Lajme

Shumica e trotuareve në kryeqytet janë të mbushura me vetura

Autori: Gazeta inFokus 07:13 | 02 August 2022

Shumë trotuare në rrugët e Prishtinës janë bërë parkingje të veturave, të cilat në mënyrë të kundërligjshme parkohen duke pamundësuar qarkullimin e këmbësorëve, e shpeshherë edhe duke i rrezikuar ata. Komuna e Prishtinës thotë se ka një plan për ta zgjidhur këtë problematikë, e cila për vite të tëra nuk ka gjetur zgjidhje.

Të pakta janë trotuaret në kryeqytet që janë në shërbim të qytetarëve. Shumica e tyre me vite të tëra shfrytëzohen si parkingje, derisa këmbësorët detyrohen të ecin jashtë tyre, në pjesën ku qarkullojnë automjetet, raporton RTK.

Madje, edhe prindërit me karroca me fëmijë shpeshherë rrezikohen nga automjetet në mungesë të trotuareve të lira për të kaluar. E tillë është edhe rruga rreth parkut të qytetit.

-Advertisement-

Drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Florian Dushi, në një përgjigje me shkrim për RTK-në ka thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një plani të përbashkët me Policinë e Kosovës për lirimin e trotuareve, e në pjesë të caktuara, ai ka thënë se duke mos pasur zgjidhje tjetër, duhet të intervenojnë duke vendosur pengesa.

Ndërsa, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në këtë komunë, kanë thënë se kanë nënshkruar një kontratë për vendosjen e shtyllave anti-parking, si dhe kanë filluar implementimin e saj në terren, për ndalimin e parkimit të automjeteve nëpër trotuare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera