Lajme

“Po e shfaq mos dijen” – Tensione në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt, Rrahmani i PDK-së akuzon për pengim të hetimeve

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 09 November 2026

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt është përcjellë me përplasje ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës, lidhur me dokumentacionin e kërkuar nga institucionet shtetërore dhe mënyrën e zhvillimit të hetimeve parlamentare, shkruan Gazeta Infokus.

Në qendër të debatit ishin deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, të cilët shkëmbyen akuza për qasjen ndaj punës së komisionit.

Rrahmani akuzoi Zyrën e Kryeministrit se nuk i ka respektuar afatet për dorëzimin e dokumenteve, duke pretenduar se materialet e kërkuara janë dërguar vetëm një orë para fillimit të mbledhjes.

-Advertisement-

Ai ngriti dyshime edhe për dokumentacionin e pranuar, pasi sipas tij, raportet nuk përmbajnë nënshkrimet e ministrive përgjegjëse.

“Është shqetësuese që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit, në vend që do të duhej ta ndihmonte këtë komision, që të zbardhnim gjithë dështimin e zinxhirit shtetëror, bëhet pengesë dhe manipulues i krejt kësaj”, deklaroi Rrahmani.

Deputeti opozitar pretendoi se edhe në mbledhjen e kaluar janë penguar kërkesat për sigurimin e dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas tij, përfaqësuesit e shumicës parlamentare kanë ndryshuar mënyrën e përfshirjes së këtij institucioni në planin e punës, duke kufizuar kërkesat për dokumentacion.

Rrahmani vlerësoi se një qasje e tillë rrezikon ta pengojë identifikimin e përgjegjësive të institucioneve që kanë pasur detyrime për mbrojtjen e viktimës.

“Unë e shoh që qasja e këtij grupi parlamentar në përgjithësi është qasje duke u munduar me i mbuluar të metat dhe mos me zbardh dështimin në komplet zinxhirin shtetëror, ku ka dështuar shteti për me mbrojt jetën e një gruaje”, tha ai.

Ai rikujtoi se Zyrës së Kryeministrit i ishte caktuar afat prej tri ditësh për dorëzimin e dokumentacionit, por pretendoi se ky afat nuk ishte respektuar.

Ndaj këtyre deklarimeve reagoi deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili kundërshtoi akuzat për pengim të hetimeve.

Rrustemi tha se komisioni duhet të shqyrtojë në mënyrë profesionale veprimet dhe mosveprimet e të gjitha institucioneve që kanë pasur përgjegjësi në trajtimin e rastit.

“Unë jam këtu për të trajtuar profesionalisht çdo mekanizëm, çdo veprim, çdo mosveprim e çdo mospërmbushje të detyrimeve ligjore të secilës hallkë institucionale”, deklaroi ai.

Sipas Rrustemit, hetimi duhet të përfshijë punën e Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe ministrive përkatëse, pa përjashtuar përgjegjësinë e asnjë institucioni.

Megjithatë, ai akuzoi kundërshtarët politikë se po tentojnë ta shndërrojnë komisionin në hapësirë për përplasje partiake.

“Po një qasje që e kam vërejtur, që ky komision me filluar dhe me përfunduar te politizimi, kjo është e papranueshme”, u shpreh Rrustemi.

Ai këmbënguli se debatet politike nuk duhet ta ndalin punën e komisionit.

“Le të bëjnë politikë, por punën s’mund ta pengojë askush”, tha deputeti i LVV-së.

Komisioni Hetimor Parlamentar është themeluar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Përplasjet e fundit tregojnë se mosmarrëveshjet ndërmjet deputetëve tashmë janë shtrirë edhe te mënyra e sigurimit të dokumenteve dhe përcaktimi i institucioneve që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy