Lajme

Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 05 May 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, kanë folur në konferencë të përbashkët për media pas takimit që kanë zhvilluar në Prishtinë.

Kurti dhe Lambrecht në fjalën e tyre kanë theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shteteve aleate, duke përmendur këtu edhe faktin e pozicionimit të Kosovës krah perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë, shkruan lajmi.net.

“Këto vlera janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ne do të ju qëndrojmë në krah në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Procesi i dialogut shpresoj që të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që të ketë vendime të reja më 13 maj, duke përfshirë këtu edhe vendimin për njohjen e dokumenteve reciproke”, ka thënë Lambrecht.

-Advertisement-

Ministrja Lambrecht ka thënë se Gjermania e mbështet rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Gjermania e ka qartësuar se e mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të ecet dhe mund të ketë edhe pengesa, por ne e mbështesim këtë rrugë. Sa i përket rrugës drejt anëtarësimit në BE, ne po mundohemi ta bëjmë këtë përmes procesit të Berlinit, ndërsa sa i përket anëtarësimit në NATO, ne e mbështesim Kosovën në këtë proces andaj edhe kemi angazhime këtu e trajnime. Por, duhet të kemi parasysh se ka procedura dhe kushte që duhet përmbushur për t’u anëtarësuar në NATO”, ka deklaruar Lambrecht.

Ministrja gjermane ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë angazhimin e saj edhe në fushën e sigurisë në Kosovë, duke dhënë kështu mbështetjen e tyre edhe për trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera