Lajme

Mbrojtja thotë se Thaçi kërkon aktgjykim lirues për të gjitha pikat e aktakuzës si rezultat i thirrjes së tij në vetëmbrojtje

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 22 February 2023

Mbrojtja e ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ky i fundit kërkon një aktgjykim lirues për të gjitha pikat e aktakuzës, si rezultat i thirrjes së tij në vetëmbrojtje.

Përmes një shkrese, ata kanë njoftuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtjen e viktimave dhe trupin gjykues, se synon të ngrejë mbrojtjen e vetëmbrojtjes.

“Gjatë gjithë kohës që lidhet me periudhën e aktakuzës, z. Thaçi ndërmori (1) veprim në përgjigje të përdorimit të menjëhershëm dhe të paligjshëm të forcës nga forcat e lidhura me Republikën Federale të Jugosllavisë dhe Republikën e Serbisë dhe (2) në mbrojtje të personave dhe pronës së mbrojtur, duke përfshirë popullatën civile të Kosovës. Veprimet e Thaçit ishin në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë së Forcave Serbe”, thuhet në këtë shkresë.

-Advertisement-

Tutje, shkresa thotë se e drejta ndërkombëtare zakonore ofron bazën ligjore për thirrjen e vetëmbrojtjes, siç pasqyrohet në nenet 31 (1) (c) dhe (d) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe të konfirmuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në aktgjykimin gjyqësor Kordiç dhe Cerkez.

“Efekti juridik i vetëmbrojtjes është përjashtimi i përgjegjësisë penale të Thaçit për krimet e pretenduara në aktakuzë, duke përfshirë (por pa u kufizuar në) pretendimet lidhur me ndalimin e paligjshëm në Pikën 3;4, pretendimet e përfshira në paragrafin 12 të Dosjes Paraprake të ZPS-së, dhe pretendimet lidhur me një qëllim të supozuar të përbashkët kriminal të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (“NPK”), dhe për veprimet e ndërmarra nga të tjerët në vetëmbrojtje për të cilat ZPS e akuzon z.Thaçi për përgjegjësi penale si ndihmës, si epror, ose nëpërmjet NPK III”, thotë tutje shkresa.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera