Të rinjtë në Kosovë po blejnë thika edhe përmes Instragramit, si bëri pazar 12 vjeçari nga Skenderaj për armën e ftohtë
Autori: Gazeta inFokus 17:55 | 25 June 2022
Besim Hyseni nuk dëshiron të flasë shumë për humbjen e djalit, por thotë se tragjedi si ajo e tij duhet të parandalohen.
Rijad Hyseni, 14 vjeç, humbi jetën në mars të këtij viti, pasi u ther me thikë në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, raporton REL.
Sulmuesi i dyshuar është po ashtu i mitur dhe rasti kundër tij është duke u zhvilluar.
Hyseni thotë se Rijadi ka qenë i qetë dhe se nuk ka pasur kurrë probleme me askënd. I rrënuar nga dhimbja, ai thotë se ka vetëm një thirrje – që prindërit të jenë më të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre.
“Të rrinë më shumë me ta, të flasin më shumë me ta… Le të flasin çdo ditë për atë që kanë bërë në shkollë, me kë kanë biseduar, a kanë pasur ndonjë problem, ku kanë qëndruar pas orarit të mësimit etj”, thotë ai.
Deri te thika përmes Instagram-it
Në Kosovë, blerja e një thike sulmuese mund të bëhet edhe përmes rrjeteve sociale. Ka faqe publike në Instagram me fotografi të produkteve që i ofrojnë dhe me çmimet e poshtëshënuara.
Edhe pse, sipas shënimeve, ato u ofrohen personave mbi 18 vjeç, nuk është e qartë se si vërtetohet mosha e të interesuarit apo e blerësit eventual.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa administratorë të këtyre faqeve, të cilët kanë thënë se të interesuarit i pyesin për moshën, por nuk kanë treguar nëse e konfirmojnë atë dhe si.
Lëshime në këtë drejtim duket se ka – së paku në disa raste.
Mediumi ka biseduar me një qytetar nga komuna e Skënderajt, i cili ka treguar se vëllai i tij, 12 vjeç, ka blerë thikë përmes një faqeje në Instagram.
Ledioni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë – e ka porositur thikën online dhe të njëjtën e ka pranuar pas tri ditësh.
“E kam parë rastësisht me thikë dhe e kam pyetur: ku e ke marrë? Ai ka refuzuar fillimisht të tregojë, por më vonë më ka treguar për të gjitha detajet”, ka thënë vëllai i tij, 24-vjeçar.
Sipas tij, Ledioni “ka bërë edhe pazar” me shitësin, ndërsa për moshën “nuk e ka pyetur askush”.
“Vetë vëllai e ka pranuar thikën, kur i ka ardhur me postë. As personat që ia kanë dorëzuar porosinë nuk e kanë pyetur për moshën”, ka thënë vëllai i Ledionit, por nuk është e qartë nëse dorëzuesit e paketës e kanë ditur se çfarë përmban ajo.
Sipas vëllait, Ledioni ka thënë se ka dashur të ketë thikë, “ashtu sikurse edhe shokët e tij”.
Në shkollat e Kosovës dhe ambientet përreth, përveç rastit fatal të Rijad Hysenit, ka pasur këtë vit edhe qindra incidente të tjera, që kanë përfshirë përdorimin e thikave.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës për periudhën janar-maj, numri i incidenteve të raportuara në shkolla dhe përreth është 288.
“Nga rastet më të shpeshta të raportuara bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore, dëmtime prone, vjedhje e të tjera”, bëjnë të ditur nga Policia e Kosovës.
Ata nuk japin detaje nëse dhe si mund të kontrollohet shitja e thikave në internet.
Të premten e 24 qershorit, Policia e Kosovës ka njoftuar mediat se ka kryer një aksion në shkollat në Ferizaj, ku, mes tjerash, ka konfiskuar 40 thika – kryesisht te nxënës të shkollave të mesme.
Këshilli i Prindërve: Policia duhet të jetë afër shkollave
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, thotë se përdorimi i thikave në shkolla përbën shqetësim të madh, njëjtë sikurse përdorimi i substancave narkotike.
“Kemi shumë raste kur kontrollohen nxënësit në shkolla dhe te ta gjendet ar, thika… Ka pasur raste edhe pistoletë”, thotë ai.
Për të pasur një siguri më të madhe në shkolla, ai thotë se polica duhet të vendoset në një perimetër të caktuar pranë tyre.
“Shqetësimet më të mëdha të prindërve për fëmijët e tyre janë gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit për në shtëpi, si dhe në rrethinat afër shkollave”, thotë Demi.
MASHTI: Në shkolla ekziston protokolli për siguri
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë pranojnë se çështja e përdorimit të thikave në shkolla është shqetësuese, por nuk thonë nëse kanë ndonjë plan konkret për adresimin e problematikës në fjalë.
Sipas zyrtarëve të MASHTI-t, në shkolla ekziston protokolli për siguri, që sanksionon dhunën në institucionet arsimore.
“Për më tepër – për këtë çështje – instancat e ministrisë kanë kërkuar posaçërisht nga prindërit, por edhe psikologët e shkollave, që të merren më tepër me fëmijët dhe të jenë më të qasshëm në veprimtarinë e tyre, në daljet e tyre në rrugë ose kudo ku shkojnë ata”, thotë zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla.
Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve, thonë se përgjegjësia për fenomenin e thikave në shkolla duhet ndarë midis prindërve dhe institucioneve arsimore.
“Ata që furnizojnë me thika, janë të fundit në zinxhirin e fajësimit”, thotë Florina Duli, drejtoreshë e organizatës “Terre des hommes Kosovo”.
“Pse oborret e shkollave janë gjithmonë të hapura dhe askush nuk mban përgjegjësi për krimet që ndodhin në ato oborre?”, pyet ajo.
Sipas saj, ka “shumë fenomene që ndodhin para syve të policisë”, por nuk specifikon cilat.
Duli thotë se kontrolli i prindërve, po ashtu, duhet të jetë më i madh, pasi, sipas saj, ka fëmijë që shkojnë në shkollë me shuma të mëdha parash.
“Ka fëmijë me 500 euro në xhep… Dhe tani ky veprim – të qenët i fuqishëm – e bën pak edhe bulist. Kjo gjë e pandëshkuar ka bërë pastaj që pjesa tjetër të marrin thika, për të luajtur po ashtu rolin e një bullisti apo për të mbrojtur veten… për të treguar se edhe unë jam i armatosur dhe nuk mund të më kërcënoni”, thotë Duli.
Policia e Kosovës ka njoftuar edhe muajin e kaluar për një aksion në disa shkolla të Vushtrrisë, ku ka thënë se “ka sekuestruar shtatë thika, një boks hekuri, një pistoletë plastike dhe gjësende të tjera”.
Gjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka evidentuar gjithsej 413 incidente në shkolla, përfshirë edhe therje me thika.
Të tjera
-
Përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, Kastrati: Kemi kaluar shifrën prej 1.5 milion
Sot në Kosovë përfundoi regjistrimi i popullsisë edhe për komunat të cilat ki...
-
Plag*osja e trefishtë në Pejë/ Gjykata merr vendim për dy të dyshuarit
Gjykata Themelore e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pe...
-
Serbia amniston krimi*nelët e luf*tës në Kosovë
Në Serbi, krimet e kryera në Kosovë vazhdojnë të mbulohen, por edhe ligjë...
-
Mbyllja e Bankës së Kursimeve në veri, Ulutash-Kurtit: Të shmangen veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensione
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka takuar kryeministrin e ...
-
Gërvalla për zgjedhjet: Më mirë të mbahen në ditë të gjata sesa të shkurtra të dimrit – por duhet konsensus opozitar
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka ...
-
Haradinaj: Qeverisja e Aleancës e ka ndryshuar Gjakovën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se q...
-
Regjistrimi i popullsisë përfundoi, çka do të ndodhë me personat që s’janë regjistruar?
Duke qenë se të premten ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë në...
-
Vjosa Osmani intervistohet nga mbesa e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë një video nga vizita që pati gja...
-
Situata e sigurisë në Kosovë, Kurti e Sveçla takohen me komandantin e KFOR-it
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e P...
-
Kërçeli: Aq shumë është degraduar sa lagja Kalabria ka marrë emrin e ri “Durrësi”
Shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli ka reaguar pas debatit të ...
-
Kryediplomatja: Nuk e zbatojmë Asociacionin e propozuar nga BE-ja nëse Serbia nuk zbaton detyrimet e veta
Ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se qeveria e Kosovës ...
-
Xhirohet teksa bën tejkalim në vijë të plotë, gjobitet 200 euro
Policia në Pejë sot ka pranuar njё video incizim nga njё qytetar, ku shihet s...