Lajme

Qeveria del me detaje për takimin prej më shumë se 2 orë të Kurtit me emisarët e huaj

Autori: Gazeta inFokus 17:17 | 20 January 2023

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dalë me njoftimin se kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, ka zhvilluar sot takimin me pesë zyrtarët ndërkombëtarë, Lajčák, Escobar, Plötner, Bonne dhe Talò, shkruan Gazeta inFokus.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka thënë detaje se gjatë këtij takimi më shumë se dy orë është diskutuar propozimi evropian, ku theksohet se Kurti e vlerëson si bazë të mirë për të vazhduar më tej diskutimit për normalizimin e plotë të raporteve me Serbinë.

Postimi i plotë:

-Advertisement-

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi u takua sot me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë,  Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti priti në takim këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022. Kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar. Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.

Ai i njoftoi emisarët për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën.I falënderoi të gjithë emisarët dhe vendet e tyre për përkushtimin dhe angazhimin në procesin e dialogut dhe rrugën përpara, duke shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

Pas këtij takimi, emisarët udhëtuan për në kryeqytetin e fqinjit verior të Republikës së Kosovës./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera