Lajme

ZPS kërkon të heqë nga aktakuza pretendimet për krime të kryera ndaj së paku një personi në Ferizaj

Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 14 September 2022

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndryshuar qëndrim rreth aktakuzës për pretendimet për krimet e kryera nga ish-krerët e UÇK-së, kundër së paku një personi më 1999, në një shtëpi në Ferizaj apo rreth këtij rajoni.

Kështu bëhet e ditur përmes një shkrese të bërë publike së fundit nga ZPS, në të cilën, kërkon leje ndaj gjykatësit, për të ndryshuar këtë aktakuzë të dorëzuar më 29 prill, përcjell klankosova.tv.

”Nga vetë natyra e tyre dhe në këtë fazë të procedimit, ndryshimet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarit dhe duhet të aprovohen. Duke vënë në dukje afatin e 30 shtatorit 2022 për ngritjen e një aktakuze të ndryshuar, ZPS-ja kërkon, në interes të efikasitetit, një orar të përshpejtuar të informimit për të mundësuar ngritjen e një aktakuze të ndryshuar që përfshin gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese”, thuhet në këtë shkresë.

-Advertisement-

Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi në fundin e prillit të këtij viti një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

DOKUMENT

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar ‘arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar’, ‘trajtimin mizor ose çnjerëzor’, ‘torturën dhe vrasjen’. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar ‘burgimin’, ‘vepra të tjera çnjerëzore’, ‘torturën’, ‘vrasjen dhe persekutimin’.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera