Lajme

50 të burgosur shqiptarë do të kthehen në atdhe, media britanike: Do ta vuajnë dënimin në Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 10:54 | 30 December 2022

Media britanike, Daily Mail, raporton se 50 kriminelë shqiptarë që aktualisht janë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në atdhe për të vuajtur dënimin e plotë si “një gjest vullneti të mirë për Vitin e Ri nga qeveria e Tiranës”.

Raportohet se këta të burgosur kanë dalë vullnetarë që të transferoheshin nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e një marrëveshjeje të re. 10 të dënuarit e parë pritet që të deportohen me një avion charter gjatë javëve të para të Janarit, zbulon Daily Mail.

“Është një “hap i parë” nga dy kombet drejt një rutine të lëvizjes së qindra të burgosurve shqiptarë, duke shpëtuar miliona Paund nga paratë e taksapaguasve britanikë dhe duke krijuar hapësirë në burgjet e tejmbushura”, shkruan Daily Mail.

-Advertisement-

Sipas medias britanike të gjithë të burgosur që do të dërgohen në atdhe do të kryejnë dënimin e plotë që është vendosur nga gjykatësit në Mbretërinë e Bashkuar. Deri më tani, deportimet nga Zyra për Punët e Brendshme drejt Tiranës përfshinin kriminelë, të cilët kishin mbaruar dënimin në Britani ose kishin kaluar kanalin e “La Manshit” në mënyrë ilegale.

“Një burim i qeverisë shqiptare tha dje se bisedime intensive mes ministrit britanik të drejtësisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një marrëveshje për transferimet e para në burgje”, shkruan Daily Mail.

“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi sipas Daily Mail.

Media britanike shkruan se shqiptarët përfaqësojnë 10% të të huajve që mbahen në burgjet e Anglisë dhe të Uellsit. Megjithëse grupi i parë i të dëbuarve kanë rënë dakord të kthehen, marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar thotë se të burgosurit mund të transferohen në të ardhmen edhe pa pëlqimin e tyre. Vendimet e gjykatës për ata që do të nisen në atdhe janë dërguar në Tiranë sepse marrëveshja thotë se Shqipëria duhet të marrë sigurinë se dënimi i tyre i përshtatet krimit përpara se të jepet drita jeshile për udhëtim.

Daily Mail shkruan se në të ardhmen sipas kësaj marrëveshjeje do të jenë të detyruar që të kthehen në Shqipëri disa shqiptarë që vuajnë dënime për vrasje apo për trafik droge. Si raste, Daily Mail merr Koçi Selamajn. 37-vjeçari vrau Sabina Nessa-n në Shtator të 2021-shit ndërkohë që ajo ecte në një park në Londër. Për këtë krim ai u dënua me 36 vite burg.

Një tjetër vrasës që vuan dënim në burgjet britanike është Ali Qazimaj, 48- vjeç. Ai vrau një 75-vjeçar të quajtur Peter Stuart, ndërsa gruaja e këtij të fundit nuk u gjet kurrë.

Për Daily Mail në burgjet britanike ndodhen edhe bosët e drogës si Valjet Pepaj, 32 vjeç i dënuar me 27 vite burg, Erald Mema, 37 vjeç i dënuar me 25 vite burg dhe Sami Qerkini, 57 vjeç i dënuar me 20 vite burg.

Në burgjet britanike sipas mediave vuajnë dënimet për krime të ndryshme 1,336 shqiptarë. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria arritën një marrëveshje fillestare për të larguar shkelësit shqiptarë të ligjit në Korrik 2021. Parlamenti shqiptar e ratifikoi marrëveshjen dy muaj më vonë, por sipas Daily Mail, burokracitë penguan efektivitetin e saj.

“Kjo marrëveshje e freskët ndërtohet mbi marrëveshjen e 2021-shit”, ka thënë një burim për Daily Mail. Ai shpjegoi se dëbimet nga burgu do të përcillen me shpejtësi falë një premtimi të ri nga Mbretëria e Bashkuar për të shkëmbyer të dhëna gjyqësore. Ministria e Drejtësisë së Tiranës do të marrë informacion mbi vendimet e dënimit të kriminelëve shqiptarë dhe detajet e veprave për të cilat ata u shpallën fajtorë.

“Ka përshpejtuar papritur procesin”, tha burimi i qeverisë shqiptare për Daily Mail.

Kujtojmë që më herët këtë muaj, kryeministrat Edi Rama dhe Rishi Sunak arritën një marrëveshje për të luftuar emigracionin e paligjshëm drejt Britanisë së Madhe./tvklan

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera