Fokus

“Vrạsjen e kreu në tronditje të fortë mendore” – Andi Pajaziti del sot para gjykatës për vrạsjen në Bon Vivant

Autori: Sylejman Sylejmani 11:52 | 18 July 2024

Një mbrëmje e zakonshme verore e 4 gushtit 2023, në lokalin e njohur “Bon Vivant”, në rrugën Rexhep Luci në Prishtinë, u kthye në një skenë tragjike që tronditi gjithë Kosovën.

Në qendër të kësaj historie qëndrojnë tre protagonistë, Andi Pajaziti, tash në paraburgim, Dukagjin Lekaj që ndodhet në arrati dhe Kastriot Ramadani, i cili mbeti i vrarë.

 

-Advertisement-

 

Gazeta Infokus ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për këtë rast, gjykimi për të cilin do të nis të enjten.

Autori i kësaj vrasje sipas Prokurorisë është Andi Pajaziti.

 

 

Veprën e rëndë, ai akuzohet se e kreu në gjendje të tronditjes së fortë mendore, pasi fillimisht u sulmua nga tani i ndjeri, si dhe nga Dukagjin Lekaj, i cili prej ditës kritike është bërë i pakapshëm për organet e rendit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, përshkruhet kronologjikisht e gjithë rrjedha e ngjarjes.

Në deklaratën e tij, i akuzuari Andi Pajaziti, ka treguar se ditën kritike e ka pasur me vete një armë.

Deklarata e Andi Pajazitit e përshkruar nga Prokuroria

“Me vete e kam pas një armë të tipit “Smith”, të cilën e kam pas moti, e kam blerë nga një person që nuk e njoh. Arma nuk e di se ku mbeti pastaj, ka mundësi më ka ra në lokal ose në rrugë deri jemi shku në spital”

 

 

Kamera e cila e ka kapur më së miri gjithë ngjarjen, është kamera e brendshme e lokalit “Bon Vivant”.

Në të, sipas dojses së Prokurorisë, shihet i pandehuri Dukagjin Lekaj dhe i ndjeri teksa komunikojnë në mes vete nga afër. Përballë tyre kalon i pandehuri Andi Pajaziti dhe G.Z.

Në këtë moment, sipas Prokurorisë, i pandehuri Dukagjin Lekaj e merr çantën e dorës afër vetes dhe e vendosë dorën e djathtë në çantë, ku e kishte armën. Përgjatë gjithë kohës shikon nga i pandehuri Andi Pajaziti.

“Poashtu i ndjeri Kastriot Ramadani e vendos dorën e djathtë në brez ku e kishte armën, që të dytë shikojnë në drejtim të të pandehurit Andi Pajaziti. I pandehuri Dukagjin Lekaj ia bënë me dorë të pandehurit Andi Pajaziti, duke e ftuar në tavolinën e tyre”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Andi Pajaziti ka thënë se fillimisht zhvilluan një bisedë normale me Dukagjin Lekajn.

Por, situata sipas Andi Pajazitit ndryshoi shpejtë.

“E kam vërejtur se diçka nuk është në rregull me ta dhe me heshtjen e tij. E ka shikuar disa sekonda, e fërkojke gjoksin e vet dhe ju ka afru tek veshi dhe i ka thënë “Pse po bahesh mangup”. U shtanga pasi që nuk e ka prit një fjalë të tillë dhe e ka pyet se çka po thu se nuk të dëgjova çka the, ai ju ka përgjigj “ti më dëgjove shumë mirë, po pse po bahesh mangup”, edhe ka fillu me e nxjerrë armën prej mes kambëve dhe ia ka drejtuar”, ka deklaruar Andi Pajaziti në Prokurori.

Duke u bazuar në atë që shihet në kamerën e brendshme të lokalit, Prokuroria ka konstatuar se viktima e këtij rasti, Kastriot Ramadani, shihet duke e nxjerrur armën nga brezi.

“Të njëjtën e repetit (e bënë të gatshme duke e vendosur fishekun në tytë, dhe niset në drejtim të Andi Pajazitit, në ora 23:16:10 momenti kur i pandehuri Dukagjin Lekaj e fton të pandehurin Andi Pajaziti, i cili shkon tek tavolina ku ishin i pandehuri Dukagjin me të ndjerin”, theksohet ne aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Pasi i pandehuri Dukagjin Lekaj ia shtyn dorën të pandehurit Andi Pajaziti, tani i ndjeri Kastriot Ramadani, i cili ishte mbrapa H.G, e godet me dorën e djathtë me një shishe në kokë dy herë të pandehurin Andi Pajaziti, i cili e ul kokën duke u mbrojtur me dorën e majtë, ndërsa H.G vazhdimisht ia mban dorën të pandehurit Dukagjin Lekaj. Pas goditjeve që i pëson i pandehuri Andi Pajaziti, nga tani i ndjeri, shihet i gjakosur. I pandehuri Andi Pajaziti e nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, po ashtu armën e nxjerrë nga çanta edhe i pandehuri Dukagjin Lekaj, ndërsa H.G hynë ndërmjet dhe mundohet t’i ndaj, po ashtu edhe G.Z mundohet ta ndal tani të ndjerin. I pandehuri Andi Pajaziti me armë zjarri shtin në drejtim të ndjerit Kastriot Ramadani, ndërsa H.G ia mban dorën e djathtë të pandehurit Dukagjin Likaj, i cili e ka armën e drejtuar në drejtim të pandehurit Andi Pajaziti duke u munduar që t’ia largoj, ndërsa G. Z mundohet ta ndal tani të ndjerin Kastriot Ramadani”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, theksohet se pasi i pandehuri Andi Pajaziti, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerit, Kastriot Ramadani, edhe Ramadani ka shtënë në drejtim të Andi Pajazitit.

Sipas pozitës së gjuajtjes nga Kastriot Ramadani, fillimisht është plagosur H.G në kofshën e këmbës së majtë, ndërsa predha e ka goditur edhe N.N.

“Nga afërsia vërehet se gjuan i pandehuri Dukagjin Lekaj në drejtim të të pandehurit Andi Pajaziti, i cili plagoset në dorën e majtë tek pjesa e nyjës së mesit të dorës. Ky version përputhet në bazë të pozitës së personave të përfshirë pozitës së gjuajtjes me armë zjarri dhe raporteve mjekësore”, thuhet tutje në aktakuzë.

Në këtë moment dramatik, Prokuroria tregon se Kastriot Ramadani bie në dysheme, i pandehuri Dukagjin Lekaj mbetet i ulur në ulëse me revole në dorë, ndërsa i pandehuri Andi Pajaziti largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pas pak minutash, Prokuroria tregon se Dukagjin Lekaj u vu në ndjekje të Andi Pajazitit, mirëpo pasi nuk arriti ta gjej, u rikthye në lokal, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Gjykimi për këtë rast do të nis të enjten e 18 korrikut. Andi Pajaziti do të gjykohet për dy vepra penale, “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimi maksimal për këto dy vepra penale së bashku është 15 vite burgim. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera