Lajme

26 vjet nga rënia e Zahir Pajazitit me shokë, liderët e vendit: Kosova u ndërtua mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 09:33 | 31 January 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe te përmendorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Presidentja Osmani theksoi se sot është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në këtë 26 vjetor të rënies së heronjve tanë i përkujtojmë si lajmëtarë të lirisë, për frymëzimin e jashtëzakonshëm që dhanë Zahiri me shokë për të gjithë ushtarët e UÇK për të gjithë ata që luftonin së bashku me Zahirin dhe atyre që iu bashkuan UÇK-së pas rënies së tyre.

-Advertisement-

Kjo ditë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së dhe Republikës së Kosovës, e cila u ndërtua mbi themelet e forta dhe ato mbesin të forta për shkak se u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha Osmani.

Osmani shtoi se puna jonë e përditshme në forcimin e shtetit që u ndërtua me gjakë do ta ketë udhërrëfyes pikërisht këtë sakrificë, këtë heroizëm të tyre.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, tha se Zahir Pajaziti me shokë ishin kushtrimi për luftë çlirimtare.

“Para 26 vejte komandanti Zahir Pajaziti së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë. Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare dhe pararendës së UÇK-së. Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, ne tregojmë sesa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, shtetin tonë e pavarësinë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha në ditë si kjo e sotmja është e rëndësishme të kujtohet sakrifica e të gjithë ushtarëve të UÇK-së.

“Është e rëndësishme që kjo sakrificë të jetë udhërrëfyes i ynë në punët e shumta që kemi për të bërë për të jetësuar idealet e tyre, një shtet të fortë e demokratik ashtu siç e dëshiruan Zahiri me shokët e tij dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri”, tha Gërvalla.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera