Kulturë

Plasë sherri në promovimin e romanit të Ag Apollonit, Institutin Albanologjik e konsideron fetar

Autori: Gazeta inFokus 15:12 | 28 February 2019

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, u promovua libri më i ri i shkrimtarit Ag Apolloni, me titull “Mesjeta ime”.

Autori, Ag Apolloni përveç që foli për librin i cili po promovohej, iu drejtua edhe kolegëve të tij studiues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, raporton Gazeta inFokus.

Sipas Apollonit, Instituti Albanologjik i Prishtinës nuk është institucion shkencor, por fetar.

-Advertisement-

“Këtu po shoh disa punonjës të institucionit albanologjik, këtij institucioni i mungon vetëm minarja dhe nuk është institucion shkencor” u shpreh Apolloni.

Një përgjigje për këtë konstatim menjëherë erdhi nga shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë në Institutin Albanologjik, Gëzim Aliu.

Sipas Aliut, konstatimi i bërë nga Apolloni në lidhje me Institutin është provokim pa përmbajtje dhe poshtërsi.

“Pak më parë isha në promovimin e “mesjetës” se Ag Apollonit. Në fund të fjalimit të tij, Institutin Albanologjik e quajti xhami pa minare. Ky konstatim është, përveç provokim pa përmbajtje, edhe poshtërsi! Nëse Instituti është xhami pa minare atëherë Ag Apolloni është ndër frekuentuesit më të përkushtuar të tij!” shkroi Aliu në facebook.

Përveç kësaj, autori i librit “Mesjeta ime” foli për universitetet dhe institucionet kulturore, të cilat sipas tij janë më shumë në numër sesa që është e nevojshme.

“Ne kemi këtu institucione kulturore të shumta më shumë sesa që duhet. Kemi universitete më shumë sesa që duhet, por nuk kemi një vend që mund ta quajmë mbrojtës te kësaj fryme vendore. Universiteti sigurisht që ka dështuar për këtë punë” tha Apolloni.

Në anën tjetër, për qëllimin e këtij organizmi, pra për librin foli studiuesi i letërsisë, Sherif Luzha, i cili tha se në këtë libër nuk kemi të bëjmë me një mesjetë si epokë,  por me mesjetën të cilën autori e ka rikonceptualizuar dhe e ka përdorur si metaforë në rrëfimin e jetës së tij.

Libri përbëhet nga 10 ese që përmbajnë tituj në gjuhën latine e që janë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento.

Këtë libër historiani Ylber Hysaj e quajti manifest të jetës së shkrimtarit dhe të 35 viteve ku autori përmes konceptit biblik mundohet që ta kuptojë gjysmën e jetës të ndarë në 12 kapituj të cilët ju ngjajnë 12 muajve kalendarik.

“Këta muaj mbajnë emra latinë dhe ju ngjajnë shenjave të zodiakut, ku në secili nga këto shenja,  Agu mundohet që të sheh të kaluarën dhe të tashmen duke u futur në një mallkim të ciklizmit, duke u thirrur në atë që i pëlqen, në diskursin e Ozit, i cili zbulon se në fakt, pas shekullit XX nuk vjen shekulli XXI, por shekulli XI, me të gjitha misteret dhe ekstremizmit që ai sjellë me vete”, tha ai.

Autori i librit “Mesjeta ime” është fitues i disa çmimeve, duke përfshirë edhe çmimin romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”) për librin “Ulurima e ujkut” si dhe drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera