Zgjedhjet 2021

Tusk: Hoti dhe LDK-ja kanë përvojë dhe aftësi qeverisëse pa populizëm

Autori: Gazeta inFokus 18:22 | 12 February 2021

Kryetari i Partive Popullore Evropiane (PPE), Donald Tusk, nëpërmes një fjalimi në distancë nga Brukseli, i ka dhënë të premten përkrahje të plotë kandidatit të LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti, për të cilin tha se ka përvojën më të mirë dhe aftësinë qeverisëse për të drejtuar Kosovën në këto kohë të vështira, pa populizëm.

“Sfidat politike sot, sikur 10 apo 15 vjet më parë, janë po aq serioze e të vështira. LDK-ja ka aftësitë e nevojshme qeverisëse dhe përvojën e udhëheqjes, të cilat janë të nevojshme sidomos tani në vendin tuaj. Kjo është arsyeja pse unë mbështes plotësisht Kryeministrin Avdullah Hoti dhe ekipin e tij të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. Unë i besoj përvojës së Kryeministrit dhe luftës së tij për reforma të suksesshme ekonomike. Ai di më së miri se si ta avancojë Kosovën në rrugën Euro-Atlantike, pa përdorur populizmin” tha Tusk.

Ai tha se është shumë i sigurt që LDK-ja do të bëjë të pamundurën për ta nxjerrë vendin nga kriza pandemike dhe shëndetësore dhe se do të luftojë për rimëkëmbjen aq të nevojshme ekonomike, për interesin më të mirë të bizneseve, për investime të reja, për gratë, dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, për rininë tuaj.

-Advertisement-

“Kur shikoj kandidatët shumë të fortë dhe me përvojë në ekipin e LDK-së, nuk kam dyshim se ju mund ta jetësoni këtë, dhe më e rëndësishmja, të fitoni zgjedhjet, të cilat duhet të jenë plotësisht të lira dhe të drejta. Në këto kohë të trazuara, vetëm një ekip me përvojë do të ketë sukses në avancimin e Kosovës, duke sjellë rritjen dhe prosperitetin e saj, duke luftuar për pavarësinë e gjyqësorit, shtypin e lirë dhe kundër korrupsionit, duke forcuar sundimin e ligjit dhe pranimin e institucioneve të shtetit, si dhe ndarjen e pushteteve në mënyrë transparente”, tha Presidenti i PPE-së, grupimit më të madh politik në Bashkimin Evropian.

Tusk i ka ftuar kosovarët që të aktivizohen fuqishëm në mbështetje të Avdullah Hotit, si kandidati më i mirë për pozitën e Kryeministrit dhe t’i siguroni atij dhe ekipit të tij një mandat të qartë, të dielën më14 Shkurt.

“Më lejoni të përfundoj duke iu referuar përsëri ‘shpirtit të Rugovës’, i cili ishte një avokat i shkëlqyer për (dhe këtu e citoj atë) ‘një Kosovë demokratike, me një shoqëri politike tolerante dhe me një ekonomi të fortë, të integruar në BE’. Avdullah Hoti tashmë ka dëshmuar se vepron në këtë frymë, se ai është një urë-ndërtues dhe që mund të hap dyer të rëndësishme për të ardhmen e suksesshme të Kosovës”, tha Tusk, i cili më parë ka qenë edhe president i Këshillit Evropian.

“Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë të tij, dhe LDK-ja mund të mbështetet tek unë dhe tek familja jonë, PPE. ‘Shteti. Shtet’. Ju uroj suksese!”, tha në fund Presidenti Tusk.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera