Lajme

SHBA-ja jep edhe 2.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Autori: Gazeta inFokus 09:21 | 05 April 2023

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar detaje të ndihmës së re ushtarake prej 2.6 miliardë dollarësh për Ukrainën – për të ndihmuar vendin në luftën e tij kundër forcave ruse.

Paketa përfshinë shumëllojshmëri municionesh nga rezervat e Pentagonit të destinuara për të mbërritur shpejt në fushëbetejë.

Gjithashtu në paketë përfshihen sisteme raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe raketa kundërajrore Patriot – për të ndihmuar në pengimin e goditjeve ajrore ruse të infrastrukturës së Ukrainës.

-Advertisement-

Sipas Pentagonit, në paketë do të ketë edhe armë të vogla dhe mjete transporti të pajisjeve të rënda, si dhe municione shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore NASAM.

“SHBA-ja do të vazhdojë t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake për t’i përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, komentoi paketën para një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Ne vlerësojmë shumë gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë, në mënyrë specifike në muajin e fundit, për të ndihmuar ushtrinë tonë të përgatitet për kundërsulm”, tha ai.

Ambasada ruse në Uashington reagoi ndaj këtij njoftim dhe akuzoi SHBA-në duan ta zvarrisin konfliktin.

“Vendimi për furnizimin e Kievit me armë është një hap drejt përshkallëzimit të krizës ukrainase dhe rritjes së numrit të viktimave civile”, citon TASS një deklaratë e ambasadës.

Armët dhe financimi i ri vijnë ndërsa trupat ukrainase përgatiten për një ofensivë pranverore kundër forcave ruse, të cilat vazhdojnë të bombardojnë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera