Lajme

Osmani: Incidentet në veri synojnë krijimin e një klime frike dhe pasigurie

Autori: Gazeta inFokus 19:06 | 03 April 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

Ditëve të fundit, në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS – Republika e Kosovës.

“Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Osmani i ka bërë këto deklarata në një takim me të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Sipas Presidencës, në takim palët kanë biseduar edhe dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, më 27 shkurt në Bruksel, si dhe për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.

Për të diskutuar rezultatet e këtyre takimeve dhe rrugën tutje, më 4 prill në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera