Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të enjte janë shtyrë 150 seanca gjyqësore, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Në këtë shifër nuk janë përfshirë seancat gjyqësore që janë shtyrë në katër degët e kësaj gjykate; në Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Mirlinda Gashi – zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

-Advertisement-

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022,  është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish.

Vendimi është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, shoqëria civile e opozita.

Ndërsa, gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor.

Lista esenciale e shërbimeve të vendosura nga KGJK-ja përfshinë:

Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullimet mendore

Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme

Ekzekutimi i vendimeve penale

Çështjet e dhunës në familje

Çështjet e sigurimit të kërkesë-padisë

Përmbarimi i vendimeve për raste e dorëzimit të fëmijës, realizimit të kontaktit dhe alimentacionit si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës.

Procedura për dërgimin e personave në rehabilitim dhe të gjitha shërbimet administrative. /Telegrafi