Lajme

Liderët e NATO-s: Ballkani Perëndimor kërkon vëmendje të vazhdueshme

Autori: Gazeta inFokus 20:22 | 11 July 2023

Udhëheqësit e vendeve të NATO-s thanë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie strategjike për aleancën dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Në ditën e parë të samitit që mbajtën në Vilnius të Lituanisë, ata thanë se i mbështesin reformat që i forcojnë aspiratat e vendeve të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Ne do të vazhdojmë ta përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik, me qëllim të mbështetjes së reformave, të paqes dhe të sigurisë rajonale, dhe kundër ndikimeve keqdashëse, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, që paraqesin aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë”, thanë liderët e organizatës më të madhe ushtarake në botë.

-Advertisement-

Ata vlerësuan se Ballkani Perëndimor kërkon vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm nga NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar për t’u përballur me këto sfida.

“Vlerat demokratike, shteti i së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të një rëndësie jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik. Ne presim përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të 31 vendeve të NATO-s.

Ata i bënë thirrje Serbisë, e cila ka status neutral sa u përket aleancave ushtarake, që të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj.

Vlerësohet se forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte në dobi si për aleancën, ashtu edhe për Serbinë dhe gjithë rajonin.

Për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën

Udhëheqësit e NATO-s thanë se mbështesin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe i ftuan palët që ta shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen në mirëbesim, drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.

Ata, gjithashtu, dënuan dhunën në veri të Kosovës, si dhe “sulmet e paprovokuara ndaj ushtarëve të NATO-s, të cilët pësuan lëndime të rënda”.

“Ne e kemi rritur praninë e trupave të [misionit të NATO-s] KFOR për t’iu përgjigjur tensioneve të përsëritura. Çdo ndryshim në pozicionin e forcave tona në KFOR, do të bëhet në bazë të kushteve”, thuhet në dokumentin e udhëheqësve të NATO-s.

Në pjesën për Bosnje e Hercegovinën, ata thanë se mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi dhe u bënë thirrje liderëve politikë që të përmbahen nga retorika dhe veprimet përçarëse dhe secesioniste.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera