Lajme

Kurti takon Kallasin në Nju-Jork: UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit serb

Autori: Gazeta inFokus 22:33 | 22 September 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Kurti ka thënë se gjatë takimit ka kërkuar përkrahjen e BE-së për t’i bërë trysni Serbisë që Millan Radoiçiqi dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist e paramilitar të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Pasnesër, më 24 shtator, mbushen tre vjet nga agresioni i Serbisë dhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka shkruar Kurti.

-Advertisement-

Kurti ka thënë se në takim ka ngritur edhe shqetësimin për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohem në shkallën e apelit”, ka deklaruar ai.

Duke folur për luftën në Kosovë, Kurti ka thënë se UÇK-ja “lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia” dhe se lufta e saj për liri ishte, siç është shprehur ai, “e drejtë dhe e pastër”.

Ai ka ngritur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke thënë se ata “nuk gëzojnë të drejta të barabarta” në Serbi dhe se atje ka nënpërfaqësim të theksuar në institucione.

Kurti ka pretenduar gjithashtu se po vazhdon “spastrimi etnik administrativ me heqjen e adresave”.

Në fund, ai ka thënë se Kosova është e përcaktuar për integrimin evropian dhe euro-atlantik dhe se është “tërësisht e linjëzuar” me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, ka shkruar Kurti.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy