Fokus

Të përbashkëtat e Faton Hajrizit dhe Enver Sekiraqës, njerëzit më të rrezikshëm të Kosovës në arrati

Autori: Sylejman Sylejmani 21:33 | 17 July 2024

Dy persona të konsideruar “me rrezikshmëri të lartë”, tash e një kohë janë në arrati.

Madje, janë dy figurat më të popullarizuara në Kosovë për të bëmat e tyre dhe ballafaqimin e gjatë me drejtësinë.

Enver Sekiraqa, i akuzuar për pjesëmarrje në rrjete kriminale e banda të kryeqytetit, si dhe Faton Hajrizi, i cili përkundër që prej 20 vitesh endet nëpër burgjet e Kosovës, vazhdon të jetë një prej njerëzve më problematik për organet e rendit.

-Advertisement-

 

 

Të dy këto figura në opinionin publik kanë dy anët e medaljes. Një pjesë e qytetarëve i vlerëson, kurse pjesa tjetër, përfshirë drejtësinë, i ndjek nën akuzat për një sërë veprash penale, përfshirë vrasjet.

Që të dy kanë gjithashtu lidhje me politikën.

Enver Sekiraqa publikisht në një intervistë për kallxo.com, e kishte konfirmuar se dikur ka qenë një financues i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Më kanë përcjellë disa probleme, pa dashjen time, si atentate e montazha. Me siguri mendojnë se po të dominojnë tek ne, me të tjerët e kanë më lehtë. Unë nuk i kam lypë problemet, unë kam dalë e kam kërkuar vota për LDK-në edhe i kam ndihmuar LDK-së të fitojë se kam menduar se është më e mira”, kishte deklaruar nw kwtw intervistw tw rrallw Enver Sekiraqa.

Sekiraqa konkretisht në disa raste e kishte përmendur emrin e Ismet Beqirit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë kryetar i degës së LDK-së në “Kodrën e Trimave”, lagje ku jeton edhe Sekiraqa.

Sikurse ai, edhe Faton Hajrizi ka një lidhje të fortë me politikën. Në disa paraqitje publike, ai ka përmendur emrin e ish-kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, si dhe emrat e disa prej ish-komandantëve të UÇK-së, të cilët pas luftës ishin figurat kryesore të politikës.

Madje, Hajrizi tregonte se si kur e kishte vrarë ushtarin rus në Skënderaj, UNMIK-u kishte menduar se veprimin e ka bërë me urdhër të Sami Lushtakut.

Por, t’u shkojmë të dyja profileve me radhë.

Enver Sekiraqa është një prej figurave më të përfolura në Kosovën e pasluftës.

Para kësaj periudhe, më saktësisht gjatë luftës, Enver Sekiraqa ishte arrestuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Llap.

Komandanti i kësaj Zone, Rrustem Mustafa – Remi, kishte treguar që Sekiraqa u arrestua nën dyshimet për lidhje me regjimin serb.

“Remi” e kishte përshkruar Sekiraqën si person problematik, duke konfirmuar ndalimin e tij, por duke theksuar se më pas ai ishte liruar.

I rritur në lagjen “Kodra e Trimave”, Sekiraqa famën dhe rritjen e tij në biznes dhe krim, do ta mbërrinte menjëherë në vitet e para pasi Kosova doli nga lufta.

Këto xhirime janë të realizuara në lokalin “Sekiraqa” na lagjen Dardania.

I njohuri si “gangsteri i Prishtinës”, po festonte një arritje të re në biznes, hapjen e lokalit të tij.

Hapja po bëhej për ditëlindjen e Enver Sekiraqës. Për ta nderuar atë, pjesëmarrës në aheng ishin disa prej figurave më të famshme të estradës.

“Gangsteri i Prishtinës”, njihet edhe për lidhjet e dashurisë me disa prej tyre.

Një prej yjeve të estradës, Adelina Ismaili, do të bëhej një prej figurave kryesore në gjykimin e tij për vrasjen e policit Triumf Riza.

Lidhja e Adelina Ismailit me policin e njësisë Speciale, Triumf Riza, thuhet se e zemëroi Enver Sekiraqën.

Ky fakt, mirëpo edhe disa konflikte nga e kaluara, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e nxitën Sekiraqën që ta porosis vrasjen e Triumf Rizës.

Përfshirjen e këngëtares Adelina Ismaili, Prokuroria e përshkruan se ndodhi që nga viti 2003. Ajo, sipas Prokurorisë ishte duke vuajtur nga Enver Sekiraqa dhe nga banda e tij. Në aktakuzë htuhet se në shumë raste, Sekiraqa e ka detyruar Ismaili që t’i jap shuma të ndryshme të parave, të cilat varionin deri në 9 mijë euro.

Në vitin 2004, sipas Prokurorisë Triumfi e kishte marrë në mbrojtje këngëtaren duke i thënë që të mos i jepte më para Enverit dhe që ta raportonte secilin rast në Polici.

Për këtë shkak, mirëpo edhe për shkak të disa konflikteve në vitet e para të pasluftës, sipas aktakuzës, Enver Sekiraqa porositi vrasjen e Triumf Rizës.

Për këtë punë, në aktakuzë theksohet se ai angazhoi Arben Berishën, i cili tashmë e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 35 vite burgim si ekzekutor.

Më 2 maj të vitit 2024, Enver Sekiraqa u dënua për herë të tretë për vrajsen e Triumf Rizës.

Kësaj radhe, ai u dënua me 25 vite burgim.

Megjithatë, përkundër këtij dënimi kapital, Gjykata Themelore e Prishtinës e la atë në liri, derisa për ky rast ta marrë aktgjykimin e formës së prerë.

Këtë vendim të Themelores së Prishtinës, e rrëzoi Gjykata e Apelit, që vendosi ta rikthej në paraburgim Enver Sekiraqën.

Mirëpo, figura e errët e Prishtinës, tashmë ishte arratisur. Policia e Kosovës nuk e gjeti atë në vendbanim, duke u vënë kështu në ndjekje të gjurmëve të tij.

Përgjatë kësaj kohe, Sekiraqa ka angazhuar edhe një avokat të ri. Besnik Berisha në cilësinë e mbrojtësit të Sekiraqës, ka deklaruar se ai nuk është arratisur mirëpo ndodhet në një spital jashtë vendit.

Arratisje, përballje e gjatë me drejtësinë, e dënime kapitali të shqiptuara për të nga gjykatat në Kosovë.

Faton Hajrizi ndan një histori të ngjashme jetësore me Enver Sekiraqën.

Ndonëse për arsye të ndryshme, Hajrizi, pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në burgje, ku ra si një 15 vjeçar.

Në vitin 2000, në Skënderaj, teksa po shkonte në shkollë, Faton Hajrizi ka rrëfyer se pa disa ushtarë, për të cilët ai mendonte se ishin amerikan. Siç ka rrëfyer vet Hajrizi, ai i’u afrua njërit prej tyre për ta falënderuar për ndihmën që ia kishin dhënë Kosovës.

Por, në fakt, ushtari nuk ishte amerikan. Ai ishte një rus. Dhe kështu nisi një konflikt.

“E mbante armën në prehër. Ia rrëmbeva kallashnikovin. E mbusha. Kur doli ai me ma marrë kallashin, e shkrepa, e vrava. Unë jam dorëzu pas dy dite, me prindin tim. Qysh atë ditë, menjëherë ma kanë qitë prindin jashtë dhe më kanë ngreh zhag, më kanë shti në tank dhe më kanë çu në burg të Mitrovicës”, rrwfente nw njw nga intervistat, Faton Hajrizi.

Nga burgu i Mitrovicës, Hajrizi iku pas vetëm tri ditësh, për të nisur kështu një histori të gjatë arratisjesh.

Deri tash ai ka regjistruar nëntë të tilla, dhe secila nga to është një histori në vete.

Ikjen nga burgu, Faton Hajrizi shumë herë e kishte konsideruar të lehtë.

Të lehtë ai thotë se e ka pasur edhe arratisjen nga Qendra Korrektuese e tipit të hapur në Smrekonicë të Vushtrrisë, më gjashtë korrik.

Arratisjet e shpeshta nga burgu, Faton Hajrizin e kanë bërë person të rrezikshmërisë së lartë.

Gjatë viteve të fundit, atij iu hoq ky kategorizim për shkak të sjelljeve të mira në burg, mirëpo i është rikthyer përsëri pas arratisjes së fundit.

Nga liria, Hajrizi është paraqitur në disa raste në rrjetin social “Tik-Tok”.

Nga kjo platformë, ai ka dërguar disa porosi për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe për krerët e tjerë të institucioneve në Kosovë.

“E pyes Sveçlën, i them se kur ke qenë i vogël a ke punuar në furrë a çka është puna se i ke disa orë të furraxhisë. Nuk mund të më kapësh ti mua. Kurrë s’mund të më kapësh o ministër i punëve të kota…Ata të cilët më kishin kapur dhe me marrëveshje, janë në Hagë atje që ua kisha dëgjuar hatrin, jo lepurushët e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Nuk jeni ju që e kapni askënd, hiç”, kwrcwnoi Hajrizi.

Paraqitjen e parë në “Tik-Tok”, Hajrizi e bëri i maskuar.

 “Maskën e kam vendosë sepse jam lëndu, nuk maskohna unë. Ditëve në vijim do të dal pa maskë… Po ju bëj apel policisë nuk ena i armatosur, nuk jam ne Kosove. Shkurt shqip nuk jam ne kosove per momentin, Frikë nga unë nuk keni. Kam qenë në vikend i lirë dhe asnjë qytetar nuk është anku diçka”, tregoi Hajrizi nw paraqitjen e tij tw parw nw Tik Tok.

Hajrizi në një rast u shfaq live në “Tik-Tok”, bashkë me Shani Tafollin, të arratisurin tjetër, i cili dyshohet për një sërë veprash penale.

Pas arratisjes së parë nga burgu i Mitrovicës, Hajrizi ishte arratisur edhe nga burgu i Prishtinës, përderisa në një rast iku edhe nga baza ushtarake “Bondsteel”.

E në korrik të vitit 2007, Faton Hajrizi bashkë me gjashtë të burgosur të tjerë, të dënuar për krime të rënda, ishin arratisur nga Burgu i Dubravës.

Pas kalimit të rrethojave të burgut, Hajrizi me shokë po priteshin nga disa persona të tjerë, të cilët nisën të shtëna kundër rojeve të burgut.

Pak muaj pas kësaj ikje “si në filma aksion”, në Drenas ndodhi një grabitje e armatosur. Katër persona me armë dhe maska grabitën një argjendari dhe gjatë ikjes plagosën me armë zjarri dy policë dhe pronarin e dyqanit.

Vlera e arit të  grabitur ishte 63 mijë mijë euro. Gjatë aksionit në kërkim të grabitësve, një patrullë e policisë tentoi të ndaloj një veturë të dyshuar. Ngjarja ndodhi në fshatin Bruznik të Vushtrrisë.

Nga vetura, të dyshuarit gjuajnë me armë në drejtim të policisë, duke plagosur me armë zjarri dy policë dhe duke ia dalur që të ikin në këmbë.

Një muaj pas, në tetor të vitit 2007, Faton Hajrizi arrestohet në një shtëpi në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, bashkë me Burim Bashën. Gjatë bastisjet u gjetën disa armë.

Faton Hajrizi ua kishte marrë dorën arratisjeve nga burgjet e Kosovës.

Kështu ai do të ikte përsëri në vitin 2012.

Derisa po shëtiste në shëtitoren e Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Faton Hajrizi ia doli që të ngjitet në murin e oborrit, duke u kapur për një ulluk të ujit të shirave dhe përmes telave gjemborë disa rrathësh, kishte kërcyer nga muri i lartë disa metra.

Për këtë ikje, Hajrizi në një intervistë kishte treguar se e kishte paralajmëruar shefin e sigurimit në burg.

Për shkak të lartësisë së murit, Hajrizi e kishte thyer këmbën. Në pamundësi për të ecur, ai ishte ndalur në një qebabtore, ku edhe ishte arrestuar pas pak minutash.

Faton Hajrizi është vetëm një nga dhjetëra personat e arratisur, të cilëve organet e rendit nuk po mund t’u bien në gjurmë.

Para pak ditësh, nga burgu i Dubravës iku edhe Ujkan Metaj, i dënuar me 11 vite burgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera