Lajme

Von Cramon: Pas prillit shpresojmë të ketë lëvizje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 23:59 | 03 March 2022

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se pas muajit prill mund të shihet nëse do të merret ndonjë vendim sa i përket zhbllokimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në një intervistë për KTV-në, ajo ka thënë se ndonëse është një proces i vonuar pasi siç shprehet ajo, Kosova ka kaluar nëpër të gjitha reformat, ka lëvizje nga Qeveria holandeze.

Qëndrimin e Holandës dhe Francës sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Von Cramon e ka lidhur me azilkërkuesit nga Shqipëria.

-Advertisement-

“Nuk e kam idenë sesi po zhvillohet debati i brendshëm në fushatën zgjedhore franceze. Franca e përdor aspektin e Kosovës përherë bashkë me azilkërkuesit shqiptarë, andaj ata gjithmonë e përdorin këtë për debatin e brendshëm. Mendoj se nga debati gjeostrategjik duhet të jetë e qartë se Kosova i përket Bashkimit Evropian, se Kosova më shumë se cilido vend tjetër e meriton liberalizimin e vizave, ka kaluar nëpër të gjitha reformat. Dua të them, ne që të dy e dimë se zgjedhjet janë afër, mendoj se më 3 prill apo më 19 prill, se pastaj është raundi i dytë dhe me shpresë, pas kësaj, do të mund të shihnim çfarëdo lloj vendimi që ka të bëjë me zhbllokimin e liberalizimit të vizave.

Është e vonuar dhe e di se qeveria holandeze ka lëvizur, porse natyrisht ata kanë parë rritje të numrit të refugjatëve, veçanërisht të azilkërkuesve nga Shqipëria, dhe nuk duan që ta shohin këtë sërish. Andaj, Qeveria në Kosovë duhet që t’i kryej detyrat e saja të shtëpisë dhe duhet të tregojë përsëri, e di i ka përmbushur të gjitha kërkesat teknike, por në aspektin që të sigurojë se janë vendosur të gjithë mekanizmat që mos të ketë njerëz që mund të kërkojnë azil, se nuk do ta braktisin vendin e kështu me radhë”, ka thënë ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera