Ekonomi

Shpend Ahmeti “avullon” 180 mijë euro të Tregut të Qytetit (Foto/Dokument)

Autori: Anita Krasniqi 14:01 | 07 December 2018

Në Raportin Financiar Buxhetor të Komunës së Prishtinës për periudhën 1 korrik-30 shtator 2018 është paraqitur një shpenzim prej 180 mijë euro për Tregun e Qytetit.

Por askush nuk e di se ku kanë shkuar këto para, shkruan Gazeta inFokus.

Në fakt në vitin 2016 Komuna e Prishtinës ka prezantuar projektin e Tregut të Ri në Zonën Historike, në lokacionin ku momentalisht gjendet tregu i gjelbër afër Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

-Advertisement-

Ajo tokë është pronë e Komunës së Prishtinës dhe në të ishte planifikuar të vendoset tregu i ri i rrethuar nga hapësira komerciale.  Po ashtu, parashihet që aty të ndërtohet edhe një parking mesatar nëntokësor për të përmbushur nevojat e tregut.

Për këtë projekt janë paraparë mbi 1.2 milionë euro.

Në raportin financiar të tremujorit të tretë janë paraqitur si të shpenzuara saktësisht 179,059.87 euro, por në vendin e projektit nuk ka lëvizur asgjë, shkruan Gazeta inFokus.

 

Adem Hyseni, i cili punon në treg që nga viti 2000, për gazetën inFokus ka treguar që gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në treg, rrjedhimisht edhe nuk është investuar as edhe një cent.

“Nuk është e vërtet, kush e di pse i paskan hargju. Ti po e sheh edhe vet gjendjen tonë. Ne krejt gjerat ushqimore i qesim në kushte tona se as një kioske nuk kanë qenë në gjendje të na e sigurojnë, askush as Komuna as AKP”, thotë Ademi për inFokus.

Të njëjtën gjë thonë edhe tregtarët tjerë që çdo ditë shesin në këtë vend produktet e tyre.

“Jo 180 mijë euro, po as 180 euro këtë vit nuk është investuar këtu. Në shi e në borë me lecka mundohemi t’a bëjmë një strehë që të mos na dëmtohen ushqimet. Po premtimet gjatë fushatës po harrohen kogja shpejt” thotë Shaipi Zena një tregtarë tjetër që tash e disa vjet punon në këtë vend.

Të kontaktuar nga Gazeta inFokus zyrtarët komunal nuk kanë dashur të japin sqarime se ku janë shpenzuar 180 mijë euro dhe as nëse është iniciuar ndonjë procedurë prokurimi për këto para.

Adonis Tahiri e Miranda Mullafazliu kanë ndërprerë komunikimin në telefon sapo iu është bërë me dije se për çka po shkruan inFokus. Ndërsa me postë elektronike nuk janë përgjigjur as drejtori i Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave Gëzim Mehmeti e as nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera