxhet mbi 100 milionë euro Ministrisë së Mbrojtjes.

– Kemi shpallë thirrje për subvencionimin me mjete financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe start-up-et në vlerë prej 3.6 milionë euro, ndërsa kemi bërë të gjitha përgatitjet për të marrë pjesë për herë të parë në Ekspozitën Botërore “EXPO DUBAI 2020”.

– Kemi themeluar institucionin e Operës së Kosovës dhe Komisionin Shtetëror për Rini.

– Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje emergjente në objektet e rrezikuara të trashëgimisë kulturore.

– Ka filluar vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave të dëmtuara në kuadër të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz dhe përpilimi i propozimeve për ndërhyrje konsoliduese.

– Kemi ndarë 2.5 milionë euro për Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore, dhe 2.5 milionë euro për Rini dhe Sport, prej të cilave 4.2 milionë do të shpërndahen përmes thirrjeve publike.

– E në fushën e drejtësisë kemi finalizuar koncept-dokumentin për Vettingun në sistemin e drejtësisë dhe është bërë drafti i parë i Projektligjit për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

Këto janë vetëm disa nga veprimet të cilat kanë kthyer shtetin drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies sociale dhe progresit shoqëror.

E përtej këtyre, është kthyer edhe besimi në institucionet shtetërore. Tri institucionet e dalura nga zgjedhjet, Presidentja, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit gëzojnë besimin më të madh tek qytetarët.

Por, këta ishin vetëm 6 muaj. I kemi edhe 3 muaj deri në fund të vitit edhe 3 vite deri në fund të mandatit, e pastaj edhe mandate tjera. Kështu që vendime të mira e qeverisje e mirë do të ketë përditë.

Në fund, një njoftim me rëndësi. Një ndër prioritetet kryesore për të gjithë në dy muajt në vijim është përgatitja për aplikimin në fondet IPA 3, pra instrumentet e asistencës së para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç e dini, BE-ja përmes këtij instrumenti do të ofrojë miliarda në një periudhë 6 vjeçare. Mundësia për të përfituar varet nga aftësia jonë për t’u përgatitur dhe aplikuar me projekte konkrete e konkurruese. Këto mjete duhet të shfrytëzohen dhe të synohet maksimumi dhe unë kërkoj nga secili prej jush që të jap 100% të përkushtimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera