Lajme

Pse s’po shkarkohet Ambasadori Berishaj? Nikaj jep dy arsye

Autori: Gazeta inFokus 21:50 | 22 April 2022

Për ish-ambasadorin Bernard Nikaj, mos-shkarkimi i ambasadorit kosovar në Zagreb, Martin Berishaj, mund të jetë për arsye se ai mund të jetë mik i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ose sepse dy liderët nuk kanë guximin për të marrë vendime në momente kritike.

Sipas ish-ambasadorit në Bruksel dhe anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Berishaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqje deri tani.

“Një lajm i tillë është lajm shokues, lajmi ka rrjedh në një vend tjetër. Emri i ambasadorit është bërë pjesë e fushatës zgjedhore dhe zhvillimet politike të atij vendi. Një ngjarje e tillë ngushton mundësitë e ambasadorit për punë. Ka dëmtuar funksionimin e diplomacisë tonë edhe në Kroaci, edhe në Slloveni. Është skandal i madh diplomatik. Është skandaloze, dhe më shumë skandaloze është si po trajtohet kjo situatë. Kjo është skandal, nuk kthehet mbrapa”, ka thënë Nikaj në KTV.

-Advertisement-

Nikaj ka theksuar se nuk është me rëndësi fajësia apo pafajësia e Berishajt në këtë kohë, por dëmi që skandali ku ai është përfshirë mund t’ia sjell Kosovës në sferën ndërkombëtare.

“Duke qenë këto pretendime, një ambasador nuk mund ta kryejë punën e vet. Ambasadori është i afërt me presidenten dhe kryeministrin. Ai mund të lirohet nga detyra, pasi ta sqaronte situatën, do të mund të punësohej në një pozitë tjetër. Pozita e ambasadorit është më e rëndësishme sesa pozita e brendshme. Ne nuk mund të përfaqësohemi nga të dyshuar. Deri sa sqarohet, nuk mund ta ushtrojnë funksionin e diplomatit. Dëmi i kësaj ngjarje, përtej diskutimeve, shkon përtej kufijve tanë. I dëmton interesat tanë në sferën ndërkombëtare. Nuk na nevojitet një imazh i tillë për të na përfaqësuar”, shtoi ai.

Sipas tij, Qeveria është e ngathët për të marrë vendime në momente kritike.

“Po shoh paaftësi për ta çuar vendin përpara. Kjo qeverisje më shumë po krahasohet me të kaluarën, në vend se të ndërtonte një të ardhshme. Këtë qeveri do ta rrëzojnë ngjarjet më shpejt se sa e ka pritur”, ka deklaruar Nikaj.

Berishaj u akuzua nga mediat në Slloveni se është i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash. Presidenca e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, ndërkohë Kurti ka thënë se qëndrimin e tij e ka dhënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera