Lajme

Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim ndaj tre të dyshuarve për rastin “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë

Autori: Gazeta inFokus 19:21 | 28 November 2026

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve në rastin e koduar “Kufiri 2”, ku janë sekuestruar 136 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Të dyshuarit, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës, dyshohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kishin ndarë rolet për transportimin e narkotikëve, ndërsa gjatë tentimit të ndalimit nga policia, njëri prej tyre nuk iu bind urdhrave dhe u largua me shpejtësi, duke shkaktuar aksident trafiku me dy persona të lënduar. I dyshuari që drejtonte automjetin “Audi A6” u arrestua pas humbjes së kontrollit të veturës, ku edhe u gjetën narkotikët.

-Advertisement-

Njoftimi i plotë:

Kërkohet paraburgim ndaj tre të pandehurve për rastin e koduar “Kufiri 2” ku u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë

Ferizaj, 28 Nëntor 2026 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: A.N., – shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, T.E., dhe A.C., – shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin e koduar “Kufiri 2“.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit kanë vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat, me qëllim të transportimit të substancës narkotike.

Konkretisht, i pandehuri A.N., së bashku me të pandehurën A.C., dyshohet se kanë udhëtuar me automjetin “VW Tiguan”, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën para automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej substanca narkotike. Kurse, i pandehuri T.E., dyshohet se ka drejtuar automjetin “Audi A6”, në të cilin është gjetur substanca e dyshuar narkotike, ndërsa i pandehuri J.B., dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të rrugës duke lëvizur përpara automjeteve të tjera.

Pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri T.E., nuk u është bindur urdhrave policorë, por ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe aksident trafiku me lëndime ndaj dy personave, kurse, në afërsi të lokalit “Milenium”, automjeti ka humbur kontrollin, ku pas ndërhyrjes policore është ndaluar dhe arrestuar i pandehuri T.E., ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike, andaj sipas Prokurorisë, me këto veprime për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafët 1 dhe 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri T.E., dyshohet edhe për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 1, të KPRK-së.

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy