Opinione

Parashikimi i Bankes Botërore për rritjen ekonomike të Kosovës 3.9 për qind më 2024 është i dëshiruar, është i vonuar dhe vështirë i realizuar

Autori: Safet Gerxhaliu 16:55 | 14 January 2024

Në kohën kur efektet e inflacionit ende po godasin ekonomitë më të fuqishme të shteteve evropiane nuk duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të orientuara në rritje ekonomike numerike por për rritje ekonomike substanciale.

Republika e Kosovës ka nevojë si kurr më parë për rritje ekonomike jo vetëm 3.9% por edhe për rritje dy shifrore sepse jemi të vonuar në shumë dimensione ekonomike krahasuar me shtetet tjera në nivelin rajonal dhe evropian.

Emëruesi i përbashkët për zgjedhjen e problemeve ekonomike në Kosovë është stabiliteti politik që për fat të keq Kosovës po i mungon falë mungesës së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

-Advertisement-

Në mungesë të stabilitetit politik nuk ka investime të huaja direkte por ka hezitim për të investuar në forma më të avancuara edhe nga Diaspora e jonë.

Nga Kosova po largohen qytetarët falë liberalizimit të vizave por edhe kapitali i bizneseve vendore po investohet jashtë falë mungesës së stabilitetit politik, mungesës së dialogut të mirëfilltë publiko – privat, mungesës së një vizioni pro biznes dhe pro një ekonomie të tregut, mungesës së një diplomacie ekonomike në interes të zhvillimit ekonomik, masat e BE-së që po e dëmtojnë ekonominë tonë në shumë dimensione e në veçanti sektorin e IT-së apo digjitalizimin, mos investimet në projekte kapitale dhe kinse ruajtja e parasë që është qasje e gabuar duke pasur parasysh Inflacionin në Kosovë, kur kemi rritje të kamatave bankare dhe sida të tjera me të cilat po ballafaqohet sektori privat në Kosovë.

Republika e Kosovës ka nevojë për rritje substanciale apo në substancë e jo vetëm rritje numerike.

Po të jenë parashikimet për rritje ekonomike 2% por të bazuar në shumë parametra ekonomik si rritja e investimeve të huaja, rritja e eksporteve të produkteve “Made in Kosova “, krijimi i vendeve të reja të punës, transferin e teknologjisë moderne dhe të sistemit know –  how , eksporti i shërbimeve, rritja e numrit të turistëve dhe kontraktimi i punëve dhe implementimi i projekteve në vende jashtë Kosovës të implementuara nga Bizneset vendore kish me qenë shumë më me rëndësi për Kosovën se sa të parashihet rritje afër 4% e bazuar vetëm në konsum duke eksportuar para të gatshme e duke importuar mallra dhe shërbime nga jashtë së bashku me Inflacionin importues që produktet bazike i bënë më të shtrenjta në Kosovë se sa në vendet perëndimore.

Këtë dukuri të çmimeve të larta e vëren më së shumti diaspora jonë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

E pagat në Kosovë qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat janë më të ulëtat në rajon.

Prandaj është koha kur  duhet  të kuptohet rëndësia e rritjes ekonomike substanciale e jo ajo numerike për ardhmërinë e Republikës së Kosovës dhe ky duhet të jetë fokus i të gjithë akterëve vendor dhe ndërkombëtar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera