Policia e Kosovës, një prej institucioneve më të larta të sigurisë në vend dhe prej më të besueshmeve nga qytetarët, nga kjo e mërkurë do të ketë drejtorin e ri.

Në mbledhjen e ekzekutivit u caktua Gazmend Hoxha si udhëheqës i ri i këtij institucioni.

Deri tani Hoxha mbante pozitën e Drejtorit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

-Advertisement-

Por, ai më parë ka mbajtur edhe disa pozita të tjera të larta në këtë institucion.

Hoxha në vitin 2009 kishte qenë edhe drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010-2011 ishte emëruar Drejtor kundër Krimit të Organizuar. Në vitin 2012 ishte emëruar Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Në konkursin e fundit për Drejtor të Përgjithshëm në Policinë e Kosovës, Hoxha ishte vlerësuar më së shumti nga të gjithë kandidatët, edhe nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Ndryshe, Policia ka mbetur pa drejtor që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Kjo pasi Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje pas dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Ushtrues detyre i drejtorit të Policisë ishte caktuar Fehmi Hoti.