Lajme

Konjufca e ka planin e tij të zbatimit: Së pari nënshkrimi i marrëveshjes, pastaj “Forumi i komunave”

Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 09 March 2023

Kosova duket se e ka një plan përmes të cilit do të përpiqet ta shmangë përkohësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Para takimit të rëndësishëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Kosova mund ta japë një “premtim abstrakt” për ta nënshkruar marrëveshjen, duke e lënë themelimin e Asociacionit për më vonë. Ai u shpreh pro krijimit të “një forumi të komunave serbe” më pas. Sipas tij, Kosova është “në pozicion komod tash” dhe po shkon “sipas planit”. Kështu tha se do të paraqitet edhe më 18 mars, ndërkohë që SHBA-ja kërkon që diskutimi për këtë të fillojë menjëherë.

Në fund të javës së ardhshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Përgatitjet për takimin e rëndësishëm tashmë kanë nisur dhe Kosova duket se e ka një plan se si do të qaset atë ditë kur do t’i vijë rendi diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, çështjes më delikate në rrugën drejt marrëveshjes.

Kosova është pajtuar ta lë Asociacionin të kalojë, por ideja është që të mos themelohet para nënshkrimit të marrëveshjes. Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha të mërkurën se as drafti i statutit të Asociacionit “s’bën të bëhet para marrëveshjes”, shkruan Express.

-Advertisement-

“Në Ohër duhet të shkojmë me pozicionin tonë që marrëveshja është e konstruktuar kështu: ndodh njohja ‘de facto’ dhe pastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit. Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson dhe dëmtohet dhe është gabim me u pozicionu ashtu. Shumë e thjeshtë”, ka thënë Konjufca në një intervistë për ATV.

Tash për tash, Konjufca foli për mundësinë e dhënies së “një lloj premtimi abstrakt” nga ana e Kosovës, në mënyrë që, siç tha ai, “ta nxjerrë njohjen ‘de facto’ prej Serbisë”.

“Ajo çka është e lejueshme për Kosovën, unë mendoj që mund të ishte vetëm si një lloj premtimi abstrakt që për Kosovën nuk është dëmtim i madh, por për hapin të cilin mund ta bëjmë përpara, është shumë kualitativ dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë kryetari i Kuvendit, pasi është pyetur për gatishmërinë për themelimin e Asociacionit dhe taktikën e manovrimit në këtë pikë.

“Kosova përmes një premtimi dhe instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po dëshiron ta nxjerrë njohjen ‘de facto’ prej Serbisë. Kaq e thjeshtë matematikisht mendoj që do të kishte qenë ky pozicionim i Kosovës. Pra, kurrgjë tu dhanë më shumë se sa Gjykata Kushtetuese që na ka thënë, ne me mujtë me e kapë njohjen ‘de facto’ prej Serbisë, që do të ishte shumë ecje e madhe përpara”, ka thënë Konjufca.

Por Konjufca nuk beson se marrëveshja do të nënshkruhet, pasi beson se “Serbia nuk do ta pranojë këtë”. Kjo, sepse, siç thotë ai, Beogradi do ta peshonte njohjen ‘de facto’ dhe përfitimet e tij.

Pasi të nënshkruhet marrëveshja, Konjufca thotë se Kosova “mundet me e kriju një forum të komunave serbe, ku ata (serbët) mblidhen dhe flasin për problemet e tyre”. Këtë, sipas tij, e parasheh edhe plani i zbatimit.

“Plani i implementimit, përnjëmend e ka njohjen ‘de facto’ në fillim. Asociacionin e ka 15 ditë mbrapa”, ka thënë ai.

Pas marrëveshjes, Konjufca tregoi se si mund të vepronte Kosova.

“E para është se edhe vetë garancinë na e keni dhënë si Bashkim Europian që nuk ka me pasë kompetenca ekzekutive. E dyta, ne ju tregojmë pra se cilat janë kompetencat joekzekutive. E treta, ne kemi marrë garancinë prej SHBA-së edhe prej BE-së që ky Asociacion nuk do të jetë kurrfarë mekanizmi që shkon përtej asaj që e lejon Kushtetuta e Republikë së Kosovës. Tash ne ju themi kështu: ne jemi të gatshëm, hapin e parë e kemi pranu, por për me e pranu të dytin, nëse pala kundërshtare është duke mendu që kur të shkojmë në hapin e dytë, Kosova ka me e ndryshu kushtetutën, Kosova ka me dhanë kompetenca ekzekutive se e paska obligim në një marrëveshje të mëhershme, këtë harrojeni”.

Kryeparlamentari tha se Kosova është “në pozicion komod tash”, i ka pranuar hapat dhe se po shkon “sipas planit”. Kështu tha se do të paraqitet edhe më 18 mars.

SHBA-ja dëshiron që për themelimin e Asociacionit të diskutohet menjëherë

Shtetet e Bashkuara presin ende shumë punë, pasi siç tha edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, “askush ende nuk ka pranuar për asgjë”.

Ned Price, të mërkurën foli në emër të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe e përmendi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si çështje kritike.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”, ka thënë Price për ” The Pavlovic Today”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron që Asociacioni të jetë pika thelbësore e marrëveshjes që synohet të arrihet shpejt. Megjithatë, në takimin e fundit në Bruksel ai ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin i cili përmban edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, përfshirë atë për themelimin e kësaj bashkësie komunash me shumicë serbe.

SHBA-ja këtë vit i ka shtuar përpjekjet duke i bërë ato më konkrete në mënyrë që ta bëjëKurtin që ta pranojë themelimin e Asociacionit. Shefi i Qeverisë së Kosovës ka rezistuar deri tash, por SHBA-ja pret që diskutimet për këtë çështje të nisin “menjëherë”.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në fund të shkurtit organizoi një diskutim për këtë dhe më pas ambasadori Jeffrey Hovenier i mblodhi disa përfaqësues politikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në rezidencën e tij për të diskutuar më tej rreth kësaj çështjeje.

Pas takimit të fundit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se “kemi shumë punë për të bërë” dhe të nesërmen foli për Asociacionin si obligim që duhet zbatuar.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë ai në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.

I pyetur për afatet e mundshme, Escobar tha se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë (Asociacionin). Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera