Lajme

Tajfunet e së keqes morën njerëzit

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 05 November 2018

Darko Dimitrijeviq është kryeredaktor i radiostacionit “Gorazhdec” në Kosovë dhe Metohi. Jeton dhe punon në vendin me të njëjtin emër në Metohi. Është gazetar për shumë vjet,

Shkruan: Darko Dimitrijeviq

I nderuari koleg Zekirja,

Tregimi i yt nga fëmijëria me të vërtetë më ka prekur, ia ke arritur të më nxitësh të vendosi veten në pozicion, të mendoj nga perspektiva jote. Nuk ishte e lehtë të rritesh në një mjedis të tillë. Si një njeri që kërkon shpjegim për gjithçka, fillova të gërmoj, ndër të tjera, edhe të kaluarën time, për të shikuar ato kohë të liga.

Pajtohem plotësisht se qasja nacionaliste është fajtore për gjithçka. Unë do të shtoja edhe separatizmin si një nga shkaqet e tragjedisë sonë.

Për dallim nga ti, miku im, unë kisha një fëmijëri të hershme shumë të lumtur dhe me gëzim, i rrethuar nga ngrohtësia e familjes, të afërmve, miqve tanë të familjes … Mes këtyre miqve kishte edhe shumë shqiptarë.

Mbaj mend, sikur nëpër mjegull, që nganjëherë pas shikimit të filmit të preferuar të vizatuar, para fillimit të edicionit të dytë të Ditarit të Televizionit të Beogradit, shpesh zija fillimin e tij. Edhe në atë kohë flitej për Kosovë dhe Metohi, shpesh mund të shiheshin demonstratat e shqiptarëve. Më pas erdhën vitet e nëntëdhjeta … Pjesa ime e dytë e fëmijërisë bëhet më brenga, ashtu si e jotja, e pasqyruar në fytyrat e prindërve, gjysheve dhe gjyshave të mi.

Ata jetonin në një shtet të madh, kishin miq të të gjitha nacionaliteteve dhe konfesioneve. Nuk e kuptoja këtë në atë kohë, por kuptoja se shkaku i shqetësimit ishte ajo që dëgjonin dhe shihnin në televizor. Shteti i tyre po copëtohej. Bashkësia e konfesioneve dhe kombeve që kishte ekzistuar deri atëherë rrënohej si një kullë prej letrave të bixhozit. Si shumë njerëz të ndershëm e të sinqertë nuk ditën të gjenin vetën në situatën e re të krijuar të luftës, të krizës politike dhe ekonomike. Babai im, përveç punës së tij, duhej “të gjendej”, ngjashëm si i yti, kështu që punët e mjeshtërisë i kryente për mëditje me të cilën na rriti. Kjo, në atë kohë, ishte krejt normale dhe zakonshme për njerëzit normal e të ndershëm. Ata të tjerët merreshin me politikë, luftë dhe luanin krijimin e shteteve, të cilat sot themelet i kanë në gjakun e të gjitha popujve dhe kombeve.

Mbaj mend ditën kur prindërit më morën për t’u regjistruar në shkollë, një ndërtesë e madhe e verdhë në qendër të Gorazhdecit, e cila deri atëherë ishte e panjohur për mua. Në vend që dita e parë kur kam hyrë në shkollë të më mbetej në kujtesë të bukur, e kujtoj me një grup të madh nxënësish të cilët para shkolle, në prag të ’90-ave brohorisnin “Kosova Republikë”! Më vonë ata u larguan nga shkolla jonë, duke mos e pranuar sistemin e shtetit ekzistues. Kështu disi filloi gjithandej dhe gjithandej në këtë mënyrë, disi përfundoi.

Pas privimit të autonomisë, shqiptarët ushtruan rezistencë pasive, duke refuzuar të merrnin pjesë në jetën politike të Serbisë, duke mos dal në votime, as në regjistrim të popullsisë. Që atëherë, shqiptarët filluan të organizojnë institucione qeveritare paralele, siç janë shkollat, sistemi tatimor, gjyqësori dhe policia.

Ata shqiptarë që sinqerisht dëshironin të ruanin disa vlera normale nuk e lanë punën e tyre, as nuk i shtyu kush, këtu dallojnë prindërit tanë. Babai im punoi në një departament të komunës ku të gjithë, përveç atij dhe një kolegu tjetër, ishin shqiptarë që punuan aty deri në vitin 1999. Kostumi, këmisha, kravata, karakteri dallues, intelekti në plan të parë … Shpesh vinin te ne dhe me këta persona të dashur me lidhin kujtime shumë të bukura.

Babai im ndihmoi shumë prej tyre dhe familjeve të tyre për të shpëtuar kokën gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe Metohi. Për këtë arsye jam shumë krenar për babanë tim, i cili edhe pas luftës vazhdoi të mbante miqësitë e tij ndëretnike. Për fat të keq, shumë nga këta njerëz të mrekullueshëm nga Peja sot nuk janë në mesin e të gjallëve.

Pse po e shkruaj këtë? Unë nuk jam një jugo-nostalgjik, larg prej saj! Vetëm dua të theksoj faktin se aspiratat për ndarje dhe separatizëm na kanë larguar me mijëra vjet dritë si kombe, por edhe si të krishterë dhe myslimanë. Popujt nuk ishin gati të luftonin zotat e luftës. Për fat të keq, sot ka pak njerëz të tillë, pothuajse s’ka fare, siç ishte plaku im dhe e gjithë kllapa e tij, e cila nuk ishte dehur me helmin e politikës, separatizmit, ndarjeve, e me mendje të shëndoshë. Ashtu janë edhe sot, por ç’të themi për rininë tonë? Na mungojnë njerëzit që janë real dhe mendojnë me kokat e tyre. Për këtë arsye deri sot këta popuj i sundojnë zotat e luftës, të cilët filluan të gatuajnë çorbën me të cilën edhe sot ushqehemi.
Për fat të keq, këtë situatë e kemi sot në shumicën e shteteve të Ballkanit. Megjithatë, situata më e keqe është në “krahinën jugore serbe – Republikën e Kosovës”.

Këtu, shumë krime në të dyja anët kanë mbetur të pazbardhura, për disa më serioze madje të gjithë dëshmitarët kanë vdekur në rrethana të çuditshme. Për disa, që më dhëmbin më së shumti, si për shembull kur u vra Ivani shoku im i shkollës, derisa po lahej në Bistricë, hetimi u pezullua. Gjyshja ime, Millica, e cila u vra në oborrin e saj pas luftës, nuk i kishte bëre asgjë askujt, por dikush deshi të ja mohonte pleqërinë. Edhe shumë shqiptarë e pësuan në mënyrë të ngjashme, si për shembull kolegët tanë, gazetarët shqiptarë dhe serbë, derisa e kryenin punën me ndershmëri …

Kolegu im i dashur Zekirja, a ka marrë dikush përgjegjësi për djegien masive të kishave mesjetare serbe dhe krijimin e refugjatëve të rinj në dhunën e marsit të vitit 2004? A është i gatshëm publiku i Kosovës të ballafaqohet me shkatërrimin e një pasurie të tillë historike? Kujt i pengoi kjo?

Kujt i pengoi që ne të jetojmë dhe të ndjehemi të lirë të gjithë bashkë në një territor? Ndaj faktit që e ke mësuar se 200,000 serbë kurrë nuk kanë jetuar në Kosovë, dua ta kujtoj një të dhënë zyrtare. Në mars të vitit 2000, Komisariati për Refugjatë, në bashkëpunim me Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), organizoi regjistrimin e personave të zhvendosur brenda vendit nga Kosova dhe Metohia, me ç’rast u regjistruan 187,129 persona, në mesin e të cilëve isha edhe unë, ndërsa në periudhën nga 2000 deri 2005, më shumë se 20,000 persona erdhën nga Kosova dhe Metohia.

Do të mund të numëroja dhe rinumëroja të gjitha këto përfitime që na ka sjellë mjedisi i ri që u përfytyrua në “Republikën e Kosovës”, por mjafton vetëm të thuhet se këtu nuk respektohen të drejtat themelore të njeriut. Ndër të tjera, as e drejta për të marrë një letërnjoftim. Këto janë çështje thelbësore nga të cilat varen të gjitha të tjerat. Po të mos ishte mbërthyer këtu, ne ndoshta sot në portalin KoSSev me siguri do të flisnim për temat që tani nuk mund as t’i ëndërrojmë.

Të shumtë janë që kanë ëndërruar për shtetin, duke menduar se sjell prosperitet, siguri dhe pasuri. U mashtruan.
Fatkeqësisht, solli diçka krejt të kundërt me këtë: mungesë të ligjit dhe kaos administrativ nga i cili sot po ikin si pa kokë mu këta të rinj shqiptarë në drejtim të Perëndimit. Të gjithë që mundën, po kërkojnë shpëtim. Më kujtohet një takim me një shqiptar të vjetër në Drenicë para disa muajsh, të cilin e vizitova krejt rastësisht, me një mik timin. Njeriu (emri i njohur për mua) qëndron i ulur në livadh përpara shtëpisë madhështore, duke ruajtur lopët, me fytyrë të brengosur, sikur do të ja kris vajit. Dhe qau kur përcjellësi i im e pyeti çfarë e shqetësonte? Baba i shtatë djemve, më shumë se dhjetë nipër e mbesa, nuk mund të pajtohej me faktin se gjashtë nga djemtë i kishin shkuar në Gjermani dhe se së shpejti do të ikte edhe më i vogli, i cili kujdesej për prindërit. Do t’i marr, thotë, edhe gruan dhe fëmijën, nipin e vetëm rritjen e të cilit pati mundësi të përcillte. Mbetet i vetëm, sikur të mos kishte asnjë fëmijë dhe mallkon të gjitha shtëpitë që i ndërtuan.
Këtu do të doja të të pyesja: A është fajtor edhe për këtë nacionalizmi, i pasqyruar në pamundësinë e institucioneve të paafta për të zgjidhur problemet më themelore, a tregon kjo se të rinjtë po largohen nga Kosova, se po ikin nga një sistem në të cilin askush nuk është i lumtur?

E di se edhe ti, si unë, ëndërron për kohëra më të mira që nuk janë të ushqyera nga nacionalizmi, i cili vazhdon të helmojë miliona mendje të reja në këto zona, të cilat, pas zhgënjimit, shkojnë në perëndim. Përveç kësaj, një qasje e tillë nacionaliste krijon paragjykime, kryesisht falë gjuhës denigruese të politikanëve, lajmeve të rreme, tendencioze dhe të njëanshme që vijnë nga të gjitha anët. Kjo i përshtatet presidentëve tanë, pasi ky është mjedisi i tyre natyror politik. Për fat të keq, unë nuk po mund të orientohem në këtë, dhe fatkeqësisht i përkas një pakice të madhe.

Thjesht, një sistem të tillë në të cilin çdokush mund të bëjë çfarëdo pa pasoja, përgjegjësi, ku nuk ekzistojnë shanse të barabarta për të gjithë dhe për këtë të rinjtë po largohen çdo herë e më shumë në perëndim nuk e meriton besimin tim.
(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

Të tjera