Lajme

“Varret janë akoma hapur, sa turp për ty Shqipëri” – gazetarja shqiptare reagon për ftesën për Bregoviqin

Autori: Gazeta inFokus 18:05 | 04 August 2021

Gazetarja nga Shqipëria, Fatma Haxhialiu, ka reaguar pas lajmeve se në Festën e Birrës që do të mbahet në Korçë, ku pritet të këndojë këngëtari nga Serbia, Goran Bregoviq

Haxhialiu ka shkruar në Facebook se artistët matin çdo fjalë, sepse njerëzit nuk falin dhe së është publiku që e mban gjallë një artist.

“Sot, ne bote cancel culture, ku fansat anullojne koncerte dhe kompani gjigande prishin kontratat e imazhit me personazhe te medhenj, kur keta te fundit prekin qofte dhe me batute nje komunitet te caktuar, eshte gjeja me normale! Sot me shume se kurre vleresohet me shume “te qenit njeri” perpara te qenit artist! Sot, artistet masin mire cdo fjale, sepse njerezit nuk falin!!! Njerezit ashtu sic e ngrejne, ashtu dhe mund ta fundosin nje artist, sepse artisti nuk jeton dot pa publik, merr fund!!!”, ka shkruar ajo.

-Advertisement-

Haxhialiu ka përmendur edhe rastet e fundit kur në Shqipëri u dëgjuan këngët e këngëtares serbe Ceca, derisa për Bregoviqin ka shkruar se ftohet për të trazuar ujërat ‘Kallashnikovi i preferuar i shkjaut’.

“Nderkohe … ne Shqiperi luhet Ceca e Arkanit dhe ftohet per te trazuar ujerat Kallashnikovi i preferuar i shkjaut!!! Ka do zera qe flasin per art e se arti nuk ngaterrohet me politike, artin degjojani ne arena te tjera sa t’ju doje qejfi, po boll provokuat debate te liga qe ende lendojne plaget si dje! Sa kohe nje artist nuk distancon artin e vet nga politika, atehere dhe arti i tij eshte po aq i felliqte!!!!”, ka shkruar gazetarja nga Shqipëria.

Tutje, Haxhialiu thotë se varret në Kosovë janë ende të hapura dhe se nënat e bijve të zhdukur gjatë luftës janë ende gjallë.

“Varret jane akoma hapur, nenat e bijve te zhdukur pa varre jane ende gjalle, viktimat e perdhunimit, jetimet, te gjymtuarit po ashtu… sa turp per ty Shqiperi! E per t’ju kthyer kultures cancel, une i kisha lut vellezerit e motrat e Kosoves te anullonin cdo pushim e cdo shpenzim ne nje vend, qe jo vetem nuk i respekton, por i ngul thiken ne plage ne menyren me te neveritshme!!!”, ka shkruar Haxhialiu.

Ndryshe, Gazeta Express sot ka kontaktuar Bashkinë e Korçës e cila është organizatore e Festës së Birrës.

Nga Bashkia kanë deklaruar se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.

“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Express Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.

Megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviç pritet të jetë në Korçë, Katundi tha se nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.

“Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.

Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave,

“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.

Ndryshe, lajmi se Bregoviç pritet të performojë në Korçë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, për shkak të qëndrimeve të tij anti-shqiptare dhe këngëve të tij që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./GazetaExpress/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera