Lajme

Kurti: Marrëveshja është e rëndësishme, por dialogu s’është prioriteti numër një

Autori: Gazeta inFokus 09:31 | 03 March 2023

Në fjalimin e mbajtur pas mesnate në Kuvend, kryeministri Albin Kurti ka adresuar disa prej çështjeve të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me propozimin evropian.

I pari i qeverisë tha se Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme, ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Kryeministri Kurti tha se ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektin për integritetin territorial, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore, të pasaportave, e kështu me radhë. Kurti po ashtu tha se marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, me e rëndësishmja përmes pranimit të kapacitetit ligjor për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënshkrimin e një Partneriteti për Paqe me NATO-n.

-Advertisement-

Kryeministri deklaroi sërish se ‘Zajednica nuk kalon’ në kryeministri, ani pse e njëjta ka kaluar në parlament.

Ai shtoi se Serbia ka dështuar të imponojë zbatimin e ‘Zajednicës’ si parakusht.

“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por besoj fuqishëm që ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Pra, unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Konkretisht, këtu sulmet që i përjetova veç po i përmend disa deputetë: Blerta Deliu-Kodra, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Çuni, Ferat Shala, këta me datën 27 qershor 2013 e kanë votuar ‘Zajednicën’. Më falni, Sala Berisha-Shala, më fal kryetar e heq fjalën. Bëhet fjalë për deputetë që kanë votuar ‘Zajednicën’ më 27 qershor 2013, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht”, ka deklaruar Kurti.

Kurti shtoi se koncepti, qëllimi e kuptimi nuk kanë ndryshuar, por strategjia po.

“Nuk kam ndryshuar unë, por sytë e juaj. Ju po shikoni ndryshe tash, ju po shikoni ndryshe. Dhe këtu ne e kemi një kontribut të pamohueshëm. Pasojë direkte e Lëvizjes Vetëvendosje është ndryshimi i syve të juaj”, tha ai në seancën e natës.

Duke iu përgjigjur replikave të deputetëve opozitarë, kryeministri tha se dialogu s’është prioriteti i parë.

“Dialogu s’është prioriteti numër 1. Marrëveshja është shumë e rëndësishme, por dialogu s’është numër 1. Kurgjo nuk i ndihmon dialogut se sa forcimi i vendit”, tha Kurti ndër të tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera