Lajme

Komisioni për Legjislacion miraton katër marrëveshje me Suedinë e Belgjikën, opozita kërkon llogari nga Gërvalla

Autori: Gazeta inFokus 13:56 | 09 November 2026

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë penale, të lidhura me Suedinë dhe Belgjikën.

Të katër projektligjet morën mbështetjen unanime të anëtarëve të komisionit, me 11 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Megjithatë, gjatë mbledhjes pati diskutime për përmbajtjen e marrëveshjeve dhe mungesën e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për të dhënë sqarime para deputetëve.

-Advertisement-

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kërkoi të dinte më konkretisht se cilat çështje penale përfshihen në marrëveshjet që po shqyrtoheshin.

“A ka mundësi dikush me na sqaru se për çfarë çështje penale jemi duke fol?”, pyeti Tahiri.

Në përgjigje të tij, kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, sqaroi se bëhet fjalë për marrëveshje që rregullojnë bashkëpunimin juridik ndërmjet Kosovës dhe shteteve përkatëse.

Sipas Qorrollit, marrëveshjet me Suedinë përfshijnë ndihmën juridike në çështjet penale, ekstradimin dhe transferimin e personave të dënuar.

Ai shpjegoi se këto marrëveshje krijojnë bazën për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të drejtësisë, përfshirë rastet kur shtetasit e njërit vend përballen me procedura penale ose vuajnë dënime në vendin tjetër.

“Nëse një shtetas i Republikës së Kosovës në Suedi dhe e kundërta, një shtetas i Suedisë në Kosovë, gjykohet penalisht ose kërkohet që një shtetas i Kosovës ta vuajë dënimin, derisa ai po e kryen për një vepër në shtetin e Suedisë, ai mund të transferohet në Republikën e Kosovës për ta vuajtur këtë dënim”, tha Qorrolli.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ngriti shqetësimin se marrëveshjet ndërkombëtare po votohen pa raportimin paraprak të ministres përgjegjëse.

Ajo kërkoi që ministrja Donika Gërvalla të ftohet në komision për të dhënë sqarime lidhur me marrëveshjet, duke rikujtuar se raportimi i ministrave para deputetëve ka qenë praktikë e mëhershme.

“Praktikat e deritashme, kryetar, kanë qenë që ministrja vjen në komision dhe raporton për marrëveshjet”, deklaroi Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së theksoi se mbështetja e projektligjeve nuk duhet ta përjashtojë përgjegjësinë e ekzekutivit për të informuar Kuvendin.

“Ne kemi një rol mbikëqyrës këtu dhe votat tona ishin për, por mendoj që këto praktika nuk guxojnë të tejkalohen dhe nuk guxojnë që votimet të ndodhin siç u votua sot”, tha ajo.

Në këtë mbledhje u miratuan tri projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, përkatësisht për ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Projektligji i katërt ka të bëjë me ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Pas miratimit në komision, projektligjet duhet të kalojnë edhe procedurat përkatëse parlamentare për ratifikim./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy