Fokus

ĶRIMI NË FAMILJE| 45 gra e burra të vrārë, këto janë shifrat shokuese të 4 viteve të fundit në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 18:22 | 19 April 2024

Hiq më pak se 45 gra e burra u vranë nga familjarët e 10 mijë e 621 të tjerë përjetuan dhunë në familje në katër vitet e fundit në Kosovë.  Një shifër kjo tejet shqetësuese që tregon një gjendje të rëndë brenda familjeve kosovare e që e bën të duket sikur kjo e fundit është burimi i dhunës në vend.

Kjo sipas të dhënave që Gazeta Infokus ka siguruar nga Policia e Kosovës për 4 vitet e fundit, nga viti 2020 e deri në prill të vitit 2024.

Krimi brenda familjes, gra e burra pësuan nga familjarët 

-Advertisement-

Mëngjesin e së martës i tërë vendi u trondit nga një akt makabër që ndodhi në qytetin e Pejës. Edmond Lajçi vrau gruan, Gjyljeta Ukellën, 43 vjeçare, nënë e tre fëmijëve me një plumb në kokë derisa ishin duke pirë kafen e mengjesit.

Katër ditë më parë një vrasje tjetër ndodhi në qytetin e Ferizajt. Atje Erona Cokli, 21 vjeçare, u vra nga ish bashkëshorti, Valon Aliu. Këto akte tmerruan opinionin. Vendi u zhyt në zi.

Edhe Presidentja Vjosa Osmani shpalli të mërkurën e 17 prillit ditë zie pas këtyre akteve makabre.

Tronditëse në fakt janë edhe shifrat e vrasjeve të katër viteve të fundit.

Shifrat që ka siguruar Gazeta Infokus nga Policia e Kosovës janë jo vetëm shqetësuese por edhe shokuese.

Sipas këtyre të dhënave nga janari i vitit 2020 deri në prill të vitit 2024, brenda familjeve u vranë 20 gra e 25 burra në Kosovë.

Viti me më së shumti vrasje është viti 2020, ku 7 gra u vranë nga burrat, e 13 burra u vranë nga anëtarë të familjes.

Një rast tjetër tejet i rëndë që tronditi jo vetëm Kosovën por edhe rajonin, vitin që lamë pas, është ai i vrasjes së Liridona Ademajt. Për herë të parë në Kosovë dyshohet se një grua u vra, me një plan të realizuar e të financuar nga bashkëshorti i saj por që ai nuk ishte vetë dorasi.
Liridona u vra nga Granit Plava, që dyshohet se ishte paguar por edhe se kishin bërë planin e vrasjes së bashku me burrin e Liridonës, Naim Murselin. Çifti së bashku kishin dy fëmijë të cilët në momentin kur ndodhi sulmi ishin në veturë së bashku me nënën, Lirdonën e babain, Naimin, mirëpo që sipas deklaratës së këtij të fundit në polici ai kishte larguar fëmijët nga vetura e më pas kishte dëgjuar të shtënat prej të cilave mbeti e vrarë Liridona.

Mbi 10 mijë gra e burra përjetuan dhunë në familje -– Më shumë viktima gratë

Raste që fatmirësisht nuk përfunduan me fatalitet, mirëpo 10 mijë e 621 gra dhe burra përjetuan dhunë në familje nga janari 2020 deri në dhjetor të vitit 2023.

Sipas të dhënave që Infokusi ka siguruar nga policia e Kosovës, rastet e dhunës janë tejet më të larta tek gratë, pra kur viktimë e dhunës janë gratë.

Për 3 vite, 8 mijë e 532 gra përjetuan tmerrin e dhunës në familje, kryesisht nga bashkëshortet e familjarët e tyre, raste këto të raportuara në Policinë e Kosovës.

Ndërsa rastet e dhunës në familje ku viktima kanë qenë burrat kap shifrën 2 mijë e 89.

 

Raportimi i rasteve të dhunës në familje

Në këto të dhëna që Gazeta Infokus ka siguruar nga Policia e Kosovës janë paraqitur edhe shifrat e raportimeve.

Raportimi i rasteve të dhunës në familje kishte filluar të rritet deri në vitin 2022, derisa ka pësur një rënie të vogël në vitin 2023.

Për tre vite 9 mijë e 742 qytetarë raportuan në polici për dhunë në familje.

 

Vrasjet e dhuna në familje po vazhdojnë të jenë një problem serioz për vendin. Derisa bëhen reagime të shumta në momentin kur ndodhin vrasjet, kjo çështje sikur vazhdon të pranohet në heshtje si diçka pothuajse normale e madje duke mos u trajtuar me seriozitet as nga organet e drejtësisë, raste këto të denoncuara edhe publikisht.

LEXO EDHE: HULUMTIM| Padrejtësia e shtetit përballë një nëne deri në gjunjëzimin e saj publik

Pavarësisht këtyre shifrave që tregojnë të kundërtën, nga Policia e Kosovës në përgjigjen për Infokusin kanë theksuar se trajtojnë me seriozitet të gjitha rastet e dhunës në familje.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është e rëndësisë së veçantë (primare), trajtimi i tillë i rasteve, ka bërë që të rastet e kësaj natyre të raportohen pa hezitim nga viktimat e rasteve dhe nga dëshmitarë”, kanë deklaruar nga policia.

Sipas policisë rastet e dhunës në familje në stacionet e policisë trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime pikërisht për raste të tilla.

“Rastet e dhunës në familje, në secilin stacion policor, trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla. Rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen  e zyrës për informim të policisë së Kosovës.

E megjithatë shifrat që i publikuam më lartë të konfirmuara nga vetë policia tregojnë se vrasjet e dhuna po dëmtojnë seriozisht familjet në Kosovë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera