Ekonomi

Komunat mbesin keq, nuk kanë para për investime

Autori: Sylejman Sylejmani 10:39 | 28 October 2018

Vetëm rreth 1 milion euro ka planifikuar të shpenzojë komuna e Hanit të Elezit për shpenzime kapitale gjatë vitit 2018.

E ky buxhet po të ishte edhe tri herë më i madh nuk do të mjaftonte për nevojat e komunës, thotë kryetari i saj Rufki Suma.

Suma për Gazetën inFokus ka treguar se ky buxhet do të ishte edhe më i vogël, po të mos përfitonin grande dhe projekte shtesë nga organizata të ndryshme buxhetore.

-Advertisement-

Image result for rufki suma

“Zakonisht përgjatë vitit fiskal marrim edhe ndonjë projekt prej organizatave të ndryshme buxhetore, qoftë prej ministrive, qoftë prej ndonjë donator e cila sadopak e plotëson atë zbrazëtirë të mungesës së buxhetit. Me këtë buxhet që ndahet nga niveli qendror nuk mund të realizohen projektet e planifikuara. Fatmirësisht në tri vitet e fundit e kemi pasur si komunë e vogël edhe një buxhet shtesë prej afro 300 mijë euro nga qeveria e kaluar. Po të mos kishte qenë edhe kjo, atëherë buxheti ynë për investime kapitale do të ishte rreth 400-450 mijë euro”, thotë ai.

As Juniku, i cili udhëhiqet nga kryetari Agron Kuçi nuk i ka punët mirë me buxhet.

Kuçi deklaron se buxheti që e kanë nuk u mjafton asnjëherë.

Plani për investime, ai thotë se çdo herë si shkak i mundësive të vogla duhet të bëhet me shumë kujdes.

“Nuk i përmbushë. Asnjëherë nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat e Komunës, buxheti aktual që e kemi. Ne i bëjmë planet në bazë të buxhetit dhe projektet i implementojmë në bazë të buxhetit që e kemi. Nuk i përmbushë objektivat e as nevojat”, thotë ai për Gazetën inFokus.

Image may contain: 1 person, suit

Kuçi shton se nga Qeveria herë përfitojnë diçka e herë asgjë për projektet e tyre.

Nevojë më të madhe, ai tregon se kanë turizmi dhe bujqësia.

“Me qenë buxheti ka nevojë për shërbimet publike por ka nevojë edhe për përkrahje të fermerëve si dhe të sektorit të turizmit, të bujqësisë dhe të turizmit më së shumti kanë nevojë”, thekson Kuçi.

Nga ana tjetër, hulumtuesi nga INDEP, Dardan Abazi thotë se komunat shumë herë kanë ngecje në planifikimet e tyre për shpenzime kapitale.

Prandaj, sipas tij duhet të kenë më shumë asistencë profesionale nga niveli qendror.

“Duhet të ketë asistencë më të madhe profesionale për komunat, sidomos në pjesën e planifikimit të investimeve kapitale sepse jo gjithmonë prioretizimi shkon andej nga investimet kthehen më mirë dhe më shpejtë dhe në këtë mënyrë, jo gjithmonë investohet drejtë nga ana e komuanve dhe investimet kapitale nuk e kanë atë kthimin që do të duhet ta kishin në ekonomitë lokale tyre. Kjo mund ta bënte më të madh buxhetin për komunat”, vlerëson Abazi.

Ai thotë se gjithashtu duhet të ketë një mekanizëm të qeverisë, i cili do t’i balanconte të hyrat e komunave.

“Duhet të ketë një mekanizëm të qeverisë i cili tenton t’i balancojë të hyrat që i kanë komunat, në mënyrë që komunat që nuk kanë mundësi të mbledhin të hyra vetanake, t’u japin edhe një imput shtesë nga niveli qendror që të mos ketë komuna të cilat zhvillohen më tepër se disa komuna që nuk kanë shumë mundësi të mbledhin të hyra vetanake”, thotë ai.

Shumica e buxhetit të të gjitha komunave kosovare shkojnë për paga dhe mëditje. Një pjesë tjetër e madhe kryesisht shkon për mallra e shërbime, kurse pjesa e mbetur për shpenzime kapitale si dhe për punë të tjera të komunës.

Me ligjin për kryeqytetin, Prishtina pritet të bëhet komuna që do të ketë ndjeshëm buxhet më të madh se komunat e tjera. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera