Lajme

NRG Band, Pintat dhe Nita Latifi ndezin Batllavën -“Kayak Fest 2026” sjell tri ditë aventurë, sport dhe muzikë

Autori: Gazeta inFokus 14:42 | 17 July 2026

Një kombinim i sportit, aventurës, muzikës dhe natyrës do të bashkojë qytetarë nga e gjithë Kosova në edicionin e radhës të “Kayak Fest 2026”, i cili do të mbahet në Liqenin e Batllavës.

Organizatori i festivalit, Shkrep Balidemaj, ka bërë të ditur se ky edicion nuk do të jetë vetëm një garë sportive, por një thirrje për t’iu kthyer natyrës dhe për të promovuar bukuritë e Kosovës.

“Ky edicion nuk është thjesht një garë, por një mundësi për t’u kthyer te natyra dhe për të promovuar bukuritë e vendit tonë. Këtë vit kemi rritur kapacitetet dhe kemi pasuruar programin, në mënyrë që çdo vizitor, nga fëmijët deri te të moshuarit”, ka deklaruar Balidemaj.

-Advertisement-

Sipas Balidemaj, misioni kryesor i “Kayak Fest 2026” është promovimi i sportit të kajakut, turizmit të aventurës dhe një mënyre aktive të jetesës në Kosovë.

Një nga aktivitetet kryesore të festivalit do të jetë zona “Kajak i Lirë”, ku të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të provojnë kajakun pa pagesë, duke përfshirë pajisjet dhe jelekët mbrojtës. Përveç kajakëve, vizitorët do të kenë mundësi të argëtohen edhe me aktivitete të tjera ujore, si Aqua Park, Tranbolin dhe GoCart.

Për adhuruesit e natyrës, festivali do të ofrojë edhe mundësi kampingu me marrje të tendave me qira. Organizatorët bëjnë të ditur se për ata që zgjedhin të qëndrojnë në kamp, përvoja do të vazhdojë edhe pas përfundimit të koncerteve, me muzikë akustike dhe atmosferë komunitare larg zhurmës urbane.

Në kuadër të festivalit do të ketë edhe aktivitete për mirëqenie dhe relaks, përfshirë yoga në perëndim të diellit, CrossFit, Ping Pong dhe zona të dedikuara për pushim.

Një tjetër pjesë e rëndësishme do të jetë promovimi i produkteve vendore përmes tregut dhe këndit ushqimor me produkte organike nga fermerët lokalë.

Risi e këtij edicioni do të jetë gara “Dardan’s Challenge”, një sfidë e veçantë që do të përfshijë not, vrapim, bartje kajaku, kajakim dhe sfida të tjera fizike. Të gjithë pjesëmarrësit do të shpërblehen me medalje, ndërsa tre garuesit më të mirë do të marrin edhe shpërblime monetare.

Organizatorët kanë menduar edhe për sigurinë e pjesëmarrësve, duke paraparë hyrje të kontrolluar me bileta, ekipin e kërkim-shpëtimit në ujë, sigurim fizik 24/7, prezencë të policisë në tokë dhe autoambulancë gjatë gjithë festivalit.

Për pjesën muzikore, deri tani janë konfirmuar performancat e NRG Band, Pintat, Nita Latifi dhe DJ të ndryshëm, ndërsa organizatorët pritet të publikojnë edhe emra të tjerë në ditët në vijim.

“Kayak Fest 2026” synon të shndërrohet në një nga ngjarjet më të mëdha të turizmit aventuror në Kosovë, duke sjellë në Batllavë sport, argëtim dhe një mënyrë të re për ta përjetuar natyrën.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy