Ekonomi

Kosova nënshkruan protokollin për Bashkëpunim Zhvillimor me Qeverinë gjermane

Autori: Gazeta inFokus 19:28 | 04 December 2017

Në Ministrinë e Financave janë mbajtur sot Konsultimet mbi Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, të cilat kishin për qëllim promovimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik dhe social të Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE.

Delegacioni i Republikës së Kosovës u kryesua nga ministri i Financave Bedri Hamza, ndërsa delegacioni i i Republikës Federale të Gjermanisë kryesohej nga Heike Backofen-Warnecke, Zëvendësshefe e Divizionit për Evropën Juglindore dhe Lindore, Kaukazi i Jugut, si dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovës Christian Heldt.

Konsultimet u zhvilluan në një atmosferë të hapur të bashkëpunimit konstruktiv. Ato u mbajtën për të shkëmbyer bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe zhvillimet aktuale në fushat prioritare: Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik, Demokracia, Shoqëria Civile dhe Administrata Publike, si dhe Energjia.

-Advertisement-

Këto konsultime kishin për qëllim përgatitjen e negociatave bilaterale të planifikuara për gjysmën e dytë të vitit 2018.

Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza dhe zëvendësshefja e Divizionit për Evropën Juglindore dhe Lindore, Kaukazi i Jugut në Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, Heike Backofen-Warnecke, e nënshkruajtën protokollin e këtyre konsultimeve për Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Të dy palët u pajtuan që Negociatat e ardhshme mbi Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë do të mbahen në Kosovë (deri në fund të vitit 2018).

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera