Senatorët amerikanë Shaheen dhe Durbin: Partneriteti me Kosovën duhet të forcohet
Autori: Gazeta inFokus
07:53 | 14 October 2026
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen dhe senatori Dick Durbin kanë deklaruar se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është i rëndësishëm dhe se synojnë vazhdimin dhe forcimin e tij.
Në intervistën për RTK, dy senatorët kanë folur për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, rifillimin e Dialogut Strategjik, aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, të ardhmen e kampit Bondsteel, raportet me Serbinë dhe Gjykatën Speciale në Hagë.
Senatorja Jeanne Shaheen ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë qenë partnerë të mirë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ajo ka thënë se gjatë vizitës në Kosovë ka parë zhvillimet e arritura ndër vite dhe ka mirëpritur formimin e institucioneve të reja, duke e cilësuar këtë si të rëndësishëm për vazhdimin e partneritetit me SHBA-në.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë qenë partnerë të shkëlqyeshëm. Vizita ime e parë ka qenë këtu në përvjetorin e dytë të pavarësisë suaj. Dhe kudo që kemi shkuar, kemi parë flamuj amerikanë duke u valëvitur dhe sa e frymëzuar kam qenë kur e shihja atë për këtë lidhje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, pra të shihja të gjitha zhvillimet, të gjithë rritjen që është bërë. Kemi bërë një numër takimesh të mira dhe vërtet kam pasur kënaqësinë të shoh që qeveria është formuar dhe besoj është shumë me rëndësi për ju si shtet, por edhe për ne si Amerikë, sepse duam që ky partneritet të vazhdojë tutje”, pohoi Shaheen.
Ndërkaq senatori Dick Durbin, për të cilin kjo ishte vizita e parë në Kosovë, ka thënë se zhvillimet e vërejtura gjatë qëndrimit të tij dëshmojnë për një partneritet të fortë.
“Po, në fakt është hera e parë e imja. Senatorja Shaheen ka qenë udhëheqëse në Senat në këtë drejtim dhe kam punuar me të, por tashmë po e shoh drejtpërdrejt vetë gjithë zhvillimin dhe ndryshimet në një kohë kaq të shkurtër. Është dëshmi që partneriteti është i mirë dhe i fortë”, deklaroi Durbin.
Rifillimi i Dialogut Strategjik
Duke komentuar kërkesën për rifillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Shaheen ka thënë se një hap i tillë do të ishte i mirëpritur.
Ajo ka përmendur ndryshimet në administratën amerikane dhe ka theksuar rëndësinë e emërimit të një ambasadori amerikan në Kosovë, në mënyrë që SHBA-ja të përfaqësohet në nivelin e duhur.
Edhe Durbin ka vlerësuar rolin e ambasadorëve në marrëdhëniet ndërmjet shteteve, duke thënë se mungesa e përfaqësuesve të këtij niveli nuk e paraqet SHBA-në në dritën e duhur.
Anëtarësimi në NATO dhe kampi Bondsteel
E pyetur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Shaheen ka shprehur shpresën që kjo aspiratë të realizohet. Ajo ka theksuar rëndësinë e sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke veçuar rolin e misionit të KFOR-it në Kosovë.
“Unë shpresoj që po. Ajo që është me rëndësi për NATO-n, për gjithë sigurinë e Evropës dhe pastaj të këtij rajoni, një prej gjërave që u përmend nga kryeministri është siguria e kufijve të Kosovës dhe mendoj që NATO-ja ka pasur shumë rëndësi në këtë drejtim. Misioni i KFOR-it është këtu në Kosovë, ka pjesën më të madhe të përgjegjësisë”, tha Shaheen.
Ndërsa lidhur me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që kampi Bondsteel të jetë bazë ushtarake e përhershme amerikane, Durbin ka thënë se propozimi duhet të merret seriozisht.
Ai ka bërë me dije se gjatë takimit me kryeministrin Kurti u janë prezantuar edhe pikat e cenueshme të sigurisë së Kosovës, duke theksuar se SHBA-ja dëshiron ruajtjen e paqes dhe se prania e KFOR-it ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Raportet Kosovë-Serbi
Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shaheen ka thënë se përparimi kërkon përkushtimin e të dyja vendeve.
Ajo ka treguar se ka zhvilluar takime dhe bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të nxitjes së afrimit ndërmjet dy vendeve.
Nga ana tjetër, Durbin ka thënë se dëshiron të shohë përmirësim të marrëdhënieve, por ka vlerësuar se, në rrethanat aktuale dhe në prag të zgjedhjeve, nuk sheh potencial të madh për përparim të shpejtë.
“Duam të shoh përmirësime, por që në këto momente, aq të afërta me zgjedhjet, nuk është se shoh ndonjë potencial të madh”, tha ai.
Gjykata Speciale dhe procesi i apelit
Në lidhje me Gjykatën Speciale në Hagë dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Shaheen ka thënë se nuk mund të komentojë amendamentet, duke rikujtuar se kjo gjykatë është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe është mbështetur nga institucionet e vendit.
Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të shihet se si do të vazhdojë procesi, ndërsa ka përmendur mundësinë e procedurave të apelit ndaj aktgjykimit.
“Nuk mund të komentoj për sa iu përket amendamenteve të ligjit, por ajo që kam kuptuar unë është që Dhomat e Specializuara janë krijuar nga vetë parlamenti dhe mbështetur nga Kosova. Dhe besoj që është me rëndësi të shohim se si ky proces do të vazhdojë tutje dhe për aq sa di unë, mund të ketë edhe procedurë apeli të këtij aktgjykimi. Sigurisht që edhe procedura e apelit do të vazhdojë në mënyrë paqësore dhe t’i japë rezultatet që populli i Kosovës arrin ta kuptojë”, theksoi Shaheen për RTK.
Durbin është pajtuar me qëndrimin e saj, duke thënë se nuk duhet të komentohen çështjet që janë para gjykatës. Ai ka shprehur shpresën që çështja të trajtohet në mënyrë paqësore, përmes procedurave të përcaktuara me ligj.
“Pajtohem me senatoren Shaheen, se nuk duhet të komentojmë çështje që janë para gjykatës dhe shpresoj që kjo të zgjidhet përmes juridiksionit të krijuar me ligj, në mënyrë paqësore në të gjitha nivelet”, theksoi ai për RTK.
Mesazhi i senatorëve amerikanë për Kosovën
Në intervistë për RTK-në, Shaheen ka përsëritur se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së ka qenë i fortë dhe i dobishëm për të dyja palët.
Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej, ndërsa ka theksuar rëndësinë e aspiratave të Kosovës për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Senatorët amerikanë po e përmbyllin vizitën e tyre në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës kanë zhvilluar takime edhe në vende të tjera të rajonit.

T� tjera
-
Kurti pranoi paportin vjetor të punës së Institutit të Krim*eve të Kryera gjatë Luf*tës në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Institutin e K...
-
Presidentja Shiroka Pula takon kryetarët e komunave, iu premton përkrahje
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar sot m...
-
Ndryshimet në pozitat udhëheqëse të Policisë, Musliu kërkon dokumentacion zyrtar: Ende nuk kam marrë përgjigje
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar...
-
Kurti: Policia është pajisur me armë të gjata, automjete e autoblinda të reja
Kryeministri, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e Policisë së Kosovës dhe p...
-
Klinika e Radiologjisë ende vazhdon të ballafaqohet me mungesë të stafit “Besoni janë rritur shumë shërbimet”
Zgjerimi i shërbimeve diagnostikuese në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Kl...
-
BQK njofton se ka aplikuar zyrtarisht për përfshirje të Kosovës në SEPA
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar sot se ka dorëzuar zyrtarisht apli...
-
Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike, merren tri vendime
Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratua...
-
Fundjava me mot të qëndrueshëm, temperaturat zbresin deri në -4 gradë Celsius
Gjatë fundjavës në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i qëndrueshëm, me vra...
-
Gjilan: Katër persona dërgohen në paraburgim për armëmbajtje pa leje
Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ua ka caktuar masën e paraburgimit...
-
Prattipati pret në takim gjeneralin amerikan Osborn në vizitën e tij të fundit zyrtare në Kosovë
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosov...
-
Ambasadori britanik takon Haxhiun: E rëndësishme që strategjia shtetërore për apelimin në Hagë t’i shërbejë Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar ...
-
Qytetari nga Ferizaj gjen rreth 270 euro, i dorëzon në polici
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, sot, rreth orës 14:00, në r...


































