Lajme

“Ka pasur momente kur jam ndier e vetme” – rrëfimi i Aelës, 13-vjeçares që jeton me diabet

Autori: Gazeta inFokus 17:10 | 28 November 2026

Aela Ademaj, 13-vjeçarja që jeton me diabet të tipit 1, ka rrëfyer sfidat e përditshme, vështirësitë emocionale dhe koston e lartë të trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Në një intervistë për emisionin “Doktor Plus”, Aela ka treguar se ishte nëna e saj ajo që vërejti shenjat e para dhe vendosi t’ia kontrollonte nivelin e sheqerit në gjak, shkruan Gazeta Infokus.

“E kam përjetuar shumë rëndë, sepse diagnoza e diabetit nuk është diçka që përgatitesh ta dëgjosh”, ka rrëfyer ajo.

-Advertisement-

Pas diagnostikimit, përditshmëria e saj ndryshoi. Aelathotë se duhet të kontrollojë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak, të kujdeset për ushqimin dhe të marrë insulinë.

“Bashkëmoshatarët e mi shumë gjëra i bëjnë spontanisht, kurse unë duhet të kem shumë më tepër kontroll. Kur të gjithë të tjerët janë duke menduar për përgjigjen e ndonjë pyetjeje, unë duhet të mendoj sa e kam sheqerin, sa insulinë duhet të marr”, ka treguar ajo.

Aela ka folur edhe për barrën financiare që diabeti paraqet për familjet në Kosovë.

Sipas saj, sensorët për matjen e glukozës kushtojnë nga 50 deri në 120 euro, ndërsa një pompë insuline mund të kushtojë rreth 2 mijë euro, me shpenzime mirëmbajtjeje prej 400 deri në 500 euro.

Por përveç vështirësive financiare, 13-vjeçarja ka treguar edhe për momentet kur është ndier e vetmuar dhe e lodhur nga kujdesi i vazhdueshëm.

“Ka pasur shumë momente kur jam lodhur nga kujdesi i vazhdueshëm për diabetin. Ka pasur shumë momente kur jam ndier e vetme”, ka thënë Aela.

Ajo ka theksuar se mbështetjen më të madhe e ka marrë nga nëna, familja, shoqëria dhe shoqata “Tip 1 Amël”, ku ka takuar persona që përballen me sfida të ngjashme.

Në fund, Aela u ka përcjellë një mesazh të gjithë fëmijëve që sapo janë diagnostikuar me diabet.

“Personave që sapo janë diagnostikuar me diabet do t’u thosha, së pari, se nuk janë vetëm, ashtu siç kam menduar unë në fillim”, ka përfunduar ajo./Gazeta Infokus/

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy