Fokus

Situatë e alarmante në Mitrovicë, Hamza kërkon ndihmë nga qeveria: Qytetarët janë pa ushqim, pa veshmbathje e pa vendbanim

Autori: Elvira Haxhiu 18:08 | 20 January 2023

Reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati bëri që disa qytete të Kosovës të vërshohen nga uji. Komunat më të prekura nga këto vërshime janë Mitrovica, Skenderaj dhe Istogu, ku janë shkaktuar dëme të mëdha.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në një bisedë për Gazetën Infokus ka thënë se situata me vërshimet në komunën që ai drejton ka qenë dhe vazhdon të jetë alarmante.

I pari i Mitrovicës ka thënë se në këtë situatë të rëndë pret që qeveria të merr veprime konkrete dhe të jetë sa më afër qytetarëve të prekur nga vërshimet.

-Advertisement-

Derisa ka thënë se qytetarët kanë nevojë edhe për ndihma financiare, për shkak se kanë mbetur pa ushqim, veshmbathje e vendbanim.

“Komuna e Mitrovicës e ka pasë dhe vazhdon ta ketë gjendjen alarmante për shkak se i ka katër lumenj, e ka Ibrin, e ka Lushtën, e ka Sitnicën edhe e ka Trepçën do me thënë ka qenë tërë qyteti i vërshum dhe normalisht që pres urgjent që qeveria, niveli qendror, të jetë afër qytetarëve dhe të merr veprime konkrete. Përveç këtyre situatave emergjente që ndoshta me ndonjë pajisje me diçka tjetër, mirëpo njerëzit kanë nevojë për ndihmë të parë financiare sepse janë pa ushqim, pa veshmbathje, pa vendbanim” ka deklaruar Hamza për Infokus.

Gjithashtu ai ka dhënë edhe detaje tjera për dëmet që janë shkaktuar si pasojë e këtyre vërshimeve, duke konfirmuar që përveç dëmeve materiale nuk ka viktima në njerëz.

Derisa ka pohuar se Mitrovica është duke u përballur me gjendje emërgjente.

“Është fat i madh që nuk ka viktima në njerëz, mirëpo dëme kanë pësuar mijëra ekonomi familjare, numri i madh i bizneseve, infrastruktura publike dhe objektet publike, edhe rrugët edhe objektet tjera që kanë qenë në Mitrovicë. Tash jemi duke u ballafaquar me një situatë shumë emergjente, njerëzit kanë ngelë do me thënë pa kulm mbi kokë, nuk kanë mundësi ku të vendosen, ju mungon gjithçka”, ka thënë i pari i Mitrovicës.

Sipas Hamzës niveli i ujit ka filluar të bie dhe se lumi Lushta është kthyer në shtrat, derisa Ibri po vazhdon të jetë jashtë shtratit duke vërshuar.

“Niveli i ujit ka fillu me ra, lumi Lushta është kthy në shtratin e vet, Ibri vazhdon do me thënë me qenë jashtë shtratit edhe duke vërshu. Ka qenë e përfshirë një pjesë e madhe e qytetit të Mitrovicës edhe paralagjet edhe fshatrat edhe qendra e qytetit, dëmet që janë jashtëzakonisht të mëdha”, u shpreh Hamza.

Ai për Infokus ka konfirmuar se të enjten mbrëma është vizituar nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Gjithashtu, Hamza tha se është takuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Përveç, Mitrovicës gjendje e rënduar po vazhdon të jetë edhe në Skenderaj e në Istog, ku shumë qytetarë janë detyruar të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të evakuohen.

Ndryshe, Podujeva është prekur nga vërshimet, mirëpo situata në këtë komunë është stabile./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera