Ekonomi

Mbi 372 milionë euro kredi hipotekare

Autori: Gazeta inFokus 12:22 | 04 August 2018

Kreditë hipotekare aktive në sektorin bankar të Kosovës kalojnë shumën prej 372 milionë euro. Kreditë e tilla për një vit janë rritur për më shumë se 16 për qind, përderisa normat e interesit janë përgjysmuar në krahasim me vitin 2010

Mbi 372 milionë euro kredi hipotekare janë aktive në sektorin bankar të Kosovë, të cilat po shënojnë rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Madje, për shkak të normave të favorshme të interesit dhe kërkesës së vazhdueshme të klientëve, bankat komerciale në vend vetëm gjatë periudhës janar-maj të këtij viti kanë aprovuar mbi 40 milionë euro kredi të tilla, përderisa gjatë tetë viteve të fundit kamatat në kreditë hipotekare janë përgjysmuar, nga rreth 12 % sa ishin në vitin 2010, në 5.91 % në maj të këtij viti.

-Advertisement-

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) kanë bërë të ditur se kreditë hipotekare kanë shënuar rritje vjetore prej 16.1%, përkatësisht për 51.5 milionë euro në vitin e fundit.

Një vit më parë, përkatësisht në qershor të vitit 2017, shuma e përgjithshme e kredive hipotekare ishte 320.8 milionë euro, apo për rreth 53 milionë euro më e ultë se në qershorin e këtij viti. Ndërsa në qershor të vitit 2016, kreditë hipotekare ishin vetëm 267.1 milionë euro.

‘Analizuar trendin në këtë lloj të kredive shihet se sektori bankar i Kosovës në vazhdimësi ka rritur financimin e kredive hipotekare ndër vite’, bënë të ditur guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Rreth 100 milionë euro kredi të reja hipotekare në vit

Derisa vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti rreth 41 milionë euro janë aprovuar nga bankat kredi të reja hipotekare, kreditë e reja gjatë vitit 2017 kishin arritur në 91.2 milionë euro, të cilat ishin rritur për 20 për qind në krahasim me vitin 2016, pasi që dy vite më parë(gjatë vitit 2016) kreditë e reja hipotekare ishin 71.2 milionë euro, 67.6 milionë euro gjatë vitit 2015, 53 milionë euro gjatë vitit 2014, 41.2 milionë euro gjatë vitit 2013,36.1 milionë euro gjatë vitit 2012, 38 milionë euro gjatë vitit 2011 dhe 44.1 milionë euro gjatë vitit 2010.

Përgjysmimi i normave të interesit

Rritja e vazhdueshme e kredive hipotekare nga sektori bankar vlerësohet se është rezultat i rënies drastike të normave të interesit.

Norma mesatare e interesit në kreditë hipotekare në sektorin bankar të Kosovës, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është 5.91%, kut është evidente rënia e theksuar e kësaj norme ndër vite.

Gjatë vitit 2017 norma mesatare interesit në kreditë hipotekare ka qenë 5.94%, përderisa gjatë vitit 2016 evidentohej 6.54%. ‘Zvogëlimi i theksuar i normave të interesit për këto kredi është gjatë periudhës 2014 e tutje, ku ato shënojnë nivelin njëshifror për t’u zbritur në nivelin nën 6%’, thotë guvernatori Mehmeti.

Sipas tij, rënia e përgjithshme e normave të interesit në kredi në sektorin bankar të Kosovë ka reflektuar edhe në rënien e normave të interesit në sektorin e kredive hipotekare.

‘Prej faktorëve kryesor të cilët kanë ndikuar në rënien e normave të interesit është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së kredive, ku treguesi i kredive joperformuese në sektorin bankar të Kosovës në qershor të këtij viti reflekton mjaft i ulët përkatësisht 2.8%’, thotë Mehmeti,duke shtuar se ndikim të madh ka shfaqur edhe cilësia e mirë e kredive të reja të aprovuara, si dhe efekti i funksionalizimit të përmbaruesve privat së bashku me mbikëqyrje proaktive bankare, ku ka përshpejtim të zgjidhjes së çështjeve gjyqësore lidhur me kreditë e këqija(joperformuese).

Miliardat në kredi

Shuma e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës ka arritur në 2.65 miliardë euro, prej të cilave 372.3 milionë euro janë kredi hipotekare.

Rrjedhimisht, pjesëmarrja e kredive hipotekare në shumën e përgjithshme të kredive aktive të sektorit bankar të Kosovës ka arritur në 14.1%.

Në Bankën Qendrore të Kosovës bëjnë të ditur se shuma më e lartë e kredisë hipotekare që është aprovuar nga bankat arrin në 300 mijë euro.

‘Duhet cekur që vlera e kredisë është relative për rastin, ku merren parasysh hipoteka dhe të hyrat, prandaj kjo është funksion i dy komponentëve të cekura e jo që bankat kanë kufizime në vlera të kredive për kredi hipotekare’, sqaron Mehmeti.

7 milionë euro hipoteka të konfiskuara në qershor

Ndonëse cilësia e mirë e kredive të përgjithshme në sektorin bankar të Kosovës ka reflektuar edhe në cilësinë e mirë të kredive hipotekare, për kreditë hipotekare joperformuese, përkatësisht për konfiskimin e hipotekave, bankar veprojnë konform kornizës ligjore në fuqi. ‘Në muajin qershor 2018 shuma e patundshmërive të konfiskuara nga bankat për kreditë e këqija dhe të cilat mbahen për shitje është 7
milionë euro’, thotë i pari i BQK-së, duke shtuar se funksionalizimi i përmbaruesve privat ka ndikuar pozitivisht në përshpejtimin e zgjidhjes së çështjeve gjyqësore lidhur me kreditë e këqija.

Sektori bankar në funksion të zhvillimit të sektorit të ndërtimit

Drejtues të Shoqatës së Bankave të Kosovës(SHBK) kanë theksuar se përmirësimi i ofertës kreditore nga bankat për të gjithë sektorët, por edhe për sektorin e ndërtimit, ka ndikuar në rritjen e kreditimit për këtë sektor.

Sipas tyre, përmirësimi i ofertës kreditore ka të bëjë me uljen e normës mesatare të interesit në kredi, por edhe zgjatjen e maturitetit të kredisë.

Gjithashtu, siç thonë ata, një rëndësi të lartë për zhvillimin e këtij sektori, por edhe të rritjes së kreditimit është edhe infrastruktura e duhur ligjore. “Me këtë nënkuptojmë rregulloren e kredive hipotekare për banim, e cila përcakton qartë të gjitha aspektet e kredimit siç janë: Procesi i lejimit të kredive, dokumentet e kërkuara, raportimin, monitorimin, si dhe matjen e të gjitha rreziqeve të këtyre kredive për nevoja të adekuatshmërisë së kapitalit”.

Përfaqësues të bankave komerciale në vend vlerësojnë se avancimi dhe përmirësimi i ofertës kreditore nga bankat ndikohet nga disa faktorë. “Së pari ajo që ndikon drejtpërdrejtë në plasimin e ofertave kreditore sa më të mira është infrastruktura e duhur ligjore. Sektori bankar në Kosovë operon në bazë të ligjeve në fuqi në

Republikën e Kosovës dhe rregullorja për kredi hipotekare për banim e lejon që bankat të kenë mundësi të bëjnë oferta më të mira, falë mbështetjes ligjore”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës, duke shtuar se duke pasur një mbështetje dhe rregullim të tillë, stimulohet edhe rritja e ofertës dhe kërkesës në sektorin e ndërtimit, duke bërë që sektori bankar të vihet në shërbim të
rritjes dhe zhvillimit të këtij sektori, prandaj ofron norma më të favorshme.

Ofertat e favorshme dhe sfidat e bankave

Njëra anë e medaljes paraqet institucionet financiare bankare me oferta favorizuese për sektorët e ndryshëm në Kosovë, duke ulur normat e interesit dhe duke zgjatur kohen e maturitetit të kredive.

Ndërsa ana e tjetër e medaljes paraqet edhe sfidat apo vështirësitë që këto institucione financiare hasin gjatë mbështetjes së tyre për sektorët e ndryshëm në Kosovë.

“Rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi, por edhe sektorëve të ndryshëm në veçanti u tha të jetë zinxhiri i infrastrukturës ligjore. U përmend më lartë efekti pozitiv që ka pasur hartimi i rregullores për kredi hipotekare për banim në ofertën kreditore, por pasi që bëhet kreditimi i këtij sektori, në rast të dështimit të kredisë, bankat ballafaqohet me një zinxhir të dobët të infrastrukturës ligjore.

Në rast të dështimit të kthimit të kredisë, sektori bankar has në probleme gjatë realizimit të së drejtës së bankës në hipotekë”, kanë bërë të ditur zyrtarët e Shoqatës së Bankave.

Problemet tjera që asociohen me këtë lloje të kredisë fillojnë me vlerësimin e pronës, pastaj verifikimin e titujve pronësorë, procedurat përmbarimore, por edhe vonesat në gjykata që ndikojnë në vjetërsimin e lëndëve.

Kamatat, si në Evropë

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se rënia e dukshme e normave të interesit në kreditë hipotekare ka rritur dukshëm mundësitë, sidomos të gjeneratave të reja për t’u bërë më lëhtë me pronë të tyre. Ai thotë se sikur të ishte rregulluar si duhet puna e hipotekave, mundësitë do të ishin edhe më të mëdha.

“Sektori bankar ka pasur efekt të dyfishtë. Ka ndihmuar të rinjtë që janë të marrëdhënie punë që të bëhën më banesë, por në anën tjetër ka ndikuar edhe në  zbutjen e informalitetit, pasi që të gjitha transaksionet bëhën përmes llogrive bankare”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, po të mos ishin kreditë bankare hipotekare, mundësia e të rinjëve që janë në marrëdhenie pune për t’u bërë më banesë do të ishte shumë e vogël, pasi që, siç thotë ai, shumica prej tyre nuk ë para të gatshme. Këshilltari i kryeministrit, njëherit ish- ministri i Ekonomisë dhe Financave më tutje thotë se kohëve të fundit sektori bankar është duke ndjekur trendet e sektorit bankar të shteteve të zhvilluara.

“Bukur mirë ka zbrit norma e interesit për kredi hipotekare në raport siç ka qenë më herët”, ka treguar ai.

Më tutje Shatri ka shtuar se nësë bëjmë krahasime me një të kaluar jo shumë të largët shihet  qartë se normat e interesit kanë rënë tepër shumë.

Ndërsa Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë, thotë se deri më tash normat e interesit për kredi në vendin tonë, në këtë rast edhe për kredi hipotekare kanë qenë të larta, ku thuajse e kanë bërë të pa mundur blerjen e një banese përmes kredisë.

“Situata ekonomike në vend ka qenë e tillë që bankat kanë aplikuar norma më të lartë të interesit, por tash normat e interesit që janë duke aplikuar bankat komerciale në vendin tonë janë dukshëm më të ulëta, konkurente me ato të shteteve Evropiane”,ka thënë profesor Sadiku.

Ai më tutje thotë se normat e tilla të interesit që aplikojnë bankat komerciale janë të favorshme për gjeneratat e reja për t’u bërë me banesë, shtëpi, apo edhe pronë.

“Në komunat ku ka ndërtime me leje dhe ta pranuara teknikisht nga organet komunale, mundësitë janë më të mëdha, por ne në Kosovë edhe më tutje kemi probleme serioze, pasi që një pjesë e madhe e objekteve të ndërtuara janë pa leje ndërtimit, e që në rastet e tilla bankat ato nuk i pranojnë si
hipotekë.

Institucionet duhet të jenë më të përgjegjshme dhe efikase në këtë drejtim.

Në momentin kur kemi shumë objekte të ndërtuara me leje dhe të njejtat te jënë pranuar nga organet komunale, tregu i kredive hipotekare do të filloj të zhvillohet menjeherë”,ka thënë ai.

Grafika:
372.3 milionë euro është shuma e përgjithshme e kredive hipotekare aktive në sektorin bankar të Kosovës.
16.1 % kanë shënuar rritje vjetore gjatë vitit të fundit kreditë hipoterake.
Grafika 2:
Kreditë hipotekare
372.3 milionë euro (qershor 2018)
320.7 milionë euro (qershor 2017)
267.1 milionë euro (qershor 2016)

Grafika 3:
Kreditë e reja hipotekare
40.8 milionë euro (janar-maj 2018)
91.2 milionë euro (2017)
71.2 milionë euro (2016)
67.6 5milionë euro (2015)
53 milionë euro (2014)
41.2 milionë euro (2013)

36.1 milionë euro (2012)
38 milionë euro (2011)
44.1 milionë euro (2010)

Grafika 4:
Rënia e normave të interesit në kreditë hipotekare
5.91% (Maj 2018)
5.94% (2017)
6.54 % (2016)
7.36 % (2015)
9.08 % (2014)0
10.11 % (2013)
10.56 % (2012)
11.52 % (2011)
11.78 % (2010)

Grafika 5:
2.65 miliardë euro ka arritur shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar të Kosovës.

14.1% është pjesëmarrja e kredive hipotekare në shumën e përgjithshme të kredive aktive të sektorit bankar të Kosovës.

300.000 euro është shuma më e lartë e kredisë hipotekare që është aprovuar nga
bankat komerciale në Kosovë.

Grafika 6:
7.000.000 euro është vlera e përgjithshme e patundshmërive të konfiskuara nga bankat komerciale në qershor të këtij viti për shkak të mos pagesës së kredive hipotekare.
Grafika 7:

2.8% ka rënë shkalla e kredive joperformuese në sistemin bankar të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera