Opinione

NATO si kod patriotik

Autori: Gazeta inFokus 12:32 | 17 May 2018

Shkruan: Blerim Reka

Dy muaj para samitit të Aleancës Veri- Atlantike, maratona negociatore dekadëshe për emrin, po shkon drejtë përmbylljes. Në dekadën e fundit, nga shpëlarja e trurit përmes propagandës qeveritare, gati se nuk ndryshoi përcaktimi strategjik i vendit. Nga dashuria e madhe për kombin, u rrezikua shteti. Suficiti etnik, krijoi deficit etatik, kurse hiper-nacionalizmi, dobësoi atdhetarinë. Pas 27 prillit, u kuptua se NATO mbetet kodi patriotik: si për maqedonasit, ( sepse vetëm brenda tij garantohet ekzistenca shtetërore); ashtu edhe për shqiptarët,( se ky shtet, nuk do të rrëshqasë jashtë sferës Euro- Atlantike).

Dhjetë vite kaluan, nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, që kur Maqedonia nuk arriti t i bashkohet Aleancës Veri- Atlantike. Dekada post- Bukuresht, do mbetet një nga periudhat më kritike që nga pavarësimi i saj shtetëror. Mos-anëtarësimi i Maqedonisë në Samitin e NATO-s me 2008, krijoi jo vetëm dëshpërim kolektiv, por gati sa nuk ndryshoi edhe objektivin strategjik të vendit. Pas këtij samiti, qeveritarët vendor, do thoshin se “anëtarësimi në NATO, është një nga alternativat”; për dallim që para Bukureshtit, dominonte thënia – e vetmja alternativë.

-Advertisement-

SINDROMI POST-BUKURESHT

Loja e madhe për bllokimin e Maqedonisë në NATO, nuk ishte as e çastit e as e rastësishme. Emri i shtetit, ishte më tepër shkas se sa shkak. Vetoja greke ishte vetëm arsyeja nominale, por realisht, qe pjesë e planit më të thellë strategjik. Këtë e kishte paralajmëruar që atëherë, qendra e respektuar për analiza strategjike ECFR me vlerësimin e saj për: “Kalin Trojan në NATO”. Efektet e para të këtij plani bllokues, filluan të vërehen pas Bukureshtit: NATO nuk shihej më si prioritet strategjik. Siç që nuk ishte, as për fqiun verior. Deri me 27 prill të vitit të kaluar, synohej që korridori strategjik që lidh Europën Qendrore me Mesdheun -përmes Serbisë dhe Maqedonisë – të mbahej jashtë NATO-s. Madje edhe sot, përkrahësit e jashtëm të establishmentit të mëparshëm, ende e “këshillojnë” vendin që të mos i bashkohet NATO-s.

Fatmirësisht, qeveria e re nuk përfilli “këshillat” e tilla dhe tash e një vit, ri-ktheu fjalinë gati të harruar në dhjetë vitet e fundit se: NATO mbetet prioritet i vetëm strategjik. Ky rikthim qeveritar euro-atlantik, duket se ri-ktheu edhe disponimin qytetar pro- NATO. Nëse për dhjetë vitet e fundit, mbështetja për anëtarësimin e vendit në NATO ishte përgjysmuar, në vitin e fundit ajo ri-ktheu përkrahjen prej rreth 80%. Sindromi post- Bukuresht i fryrë me fake neës të ish makinerisë propaganduese e kishte bërë të veten. Analiza e të dhënave nga hulumtimet e opinionit publik gjatë asaj dekade, dëshmonte dallimin ndër-etnik ndaj NATO-s. Para samitit të NATO-s në Bukuresht, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë- pa dallim etnie- ishin në unison me përqindjen absolute: pro anëtarësimit. Pas këtij samiti, filloi diferencimi kombëtar ndaj këtij përcaktimi strategjik, sidomos pas fushatës zyrtare anti- NATO.

Porosia që i servirej qytetarëve nga spini ish qeveritar, ishte e qartë: NATO nuk na donë, andaj duhet gjet alternativë tjetër strategjike. Përpjekja e imitimit të modelit kushtetues serb- për orientim verilindor- karshi atij veriperëndimor; nga vendi pesë herë më i vogël, ishte grotesk. Imituesit vendor të modelit të fqiut verior, kishin harruar se menjëherë pas Samitit të Bukureshtit, me SHBA kishin nënshkruar Partneritet Strategjik. Për dallim nga të imiturit verior, që kishin partneritet strategjik me Rusinë. Të njëjtit prijës të fushatës anti bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, që në vitin 1999, kishin djegur edhe Ambasadën Amerikane në Shkup, ishin ideologët edhe të propagandës kundër NATO edhe në dekadën e fundit.

SHPËLARJA E TRURIT: ANTI-NATO

Kjo fushatë “patriotike” anti – NATO, nuk qe pa efekt në lëkundjen e përcaktimit strategjik; së paku tek maqedonasit. Shqiptarët, ndërkaq edhe pas Bukureshtit, mbetën pro- NATO-s. Ajo që bie në sy nga anketat e atyre viteve, është mos-përputhja e akuzave propaganduese kundër shqiptarëve, me përcaktimin e tyre pro NATO-s. Dr. Spinët kishin sajuar stereotipin për shqiptarët si: “separatistë” e “secesionistë”; se “duan ta ndajnë Maqedoninë”; se “janë kundër integritetit territorial dhe sovranitetit te Republikës së Maqedonisë”; e të ngjashme. Pra shkurt, se nuk e duan Maqedoninë në këta kufi ekzistues, por synojnë një “Shqipëri të Madhe”. Ndërkaq, rezultatet e hulumtimeve të opinionit publik, dëshmonin krejtësisht të kundërtën. Qytetarët e Maqedonisë të përkatësisë shqiptare, si para ashtu edhe pas Bukureshtit, kishin një konstantë të palëkundur me përqindjen më të lartë në vend – pro anëtarësimit të vendit në NATO. Ndërkaq, te bashkë-qytetarët e tyre maqedonas- pas 2008, kjo përqindje deri dje gati absolute- filloi të binte; shkaku i shpëlarjes së trurit nga fushata anti-NATO.

SFIDAT E PËRSËRITJES SË BUKURESHTIT NË STRASBURG

Si të shpjegohet, atëherë paradoksi që këta të akuzuar si “shkatërrues të shtetit”, mbeten mbrojtësit e shtetit- nën mburojën e NATO-s? Shqiptarët, pra që qenkan për “ndarjen e shtetit”, njëkohësisht dilnin mbështetësit më të mëdhenj të NATO-s, që garanton kufijtë shtetëror të vendit!

Anëtarësimi në NATO nënkupton siguri, garantim të integritetit territorial dhe të sovranitetit të anëtarit të tij. Neni 5 i Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike (1949) është shumë i qartë: sulmi ndaj një shteti anëtar është sulm ndaj NATO-s. Me fjalë të tjera, me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, përfundojnë skenarët për ndarjen e saj dhe tërheqjen e kufijve të rinj rajonal.

Po të ishin shqiptarët, ashtu siç i prezantonte propaganda e kaluar dhjetëvjeçare, “anti-shtetëror”, pse atëherë ata dalin gjithnjë mbështetësit më të mëdhenj të NATO-s, nëse kjo e fundit nuk do lejonte shpërbërjen shtetërore? Ndërkaq, që po atë periudhë, përqindja pro- NATO tek maqedonasit, gati se ishte zhdukur! Dekada e fundit, pra, krijoi situatën paradoksale ku dashuria e tepërt për kombin, filloi ta rrezikojë shtetin. Suficiti etnik, krijoi deficit etatik, kurse hiper-nacionalizmi, dobësoi atdhetarinë. Vetëm para një viti, më në fund u kuptua se si për maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët, NATO mbetet kod patriotik. Për të parët, sepse vetëm anëtarësimi në NATO, garanton ekzistencën shtetërore. Për të dytët, se ky shtet, nuk do të rrëshqasë jashtë sferës Euro- Atlantike. Për maqedonasit- shtet në kufijtë ekzistues; për shqiptarët, ndërkaq afrimi me bashkëkombasit e tyre nga tri shtetet tjera pro- NATO.

ANËTARËSIMI NË NATO: NGJITËSI NDËRETNIK

Anëtarësimi në NATO, mbetet ngjitësi ndër-etnik brenda shtetit. Madje, preventiv kundër çdo befasie strategjike. Nëse dy muaj para samitit të Strasburgut u tejkalua ndarja inter-etnike në raport me NATO-n; në dy muajt e fundit para tubimit më të lartë të NATO-s duhet tejkaluar edhe ndarja e fundit-ajo intra-etnike. Opozita maqedonase, duhet ta kuptoj se vazhdimi i tregimit të dekadës së fundit: anti-NATO, nuk mund të shitet më tek qytetarët. Anëtarësimi në NATO presupozon konsens gjithë-shoqëror, si ndër-etnik po aq edhe ndër-partiak. Pa këtë nuk mund të arrihet konsensusi për çështjen e emrit dhe rrjedhimisht as viza për NATO.

Hyrja në NATO nënkupton mbylljen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë, për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për emrin e Maqedonisë. Shqiptarët, duke mos dashur të keqkuptohen nga bashkëkombësit maqedonas, tërë këto vite u përmbajtën dhe mbetën anësh procesit. Jo sepse, për një e tretën e popullatës së vendit, nuk është e rëndësishme, se si do të quhet shteti- ku ata janë autokton, por, sepse negociatat ia lanë maqedonasve, e cila emrin shtetëror e përjeton si çështje identitare. Thjeshtë, shqiptarët në përplasjen dyshe për pronësinë historike të Lekës së Madh, nuk deshën të kyçen si palë e tretë, me pretendimin për origjinën e tij ilire. Po aq sa shqiptarët dëshmuan konstruktivitet për çështjen e emrit, po aq edhe opozita maqedonase duhet të ngritet mbi partinë, në emër të ardhmërisë së vendit dhe jo të shndërrohet në bllokues të procesit. Gjatë gati tri dekadave të kësaj maratone negociuese, asnjë shqiptarë nuk qe përfshirë në këtë proces. Askush nuk din se çka negociohet me Athinën, sepse negociatat sensitive për emrin, mbeten të mbyllura, sigurisht për ta ruajtur seriozitetin e procesit. Por shqiptarët nuk kërcënuan se për shkak të këtij mos-informimi, do e bllokojnë tërë procesin- siç paralajmëroi këto ditë fatkeqësisht, opozita maqedonase.

Tash e një vit qeveria e re po përpiqet që me mbylljen e këtij kontesti me fqiun jugor, të eliminoj pengesën e fundit para samitit të NATO-s, e vetëdijshme për rrezikun se nëse në Strasburg përsëritet Bukureshti, Maqedonia nuk do të jetë ajo çfarë është. Dhe parashikimet qeveritare nuk janë larg reales.

Ikja edhe të një treni veri-atlantik kësaj vere, do shtyj ardhjen e të riut- për së paku dy vite tjera. Jo vetëm se samiti i radhës është me 2020, por edhe se më 2019, në Maqedoni e Greqi do ketë zgjedhje Presidenciale dhe Parlamentare, kurse në BE për Parlamentin Europian. Pa përmendur këtu tri probleme botërore që në vitet në vijim, do preokupojnë agjendat e mëdha ndërkombëtare: Siria, Irani dhe Ukraina. Skenari pas një Jo-je të re në Strasburg, nuk duket aspak optimist: deziluzionizim i ri, pakënaqësi kolektive, forcimi i tendencave anti perëndimore, shtimi i anti Euro-Atlantizmit, fuqizimi i partive nacionaliste dhe gjithsesi zgjedhje të reja dhe sërish jo-stabilitet politik. Pra pikërisht, një skenar i parapëlqyer – si ai i 27 prillit të vitit të kaluar- dhe një rikthim në dekadën e humbur post- Bukuresht.

Nëse në Strasburg, përsëritet Bukureshti, Maqedoninë e pret një periudhë me shumë të panjohura. Mbetja jashtë NATO-s edhe për një kohë, hap sfida të pa-parashikueshme. Një shtet i vogël dhe i brishtë shumë-etnik, i kontestuar nga fqinjët si: emër, etni, shtetësi, e kishë; kërcënohet seriozisht – po të mbetej jashta Aleancës Veri- Atlantike. Fundja, nëse gjatë dekadës së fundit çereku i popullatës braktisi vendin, çka mund të presim edhe pas një Jo–je të re në Strasburg? Mos- marrja e datës për fillim negociatash anëtarësuese me BE-në edhe mund të kaloj pa pasoja për sigurinë e shtetit. Mos- anëtarësimi në NATO, gjithsesi se jo. Prandaj nuk duhet lejuar reprizimin e Bukureshtit edhe në Strasburg.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera