Lajme

Rënia e Facebook-ut…, ja sa miliardë i humbi Mark Zuckerberg për vetëm shtatë orë

Autori: Gazeta inFokus 14:25 | 05 October 2021

Plot 7 miliardë dollarë më pak ka sot multimiliarderi 37-vjeçar Mark Zuckerberg, pronari i Facebook, Instagram dhe WhatsApp, si pasojë e rënies për shtatë orë ditën e djeshme të këtyre platformave.

Titani i teknologjisë vlen sërish 121.6 miliardë dollarë, pra vazhdon të qëndrojë në top 5-shen e njerëzve më të pasur të planetit. Por, ndërsa këto shifra ngjajnë thjeshtë si numra, nëse i vendosim në kontekst, kuptojmë se kemi të bëjmë me një humbje kolosale, por edhe pasuri përrallore të bosit të Facebook.

Sipas Bankës Botërore, Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë, GDP thënë rëndom nga anglishtja, ishte 14.8 miliardë dollarë. Sipas leximit të të dhënave që bëri Lapsi.al, çka Mark Zuckerberg humbi në një ditë nga pasuria e tij, 7 miliardë dollarë, është pothuajse sa gjysma e 14.8 miliardë dollarëve, një vlerë që shtetit tonë në tërësi i duhet gjysëm viti ta krijojë.

-Advertisement-

Në rrjetet sociale të Zuckerberg figurojnë përdorues plot 3.51 miliardë persona, ndërsa popullsia e planetit është zyrtarisht 7.8 miliardë, Pra, plot 44.5% e njerëzve në glob përdorin një nga kompanitë e amerikanit 37-vjeçar.

Faqja e udhëhequr nga Mark Zuckerberg si dhe platformat Instagram dhe ËhatsApp në pronësi të Facebook, dolën nga përdorimi për shtatë orë ditën e djeshme. për arsye të panjohura. Edhe pse kjo nuk është hera e parë që universi i zgjeruar i Facebook ka pasur ndërprerje, këtë radhë duket se bosi i rrjeteve sociale është në një situatë krejt tjetër.

Një ish-zyrtare e Facebook tashmë e dalë hapur kundër mënyrës si Zuckerberg po e drejton kompaninë gjigante, ka treguar publikisht se dezinformatat dhe nxitja e urrejtjes janë përforcuar nga platforma.

Frances Haugen, e cila do të dëshmojë para Kongresit Amerikan këtë javë, tha se “versioni i Facebook” që përdoret sot “po copëton shoqëritë tona dhe po shkakton dhunë etnike” në një shkallë globale, transmeton Lapsi.al

“Gjëja që pashë në Facebook vazhdimisht ishte se kishte konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook, dhe Facebook gjithnjë zgjodhi të optimizonte për interesat e tij, si të fitonte më shumë para,” u shpreh Frances Haugen në një intervistë për mediat amerikane.

Sikurse e thamë më lart, Mark Zuckerberg vazhdon të jetë në top 5-shen e njerëzve më të pasur të planetit. Pasurisë së tij tashmë 121.6 miliardë dollarëshe ia kalojnë vetëm Bill Gates i Microsoft (124 miliardë dollarë), Bernard Arnault i brandeve të modës si Louis Vuitton (153), Jeff Bezos i Amazon (186) dhe Elon Musk i Teslas dhe SpaceX (211).

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera