Lajme

Mbi 2600 faqe dokumente kurrikulare, Ahmeti: Nuk gjeta askund emrin e UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 20:15 | 19 September 2026

Eksperti i arsimit, Agon Ahmeti, ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si trajtohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në dokumentet kurrikulare të Kosovës.

Ahmeti thotë se ka analizuar 16 dokumente kurrikulare, përfshirë Kornizën Kurrikulare, Kurrikulat Bërthamë për tri nivelet e arsimit parauniversitar dhe 12 kurrikula lëndore për klasat I-XII.

Sipas tij, dokumentet përmbajnë mbi 2,600 faqe, por në asnjërin prej tyre nuk ka gjetur emërtimin e plotë “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” apo shkurtesën “UÇK”.

-Advertisement-

“Gjithsej 489 rezultate të të nxënit në lëndën e historisë – asnjë prej tyre nuk i dedikohet specifikisht UÇK-së”, ka shkruar Ahmeti.

Ai thekson se vetëm tri nga 489 rezultatet e të nxënit, apo rreth 0.61 për qind, e prekin luftën çlirimtare, por pa kërkuar në mënyrë specifike që nxënësit të mësojnë për UÇK-në apo figurat kryesore të saj.

Ahmeti e lidh këtë çështje edhe me vendimet e fundit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, e cila, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me historinë e Kosovës dhe luftën e UÇK-së, kishte kërkuar që ora e parë mësimore t’i kushtohej UÇK-së dhe më pas që flamuri i UÇK-së të vendosej në hyrje të shkollave publike.

Sipas tij, këto iniciativa mund të jenë të mirëseardhura, por ngrejnë pyetjen se pse trajtimi i një pjese të rëndësishme të historisë së Kosovës duhet të bëhet përmes vendimeve administrative të momentit dhe jo të jetë i përcaktuar qartë në kurrikulë.

“Çka nëse nesër vjen në pushtet një qeverisje që nuk i pëlqen me fol për luftën?”, shtron pyetjen Ahmeti.

Ai argumenton se kurrikula përbën bazën mbi të cilën ndërtohen programet mësimore, tekstet shkollore dhe puna e mësimdhënësve në klasë. Për këtë arsye, sipas tij, trajtimi i UÇK-së nuk duhet të varet vetëm nga vendime të përkohshme apo administrative.

Ahmeti sqaron se çështja nuk është që UÇK-ja të përmendet në çdo klasë apo në çdo periudhë të historisë, pasi mësimi i historisë zhvillohet në mënyrë kronologjike, por se sa dhe në çfarë forme trajtohet lufta e Kosovës dhe UÇK-ja kur kurrikula arrin te periudha përkatëse.

Në fund, ai e përmbledh analizën e tij me konstatimin: “Nga 489 rezultate në histori – asnjë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Postimi i plotë:

Mbi 2600 faqe dokumente kurrikulare – në asnjërën prej tyre nuk përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)!
Gjithsej 489 rezultate të të nxënit në lëndën e historisë – asnjë prej tyre nuk i dedikohet specifikisht UÇK-së!

Si pasojë e ngjarjeve të rënda të ditëve të fundit, lidhur me historinë e Kosovës dhe luftën e UÇK-së, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë kërkoi që ora e parë e mësimit t’i kushtohej UÇK-së dhe, dy ditë pas, që flamuri i UÇK-së të vendosej në hyrje të shkollave publike.

Mirë shumë! Por, nëse UÇK-ja konsiderohet pjesë kaq e rëndësishme e historisë së Kosovës, pse njohja e saj në shkollë duhet të bëhet me vendime administrative të momentit/ad hoc? Çka nëse nesër vjen në pushtet një qeverisje që nuk i pëlqen me fol për luftën?

Si rrjedhojë, vendosa dhe i analizova 16 dokumente kurrikulare të Kosovës, përfshirë Kornizën Kurrikulare, Kurrikulat Bërthamë për 3 nivelet e arsimit parauniversitar dhe 12 kurrikulat lëndore (klasat I-XII), për me kuptu se çka pritet me ditë një nxënës për UÇK-në pas 12 viteve shkollim…

Në 16 dokumente kurrikulare me mbi 2600 faqe tekst, çuditërisht nuk arrita me gjetë askund emrin e plotë ose shkurtesën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pastaj u ndala specifikisht te rezultatet e të nxënit në lëndën e historisë. Janë gjithsej 489 rezultate, pra 489 tema, procese apo ngjarje konkrete historike që nxënësi duhet t’i dijë dhe t’i kuptojë. Asnjëra nuk i dedikohet specifikisht UÇK-së! Vetëm 3 nga 489 (0.61%) rezultate e prekin luftën çlirimtare, por pa kërkuar specifikisht njohjen e UÇK-së apo figurave kryesore të saj.

E di, kur bëhet fjalë për historinë në shkollë, jo gjithçka është histori bashkëkohore. Periudhat historike zhvillohen kronologjikisht, nga parahistoria e deri te zhvillimet më të afërta me kohën tonë. Çështja nuk është pse UÇK-ja nuk përmendet në çdo klasë, por sa dhe si trajtohet kur kurrikula arrin te kjo periudhë historike.

Kurrikula është baza mbi të cilën ndërtohen programet mësimore, tekstet shkollore dhe ligjëratat e mësimdhënësve. Me fjalë të tjera, kurrikula është krejt ajo që duhet të ndodhë dhe mësohet në klasë.

NGA 489 REZULTATE NË HISTORI – ASNJË PËR USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy