Opinione

Mos rraftë me u harru

Autori: Blerim Shala 11:58 | 21 January 2024

Shoqëria kosovare, për shkaqe të shumta (të cilat do të duhej analizuar në detale), tash e sa kohë është mësuar me lajme të ndryshme të këqija, të cilat rrëmbejnë kryetitutujt e mediave për disa ditë, na bëjnë të gjithë neve që kemi pak ndjenja të ndihemi tepër rëndë, na shtynë shpeshherë të mblidhemi nëpër sheshe të qyteteve për ta shprehur mllefin tonë që kemi mbërri në këtë nivel (veçmas kur viktimat e dhunës janë femrat), por në fund, me kaq kryhet rrëfimi.

Natyrisht, themi në fund: ‘Le të jetë kjo viktima e fundit’, por kjo fjali shfaq vetëm një dëshirë që nuk përfillet nga rrjedha e jetës.

Duket që jeta në këtë vend, ka tjetër plane për ne.

-Advertisement-

Në të vërtetë, fjalia që më së miri u rri këtyre rasteve që na tronditin, është kjo e vjetra si urti e moçme popullore: ‘Mos rraftë me u harru…’.

Një rast shumë i rëndë, fatkeqësisht, harrohet menjëherë nëse një tjetër e zëvendëson atë me përmasat e të keqes.

Mbase kështu na ndodhi neve si shoqëri, kur morëm vesh për vdekjen e një 18-vjeçari nga Podujeva, jetim përndryshe (pa nënë dhe pa babë), i cili, siç u kuptua më pas, disa ditë më parë së pari është shkelur qëllimisht me një veturë, e pastaj është rrahur pamëshirshëm me shkopa bejsbolli nga dy të ri, madje më të ri se vet viktima, apo, që janë në moshë të mitur.

Kulmi i kësaj të keqeje kaq brutale është që këta të tre janë zënë kot së koti, po atë ditë, pra, e tëra nuk ka të bëjë me një trashëgimi familjare nga e kaluara, apo, nga një mosdurim personal në mes të këtyre te treve.

S’do mend që prej dje (20 janar), e tutje, do të ketë, si rëndom në këto raste, qarkullim thashethemesh në të katër anët e Kosovë, për të mbërri disi te një shpjegim a interpretim racional se pse dhe si ka ndodhur një vrasje e kësisoj.

Kështu ka qenë me shumë shembuj të tillë në të kaluarën, kështu do të jetë edhe me këtë djalin e pafat nga Podujeva.

Njeriu, thjeshtë, nuk duron dot që një e keqe e madhe, më e keqja e mundshme, realisht, çfarë është vrasja, të ndodhë ashtu kot së koti, pa njëqind arsye, pa një mori justifikimesh.

Diçka ka pasur aty. Nuk është e mundur që të rinjtë përleshen në këtë mënyrë, për ta rrahur pastaj, në mënyrën më të egër të mundshme një tjetër të ri, jo për pa ‘mbushur mend’, por për ta lënë pa jetë.

Kështu disi rezonojmë të gjithë ne (thuaja), kur ballafaqohemi me lajme të këtilla.

Jemi njerëz, e nuk jemi kafshë. Tek e fundit.

Por këtu, si edhe në shumë raste të tjera të cilat i kemi përjetuar në vitet e fundit, po del ndryshe, krejtësisht ndryshe.

Kjo vërehet veçmas në këtë ngjarjen e Podujevës.

Shpërthimi i një urrejtjeje të kësisoj, pa ndonjë pretekst real, pa ndonjë armiqësi të mbledhur me vite në familje a në një ambient shoqëror, do të duhej të na alarmonte të gjithë neve në këtë vend.

Do të ishim me fat, natyrisht, nëse kjo ngjarje është vetëm një përjashtim nga rregulli, apo, një aksident që ndodhë kudo në Perëndim, kohë pas kohe.

Por, ka fare pak gjasa që do të mund të prehemi me këtë konkludim ngushëllues.

Sidoqoftë, edhe nëse është kështu (teksa dyshimet kundërshtuese janë të mëdha), duket se është e domosdoshme që si shoqëri, si organizim politik në nivelin qendror dhe atë lokal, të provojmë të analizojmë gjendjen reale tek rinia tonë, para se të gjithash, sepse përditë e më shumë, në forma të ndryshme, ne marrim vesh që shkalla e problemeve të gjithëllojshme është në rritje e sipër.

Duhet shtuar këtu që përballja me këto fenomene nuk bëhet dot me thirrje morale, apo, me mbajtje të ligjëratave nga ana e politikanëve.

Ato mund të kenë një efekt, në masë të madhe margjinal.

Këtu do të duhej të bëheshin analiza gjithëpërfshirëse sociologjike, psikologjike dhe ekonomike, në te dy nivelet e pushtetit, me synim për të zënë fillin e gjendjes në të cilën kemi mbërri si shoqëri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera