Sport

U përmbyll Kampi Edukativ U15 “Elita 2018”

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 25 July 2018

Është përmbyllur me sukses Kampi Jubilar Edukativ Kombëtar “Elita 2018”, që gjatë pesë ditëve u zhvillua në Durrës, shkruan GazetaFokus.

Edhe në edicionin e dhjetë në këtë kamp u shfaqën talente të shumta nën moshën 15 vjeçe, të cilët me një punë të vazhdueshme dhe profesionale do të mund të arrijnë shumë në futboll. Në ditën e fundit të këtij kampi u zhvilluan dy ndeshje.

Ekipi LRF Prishtina 1 dëshmoi lojëra më cilësore se sa ekipet e tjera në Grupin B, jo vetëm për shkak të rezultateve të arritura, pasi qëllimi i këtij kampi nuk janë rezultatet, por për nga mënyra e lojës kolektive, ku spikatën disa lojtarë tejet të talentuar.

-Advertisement-

Ekipi LRF Prishtina 1 fitoren e tretë në këtë kamp e realizoi kundër LRF Gjakova, me rezultat 7:0, me nga dy gola të shënuar nga Ardi Tershani dhe Arlind Beshiri, derisa nga një gol e realizuan Art Zeka, Riad Jashari e Altin Bytyqi.

Në ndeshjen tjetër, LRF Prizreni dhe LRF Mitrovica luajtën baras 1:1, pas një ndeshje të barabartë që po ashtu u shfaq lojë e bukur me sy me aksione të rrjedhshme. Për prizrenasit shënoi Riton Bytyqi, derisa për mitrovicasit Adnit Shahini. Ndeshjet e Grupit B nga afër i ndoqi edhe anëtari i KE të FFK-së, Luan Vokshi.

Talentet që janë dalluar në këtë kamp do të grumbullohen më vonë nga trajnerët e Kombëtares U-15, Gazmend Haliti e Isa Sadriu, të cilët më pas do të seleksionojnë më të mirët për t’i pasur në dispozicion për sfidat ndërkombëtare.

Deklaruan
Gazmend Haliti, përzgjedhës i Kombëtares U15
Ky është një kamp shumë i rëndësishëm, pasi këtu e shohim edhe punën që bëhet në klube dhe shkolla të futbollit. Edhe në këtë edicion kemi pasur rastin të shohim shumë talente, por që u nevojitet një punë shumë më e madhe. Kjo është një moshë e ndjeshme, ku mund të ketë ndryshime dhe përmirësime në çdo kohë. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim nga afër gjatë tërë vitit, që ta kemi një pasqyrë sa më reale për ta. Sidoqoftë, shpresojmë që edhe klubet të organizohen shumë më mirë dhe t’i kushtojnë rëndësi më të madhe grupmoshave të reja, në mënyrë që këta talentë të punojnë në mënyrë sa më profesionale.

Rexhep Gaxholli, trajner i LRF Prizreni
Kampi është shumë i qëlluar. Sa i përket katër ekipeve të Grupit B, të cilat kam pasur rastin t’i shoh ekipi i LRF Prishtinës është treguar më kualitativ, por edhe tek ekipet tjera ka pasur cilësi. Gjithsesi, duhet më shumë punë në klube, pasi aty është baza dhe ato duhet t’u krijojnë kushte më të mira për punë këtyre njomakëve, të cilët vërtetë shihet që kanë cilësi.

 

Artan Bytyqi, trajner i LRF Prishtina
Jam pjesë e këtij kampi që dhjetë vjetë. Në përgjithësi ekipet kanë qenë në nivel dhe janë treguar lojëra cilësore. Edhe në këtë edicion janë shfaqur futbollistë të së ardhmes, futbollistë që kanë talent, por që duhet punuar shumë, pasi janë në një moshë shumë të ndjeshme dhe duhet punuar në mënyrë profesionale me ta, në mënyrë që të mos mungojë suksesi. Ne si trajner i jemi mirënjohës ish-presidentit Fadil Vokrri që e ka mbështetur vazhdimisht këtë kamp dhe ka mundësuar që nëpërmjet tij të zbulohen talentet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera