Mbrojtja e viktimave kërkon të refuzohet kërkesa e Thaçit për ankesë ndaj vendimit për zbulimin e dëshmitarëve me status të dyfishtë
Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 26 January 2023
Simon Laws dhe Maria Radziejowska, mbrojtës të viktimave, kanë dhënë përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtjes së Hashim Thaçit për leje për të apeluar “Vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për zbulimin e dëshmitarëve me status të dyfishtë” .
Mbrojtja e viktimave ka pohuar se kërkesa për mbrojtje duhet të refuzohet, pasi nuk i plotëson kushtet për leje për ankesë sipas nenit 45 të Ligjit dhe rregullit 77 të Rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tyre, çështjet e ngritura nga mbrojtja bazohen në mosmarrëveshje dhe keqkarakterizime të vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Më 21 shkurt 2022, mbrojtja e Thaçit parashtroi mocionin e saj për zbulimin e dëshmitarëve me status të dyfishtë, duke kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të urdhërojë zbulimin e numrit të dëshmitarit dhe formularëve të aplikimit të dëshmitarëve me status të dyfishtë.
Më 3 mars 2022, mbrojtja e viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar dhanë përgjigje ndaj kërkesës së Thaçit, derisa më 8 mars 2022, mbrojtja e këtij të fundit iu përgjigj atyre.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka nxjerrë vendimin e kundërshtuar më 13 dhjetor 2022 dhe më 9 janar 2023 është depozituar kërkesa e mbrojtjes.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.
Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.
“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
“Klloshar”, “Thithës”, “Matuf plak”: Eskalon krejt Adriana Matoshi në komente në Facebook
"Thithës i opozitës", "plak matuf", "kllloshar" - e çka s'mos tjetër i ka kom...
-
Parashikimi i motit për të mërkurën
Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell...
-
Ngjarjet e datës 15 janar
Zyrtarë komunal të Shtimes bëjnë homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, ...
-
Kosova me një sërë kërkesash për çështjen e të pagjeturve
Në Bruksel, nesër do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për P...
-
Bedri Hamza: S’ia toleroj mosuksesin ministrave, ecin nëse nuk punojnë
I ftuar në Debat Plus, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, vu...
-
Hamza: Unë kam përparësi sepse në Qeveri nuk do të shkoj me mësu, por me punu
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),...
-
“Euro Fisi” kompania e vetme e Kosovës që po merr pjesë në panairin më të madh në Munchen të Gjermanisë
Kompania Euro Fisi Group është kompania e vetme nga Kosova që po merr pjesë n...
-
Hamza: Kurrë më shumë vullnet, energji e masivitet për PDK-në s’ka pasur
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),...
-
Bedri Hamza: Secili kandidat duhet t’i kontribuojë klimës për një fushatë e qetë e pa probleme
I pyetur nga analistët në Debat Plus se a pret që kryeministri Kurti të mos i...
-
Familjari i Galuk Konjufcës del në mbështetje të PDK-së
Gazmend Konjufca, familjar i afërt i kryeparlamentarit Glauk Konjofca të Vetë...
-
SHBA i jep dritën e gjelbër FSK-së për blerjen e helikopterëve
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr përkrahje edhe nga Shtetet e Bashku...
-
Hamza: Veteranëve do t’ua mundësojmë që të punojnë në mënyrë të rregullt në sektorin privat
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),...