Mbi 128 milionë euro për import të energjisë elektrike për vetëm gjashtë muaj – Kosova në varësi totale edhe në prag të verës
Autori: Hateme Smajli
11:29 | 22 July 2026
Kosova ka shpenzuar hiç më pak se 128 milionë e 19 mijë e 585 euro për import të energjisë elektrike vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.
Të dhënat nga Dogana e Kosovës për periudhën janar-qershor, të analizuara nga Gazeta Infokus, të bazuara në regjistrat e importit për kodin tarifor të energjisë elektrike (2716000000), tregojnë se nga janari deri në fund të qershorit në vend janë importuar 1 milion e 193 mijë e 288.04 MWh energji elektrike.
Pavarësisht këtyre shifrave gjigante dhe miliona eurove të shpenzuara për të siguruar energji nga jashtë, qytetarët sërish nuk i kanë shpëtuar reduktimeve të energjisë elektrike.
Gjatë kësaj periudhe, në shumë raste janë raportuar ndërprerje dhe kufizime në furnizim, duke ngritur pikëpyetje se si, përkundër importeve rekord, sistemi energjetik nuk pati stabilitet dhe nuk ka arritur të garantojë furnizim të pandërprerë për konsumatorët.
Shifrat janë alarmante jo vetëm për vlerën financiare, por edhe për faktin se importi ka vazhduar në nivele shumë të larta edhe gjatë muajve pranverorë dhe në prag të verës, periudhë kur zakonisht konsumi bie krahasuar me muajt e dimrit dhe pritet prodhim më i favorshëm vendor. Në vend të një uljeje të varësisë nga importi, të dhënat tregojnë se Kosova ka vazhduar të mbështetet në tregjet e jashtme për të përmbushur nevojat për energji elektrike.
Mbi 35.8 milionë euro vetëm në janar
Muaji janar ishte më i kushtueshmi për importin e energjisë elektrike.
Gjatë këtij muaji u importuan 293,207.09 MWh, me një vlerë prej 35,806,685.09 euro.
Importi më i madh erdhi nga Shqipëria, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte importuesi i dytë më i madh gjatë muajit.
Shqipëria – 173,880.09 MWh (20,275,436.26 euro)
Shkurti – mbi 21 milionë euro
Edhe gjatë shkurtit importi mbeti në nivele të larta.
Kosova importoi 166,070 MWh, me një kosto prej 21,081,077.18 euro.
Dy shtetet kryesore ishin:
- Maqedonia e Veriut – 82,806 MWh (11,152,028.30 euro)
- Shqipëria – vendi i dytë me sasinë më të madhe të energjisë së importuar.
Marsi – mbi 16.6 milionë euro
Në muajin mars janë importuar 184,615.85 MWh, me një vlerë prej 16,689,268.33 euro.
Importi dominohet nga:
- Shqipëria – 123,089.85 MWh (10,307,922.47 euro)
- Maqedonia e Veriut – renditet e dyta.
Afro 17 milionë euro edhe në prill
Në prill Kosova importoi 150,130.77 MWh, me një vlerë prej 16,866,538.25 euro.
Dy furnizuesit kryesorë ishin:
- Shqipëria – 71,020.77 MWh (8,137,216.03 euro)
- Maqedonia e Veriut – vendi i dytë.
Maji – mbi 15.7 milionë euro
Edhe pse temperaturat u rritën dhe vendi hyri në sezonin pranveror, importi nuk u ndal.
Gjatë muajit maj u importuan 162,362.92 MWh, me një kosto prej 15,710,488.98 euro.
Importi u kryesua nga:
- Maqedonia e Veriut – 77,305 MWh (7,359,414.69 euro)
- Shqipëria – 69,139.92 MWh (6,636,480.63 euro)
Në prag të verës mbi 21.8 milionë euro import – Qershori
Shifrat bëhen edhe më shqetësuese në muajin qershor.
Në muajin kur konsumi zakonisht është më i ulët sesa gjatë dimrit, Kosova importoi 236,901.41 MWh, duke paguar 21,865,528.15 euro.
Importi më i madh erdhi nga:
- Shqipëria – 112,610.41 MWh (10,043,298.24 euro)
- Maqedonia e Veriut – furnizuesi i dytë më i madh.
Mbi 128 milionë euro në gjashtë muaj
Në total, nga janari deri në fund të qershorit 2026:
- janë importuar 1,193,288.04 MWh energji elektrike;
- janë shpenzuar 128,019,585.98 euro.
Importi nga Serbia nuk u ndal as në gjysmën e parë të vitit
Përkundër faktit se pjesa dërrmuese e energjisë elektrike është importuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të dhënat e analizuara nga Gazeta Infokus tregojnë se Kosova ka importuar energji elektrike edhe nga Serbia gjatë vitit 2026.
Edhe pse sasitë janë dukshëm më të vogla krahasuar me shtetet e tjera, importi nga Serbia nuk ka munguar, duke u regjistruar në tre muaj të ndryshëm të gjysmës së parë të vitit.
Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe nga Serbia janë importuar gjithsej 820 MWh energji elektrike, me një vlerë prej 91,692.39 euro.
Importi sipas muajve është si vijon:
- Shkurt – 440 MWh, në vlerë prej 50,260.39 euro;
- Mars – 240 MWh, në vlerë prej 29,952 euro;
- Qershor – 140 MWh, në vlerë prej 11,480 euro.
Ndërsa në muajt janar, prill dhe maj, sipas regjistrave të importit të energjisë elektrike, nuk figuron import nga Serbia.
Kjo analizë tregon se pjesa më e madhe e energjisë është siguruar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë qenë burimet kryesore të importit gjatë gjithë periudhës.
Shifrat ngrenë pikëpyetje serioze për sigurinë energjetike të Kosovës dhe aftësinë e sistemit vendor për të mbuluar nevojat me prodhim të brendshëm. Veçanërisht shqetësues mbetet fakti se edhe në muajt pranverorë dhe në prag të verës, kur pritet të ketë më pak presion mbi sistemin energjetik, importi vazhdon të kushtojë dhjetëra milionë euro.
Nëse kjo prirje vazhdon edhe gjatë pjesës së dytë të vitit, fatura e importit të energjisë elektrike për vitin 2026 mund të arrijë në qindra milionë euro.
Përkundër importeve rekord, Kosova vazhdon ta lërë pezull ofertën amerikane për gazin natyror
Teksa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 Kosova ka shpenzuar mbi 128 milionë euro për importin e energjisë elektrike, në anën tjetër ende nuk ka një vendim të qartë nga Qeveria e Kosovës, për t’iu bashkuar nismës amerikane për furnizim me gaz natyror të lëngshëm (LNG), një projekt që Shtetet e Bashkuara e kanë promovuar vazhdimisht si një mundësi për të rritur sigurinë energjetike të Kosovës dhe për të diversifikuar burimet e furnizimit.
Në muajt e fundit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përsëritur disa herë thirrjen që Kosova t’i bashkohet projekteve rajonale të gazit amerikan. Në një opinion të publikuar në fillim të qershorit, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, theksoi se përballë sfidave strukturore në sektorin energjetik, Kosova duhet të bëhet pjesë e projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan, duke vlerësuar se kjo do të siguronte burime më të qëndrueshme energjie dhe do të forconte sigurinë energjetike afatgjatë të vendit.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka sinjale se Qeveria e Kosovës është duke e çuar përpara këtë iniciativë me hapa konkretë. Përkundrazi, në diskursin publik është vërejtur një qasje hezituese ndaj projektit, ndërsa vendi vazhdon të mbështetet në importin e energjisë elektrike, duke paguar dhjetëra milionë euro çdo muaj në tregjet rajonale./Gazeta Infokus

T� tjera
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...
-
Vergori në vizitën e dytë në Beograd një muaj pasi mori detyrën – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe?, KFOR jep detaje
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin ...
-
Tensionohet situata pranë Kuvendit të Shqipërisë, përplasje mes protestuesve dhe policisë
Situata pranë Kryesisë së Kuvendit në Tiranë është tensionuar sonte, ndërsa f...




































